Fort Lauderdale është qytet në shtetin e Floridës, 45 milje në veri të Miamit. Qyteti ka një popullsi prej 180 072 banorësh (2017), është qendër turistike, me një temperaturë mesatare vjetore prej 75.5 ° F (24.2 ° C) dhe 3 000 orë kohë me diell në vit.
Në këtë qytet duket se ka një lëvizje të vakët të shqiptarëve. Megjithatë, më 19 prill 2012, të mundësuar nga Kolec Ndoja, u organizua takimi themelues për degën e Vatrës.
Shqiptarët me këtë qytet i lidh patrioti i shquar F an Stilian Noli. Ai këtu kalonte një pjesë të kohës në vitet e pleqërisë së vonë.
Kjo histori filloi më 1953 kur Vatra nisi një fushatë dhe mblodhi afro 20 mijë dollarë, të cilat ia dhuruan Fan Nolit që të blinte një shtëpi. Ai shtëpinë e bleu në Fort-Lauderdejl të Florida-s.
Aty dishepulli i letrave shqip, i pari peshkop shqiptar që meshoi në gjuhen shqipe, kryetari i kishës shqiptare në Amerikë, imzot Noli kaloi për disa vjet pushimet dimërore. Në muajt e fundit të jetës ndjehej tepër i lodhur. Sëmundja i përparonte dita ditës, ajo ia pakësonte fuqitë. E megjithatë, nuk donte të shkëputej nga jeta, jepte e merrte me telefona e me letra me administratën e kishës, me sekretarin e peshkopatës At Sotirin, me këshillin laik, me mikun e tij Gari Riskën etj.
Meri Xhons (kujdestaria e tij) tregon se tri ditët e fundit ai pranoi të merrte ilaçe. ‘’Nuk kam parë me sytë e mi, i shkruan ajo motrës së vogël të Nolit, Sulltanës, njeri me kurajë kaq të madhe. Ai e donte aq shumë jetën, sa shpeshherë ngrihej mbi dhimbjen që e mundonte. Këtë e tregonte dhe me dashurinë që kish për pemët. Ai kish mbjellë pemë prapa shtëpisë. Thosh: ‘’Sa mirë ndjehem kur shoh këto pemë”. I gëzohej shumë dhe diellit. Dielli e qetësonte.
Fillimi i marsit e rëndoi akoma më shumë gjendjen e të sëmurit. Dhembjet iu bënë aq të padurueshme, sa ai për herë të parë, pas kalvarit të gjatë të vuajtjeve, pranoi më në fund të marrë qetësues. Pranë i qëndronte, jo vetëm Meri Xhonsi, po dhe një infermiere dhe miku i tij Rako Theodhori. Noli, si shkëmbente ndonjë fjalë, lexonte, përpiqej të shkruante diçka. Më 8 mars, ai mori një goditje cerebrale, aq sa humbi të folurit, por, pas 24 orëve, çuditërisht, u duk sikur u përmirësua, sepse filloi, sado me vështirësi, të komunikojë.
Dita e 13 marsit gdhiu e bukur me diell. Noli kërkoi me këmbëngulje ta nxirrnin jashtë në kopsht. Meri Xhons nuk i bëri dot ballë dëshirës se tij dhe, në kundërshtim me këshillat e mjekut, duke menduar se banjat e diellit e qetësonin, e zhvendosi në kopsht. Aty, ai qëndronte shtrirë, me libër në dorë, nën rrezet e vakëta dhe puhizën e pranverës. Të tjerët shikonin e ndiqnin nga dritaret e shtëpisë. Ishte ora 11:00, kur Noli hapi gojën 2-3 herë, iu varën duart, ndërsa libri i ra për tokë. Sytë i kish përqendruar te lulet dhe te gjethet e sapoçelura. Meri Xhons mori telefonin, u lidh me Bostonin dhe foli me Gari Riskën, kryetarin laik të Peshkopatës. Atij i ra barra e rëndë të shpallte mandatën në rrethin e ngushtë të miqve.[1]
Gari Riska u nis menjëherë për në Florida dhe më 15 mars, e solli me aeroplan trupin e tij në Boston, nga ishte nisur së gjalli. Gazeta ‘’Dielli’’ shkruan për këtë pamje të fundit të Nolit: “Fytyra si në bronz, e zbehtë, pa shumë rrudha. Një jetë e tërë, një jetë e lashtë, ishte njeriu nga më njerëzorët e shqiptarëve të Amerikës, gjeniu dhe njeriu i thjeshtë”.
Po atë ditë u thirr mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit të Peshkopatës, ku u diskutua dhe u hartua programi dhe plani i masave të veprimtarisë mortore. U shpall një javë zi dhe u vendos të njoftohet zyrtarisht gjithë bota shqiptare. Kryetari i Këshillit të Peshkopatës do të vinte në dijeni, në radhë të parë, Misionin e RPSH-së pranë OKB- së. Diplomatët shqiptarë u vunë menjëherë në lëvizje, jo vetëm duke marrë kontakt me autoritetet e Kishës Ortodokse Shqiptare të Bostonit, por dhe me përfaqësuesin amerikan në Kombet e Bashkuara. Më 15 mars, qeveria shqiptare do t’i drejtonte një mesazh ngushëllimi Kishës Ortodokse Shqiptare të Amerikës dhe gjithë vëllezërve patriotë për humbjen e rëndë “të atdhetarit të madh dhe luftëtarit të zjarrtë e të paepur për pavarësinë dhe lulëzimin e Shqipërisë…” Me këtë rast, ajo shprehte dëshirën në emër të popullit shqiptar, që trupi i Nolit “të sillet e të prehet përjetë në atdheun e tij të shtrenjtë…”
Një kërkesë e tillë, sado e drejtë dhe legjitime që dukej, ndeshi në pengesa e kundërshtime dhe krijoi probleme. Vetë Noli nuk kishte shprehur ndonjë dëshirë të dokumentuar për vendvarrimin, aq më tepër për t’u varrosur në Shqipëri. Por më e rëndësishme ishte se, mes shqiptarëve të Bostonit, e sidomos në Këshillin e Peshkopatës dhe nga vetë “Vatra”, u shfaqën mendime dhe qëndrime të ndryshme, duke e kthyer këtë kërkesë në një problem të nxehtë politik. Një palë mendonte se Noli duhej të varrosej në Shqipëri, kurse pala kundërshtare, kërkesën zyrtare të Tiranës e konsideronte si shkelje dhe ndërhyrje në punët e brendshme të SHBA-së.
Problemi tjetër që krijoi telashe ditët e vdekjes së Nolit, ishte pjesëmarrja e përfaqësuesit të Misionit shqiptar në ceremoninë e përmortshme. Autoritetet amerikane nuk e lejuan atë të merrte pjesë, me arsyetimin se ky ishte thjesht një akt diplomatik.
Misioni shqiptar do të protestonte pranë Sekretarit te Përgjithshëm të OKB- së, U. Tanit. Përgjigjen e tyre autoritetet amerikane do ta jepnin me anë të A. Stifenson-it, kryetarit të Misionit të SHBA-së pranë Kombeve të Bashkuara, i cili do të deklaronte në televizion se ai “e nderonte figurën e Fan Nolit, por nuk e kuptonte se si mund të nderohet një fetar si Fan Noli nga kryetari i Misionit shqiptar, që përfaqëson një qeveri ateiste”. Në këto kushte, në pamundësi për të marrë pjesë, përfaqësuesi shqiptar do të njoftonte me keqardhje Këshillin e Peshkopatës dhe bashkësinë shqiptaro-amerikane për pengesën e krijuar nga autoritetet zyrtare dhe dërgoi tekstin e fjalës se tij me lutje, që të lexohej në ceremoninë e përcjelljes së fundit.
Më 16 mars, trupi i Nolit do të sillej në Katedralen e Shën Gjergjit dhe të nesërmen do të zhvilloheshin homazhet për tri ditë me radhë. I veshur me rrobat e praruara episkopale dhe me motrën në krye, ai qëndronte shtrirë në një arkivol metalik, mbuluar me flamurin kombëtar shqiptar. Katër qirinj të mëdhenj, të vendosur në formë kryqi, lëshonin dritë mbi të. Përqark kishte një det me lule, aq shumë sa që trupi i tij dukej sikur voziste nëpër to. Ndërsa ditën rridhte lumi i njerëzve, natën, sipas zakonit shqiptar, do ta ruanin gratë, me në ballë ato të shoqatës së grave “Bijat e Shën Gjergjit”, të cilat qëndronin rreth tij të përlotura. Dëshira e të ndjerit kish qenë ta qanin me ligje labe.
Askush nga të afërmit e tij nuk ndodhej aty, gjendeshin larg, shume larg, diku në brigjet e Mesdheut. Njëra motër, Athinaja në Kavalla, ku po përgatiste dokumentet për të shkuar në Boston që të takonte të vëllain, tjetra, Sulltanea, në Feres, ku jetonte me fëmijët dhe fëmijët e fëmijëve. Pas mandatës të të vëllait, që e kishin marrë vesh nga valët e “Radio Tiranës”, ato do të mblidheshin kokë më kokë dhe do ta qanin. I vetmi ngushëllim për to, kur i vëllai po ikte nga kjo botë, ishte emri tepër i nderuar që linte.
Pas tri ditë homazhesh, më 20 mars, kur para trupit të tij të pajetë erdhën dhe u përkulën më shumë se 5000 vetë, u organizua mesha dhe përcjellja e fundit që zgjati rreth katër orë. Pesëmbëdhjetë priftërinj ortodoksë shqiptarë, të veshur me rroba të zeza, drejtonin ceremoninë e përmortshme. Kori i madh i përbërë nga koret e kishave të Natikut e të Worçhesterit, në prani të një gjendjeje të paparë, këndonte gjatë gjithë kohës këngë liturgjike. Mes froneve të zënë binte në sy froni i zbrazët i Nolit. Guvernatori i Massachusetts-it John Volpe ishte atë ditë mes dhjetëra njerëzve të shquar, që kishin ardhur t’i jepnin lamtumirën shqiptaro-amerikanit të madh.
Në mbarim të riteve fetare, që i takonin një kleriku të lartë, u zhvillua mitingu mortor me pjesëmarrjen e afro 2000 vetëve. Në miting mbajtën fjalët e tyre panegjirike Ikonom Sokrat Sotiri në gjuhën shqipe dhe At Sotir Dilogjika në anglisht. Duke u bërë në atë raste zëdhënës të një aspirate të përbashkët kombëtare, ata shpreheshin se “shqiptarët kudo në botë mbajnë zi për humbjen e prijësit të tyre të madh… popullariteti i të cilit vjen i dyti pas Skënderbeut” dhe se trashëgimia, idealet dhe urata e tij e bën ata të ndihen krenarë.
Në Forest Hills, varrezat kryesore të qytetit, të mbuluara nga dëbora, u përmbyll lamtumira e ndarjes. Do të qenë Imam Vehbi Ismaili dhe Baba Rexhepi ata që do të mbanin ligjërata përcjellëse. Duke e quajtur Nolin “kalorës të fundit të epokës… që u shkëput prej gjirit tonë për t’u përkitur kohëve, për t’u bërë histori”. Fan Noli mbetej ngaherë flamur bashkimi.
Trupi i të ndjerit nuk u fut nën dhe’, po, ashtu siç ishte vepruar me F. Konicën, u vendos në një vault refrigerated për t’u ruajtur deri sa të zgjidhej çështja se ku do të prehej përfundimisht. Pastaj, një mal me lule u ngrit sipër tij, ku, veç kurorave të shumta të bashkësisë shqiptaro-amerikane, të Kishës, të shoqatave, të shokëve e të miqve, do të dallonin dhe ato të Qeverisë Shqiptare, Frontit Demokratik të Shqipërisë, Universitetit të Tiranës, Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Ishin aty lulet e mirënjohjes të Shqipërisë dhe gjithë botës shqiptare. Mungonin vetëm lulet e familjes, për të treguar që edhe pse u ngjit aq lartë, prapë ikte si mërgimtar i përjetshëm.
Dëshira e Nolit kish qenë të varrosej thjesht, pa madhështi, me sa më pak shpenzime, ashtu siç e kish jetuar jetën. Po sipas amanetit të tij, pas varrimit u shtrua në mjediset e Katedrales së Shën Gjergjit një drekë modeste, vetëm me bukë, djathë dhe ullinj.
Për ditë me radhë do të mbërrinin në adresë të Kishës, të Vatrës e të “Diellit” me qindra telegrame e letra ngushëllimi. Shprehej dhembje, po një dhembje krenare, dhembja e gjithë kombit shqiptar për këtë humbje të pazëvendësueshme. Cilësohej “humbje e thelle”, “pikëllim për të cilin fjalët s’mjaftojnë”, “hidhërim i patreguar”, kurse për atë vetë, “burrë i madh dhe prijës i madh”, “themelues i shkëlqyer i Kishës Ortodokse Shqiptare”, “shkëmb i binomit atdhe dhe fe”, “thesar diturie”, “fetar i devotshëm”, “shkrimtar i jashtëzakonshëm”.
Ndërmjet sendeve personale që u gjetën në tavolinën e punës të të ndjerit metropolit, ditën e vdekjes së tij, shkruan At Arthur Liolin, ishte edhe një vëllim i hollë me poezi franceze dhe disa letra me përkthimet e tij të fundit. Titulli i librit kishte emrin e një poezie elegjiake romantike e DeVugney-t, titulluar “La Mort Du Loup”. Metropoliti soditës, ishte mjaft i tërhequr nga kjo poezi e esëllt, … Vargjet e fundit te poezisë, që janë kaq të ndjera dhe që duhet ta kishin prekur thellë atë gjatë jetës së tij plot përpjekje ishin të nënvizuara: ‘’Të rënkosh, të qash, të ankohesh është paburrëri / Bëj me zell detyrën e gjatë dhe të zjarrtë të cilën fati ta ka dhënë / Dhe atëherë, si unë vuaj dhe vdis / Pa thënë asnjë fjalë’’.[2]
‘’Imzot Noli është i gjallë, thotë Artur Liolin. E ndjejmë se e kemi pranë në çdo hap që hedhim në rrugën e çështjes kombëtare dhe në rrugën e Zotit. I dëgjojmë zërin, marrim këshilla, gjejmë zgjidhje për problemet e vështira, mbajmë gjallë frymën e shenjtë dhe frymën kombëtare. Edhe sot ishte aty me ne, aty në Kishën Ortodokse ‘’Shën Gjergj’’, në Boston, me bustin e tij në hyrje, me fotografinë e tij në muret e faltores, me librat që ka shkruar e përkthyer. Sa ishte i lidhur imzot Noli me kishën e shpjegon vetë në një shkrim që ruhet po në këtë kishë, të cilën e themeloi në 1908 dhe i shërbeu deri sa u nda nga kjo botë në 1965: ‘’Nga të gjithë aktivitetet e mia, dashuria ime e parë është kisha. Hyrja ime më parë në lëvizjen shqiptare ish leximi i Dhjatës së Re të përkthyer nga Kostandin Kristoforidhi në shqip kur unë isha dhjetë vjeç’’.
Nën qiell dielli shuhet ngadalë / Dhe oqeani cep më cep ka heshtur; / Më nis o mëmëdhe nga larg një valë / Që ta kuptosh se malli s’më ka vdekur.
Homazhet kësaj figure të shquar të lëvizjes kombëtare shqiptare, Fan S. Noli, që krijoi gjithashtu fuqinë e lëvizjes ortodoksin shqiptar në SHBA, edhe sot mund t’i bëhen në varrezat e Forest Hillsit, ku prehet trupi i tij. Ato gjenden në periferi të Bostonit të Jugut, shtrirë në një pllajë të valëzuar. Varri i Nolit ndodhet në thellësi të Forest Hillit. E dallon nga larg, jo vetëm se është buzë rrugës, po njihet nga memoriali. Një bazareliev, në mes portreti i Nolit me mitrën episkopale dhe në një krah gdhendur një shqiponjë e në krahun tjetër kryqi. Poshtë portretit janë latuar fjalët në gjuhën angleze: Kryepeshkop Fan Stilian Noli, Themelues i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë.
LAMTUMIRA
Unë jam hiri, atje ku ishte zjarri.
Nën shqiponjë lexohet: Dijetar-Poet-Delegati në Lidhjet e Kombeve. Deputet në Parlamentin Shqiptar. Ministër i Punëve të Jashtme. Kryeministër i Shqipërisë. Ndërsa nën kryq lexohet: Lindi në 6 janar 1882, Dorëzuar prift më 8 mars 1908. Kurorëzuar peshkop më 21 nëntor 1923. Vdekur më 13 mars 1965.
Ngjitur me Nolin është varri i Peshkop Stefan Laskos, pasardhësit të tij besnik, që u njoh dhe u çmua si shqiptar i mirë, klerik e burrë me karakter. Edhe i vdekur ai i qëndron pranë kryezotit të vet shpirtëror. Aty prehet edhe at Arallam Dode një mik tjetër i vjetër e besnik i Nolit që i qëndroi shumë pranë, si vëllai me vëllain në ditë të vështira dhe të tjerë bashkëkohës dhe bashkëpunëtorë të Tij.
Thuhet se Noli kishte lënë një testament sipas të cilit pas vdekjes së tij shtëpia të lihej në pronësi të Peshkopatës. Shtëpia në 1971 u shit.
Sa do të ishte mirë të ishte kthyer në një vend peligrinazhi për shqiptarët pa dallim feje, ideje dhe krahine. Ndoshta do të ishte zgjidhja më e mirë në se kjo shtëpi do të bëhej muze për shqiptarët.
Arkivi, gjysma u vendos në Boston pranë Peshkopatës dhe gjysma në Arkivin e Shtetit në Tiranë.
Shefqet A. SALIU
Marre nga libri “Mergata legjendare e Amerikes”
[1] – Gazeta “Dita”, dt. 10 mars 2019.
[2] – Vehbi Bajrami, “Shqiptarët e Amerikës”, nga intervista e Artur Liolin, New York, vit. bot. 2003, f.124.