Tre shkrimtarë francezë kanë shkruar në gjuhën e tyre tri tekste narrative remix (remix) – rikrijime, interpretime, rikombinime, përshtatje të këtij teksti të Kadaresë; një ushtrim, një pastish, variacion i së njëjtës temë, zhanri, subjekti
Viola Isufaj nga profili “Kadaref for Nobel prize”
Tregimi “Përpara banjës” i Ismail Kadaresë, jep një vizion të ferrit të Agamemnonit që u gjend përsëri jashtë vaskës dhe u nis drejt saj, ashtu si miliona herët e tjera, për të përjetuar me ritme të ndryshme copëzën e fundit, gjithsej njëzet e dy sekonda, të jetës së tij. Ky është një tregim me gjetje nga më befasueset: zhvillohet brenda vetëm dy faqeve, botuar së pari në përmbledhjen e tij me tregime “Ëndrra mashtruese”.
Një tregim, që më kishte bërë përshtypje dhe që mendoja se duhej nxjerrë në pah, për shkak se nuk e kishte marrë vëmendjen e lexuesit sa duhet – kjo për një arsye të cilin kisha kohë që e sillja nëpër mend e që kishte të bënte me një lloj fenomeni: vepra monumentale të këtij autori marrin edhe vëmendjen që u takon krijimeve të tjera të të njëjtit autor (ku qarkullojnë motive të ngjashme dhe po ato personazhe), duke mos i lënë këto të fundit të bëjnë jetë të mëvetësishme. Kështu, diptiku Vajza e Agamemnonit, Pasardhësi mund të kenë ndikuar që jo të gjithë lexuesit shqiptarë të kenë parasysh tekstin Përpara banjës, por:
• Tre shkrimtarë francezë kanë shkruar në gjuhën e tyre tri tekste narrative remix (remix) – rikrijime, interpretime, rikombinime, përshtatje të këtij teksti të Kadaresë; një ushtrim, një pastish, variacion i së njëjtës temë, zhanri, subjekti.
Kjo është një mënyrë shpalimi e letërsisë, që kohët e fundit, po përdoret në letërsinë e përbotshme, por që në studimet tona nuk është e njohur. Pra, në bazë të një vepre të një shkrimtari – të tjerë shkrimtarë bëjnë remix. Në këtë rast, kemi për bazë tregimin e një shkrimtari shqiptar, atë të Kadaresë, kurse remixet janë të tre shkrimtarëve francezë.
E rilexova tregimin Përpara banjës së Kadaresë. Pastaj mora tregimet në gjuhën frënge që ishin remixe të atij teksti. Me t’i pasur në dorë, ishte e dukshme se kisha të bëja me thurrje jo të thjeshta. Tekstet kërkonin që të qëndroje ca kohë me kryet mbi to. Nisa të shkruaj shënime pa i përkthyer tri tekstet, vetëm duke hyrë gjithnjë e më tepër në logjikën e tyre të
brendshme. M’u duk se me të vërtetë isha zhytur në fund, në universin e këtyre vdekjeve të shumëllojshme. Dhe, duke e shkruar studimin përcjellës, erdhi njëkohësisht edhe përkthimi i tri tregimeve remix të francezëve, të cilët ishin nisur nga teksti origjinal Përpara banjës.
Iu frikësova, megjithatë, rreziqeve të mundshme gjatë përkthimit, u përpoqa ta ruaj stilin. Nuk e kisha idenë se si do t’i vinin një lexuesi shqiptar tekstet e përkthyera. Dëshirova që të ishin këta shkrimtarë francezë që flisnin në shqip. Doja t’i ruaja sa më shumë që të ishte e mundur, secilit, fytyrën e vet, frymën e vet.
Ndodh përkatësisht kështu:
• Ngjarja që tronditi jetën helene si edhe botën mbarë, do të rishfaqet pa bujë në të sotmen e njerëzimit, ku një burrë i ditëve tona është sërish i zhytur në gjumë-vdekjen e tij, në ngadalësinë dhe flashkësinë e lindur, në gabimin dhe pësimin e tij: në brerjen e pandërprerë të ndërgjegjes për një mbrapshti që nuk e kapi dot në të gjallë të vet. Ky është tregimi i parë.
• Ndërsa në tregimin e dytë trajtimi ekstravagant që i bëhet Orestit, mund të shastisë lexuesin; ne do të ecim me Orestin drejt Homo Zone në një sauna gay-sh. Ky tregim i dytë dhe sidomos tregimi i tretë, e trajton këtë vdekje të pafundme si mazokizëm.
• Tregimi i tretë, veçanërisht, sjell përpëlitjet e njeriut në një ferr të përditshmërisë.
Meqenëse tregimi burimor, ai i Kadaresë, ndërtohet mbi vdekjen e Agamemnonit, sjellim së pari në kujtesë mitin mbi Agamemnonin dhe një interpretim të karakterit të tij.
AGAMEMNONI, MBRETI I ARGOSIT
Një i pavdekshëm që u bë i vdekshëm, një kryekomandant i pamposhtur që në kulmin e lavdisë u mposht pa lavdi, që u vra kur më pak se kurrë pritej të vritej.
Prijës me famë të madhe luftarake, i njohur për prestigjin, ngadhënjimet, krenarinë, sedrën, mendjemadhësinë, në fron tiran dhe në shesh betejë i guximshëm gjer në marri, ai ishte Agamemnoni, mbreti i Argosit.
Ai është në mënyrë të veçantë i njohur të paktën për dy akte barbarie, në njërin ekzekutues, në tjetrin i ekzekutuar: i pari para nisjes për ekspeditën e Trojës, i dyti ditën e kthimit në atdhe, pasi Troja u bë shkrumb e hi. Ai është flijuesi i vajzës së tij, Ifigjenesë, për hir të shtrimit të erërave, që pengonin anijet greke të niseshin për në Trojë. Gjakatar, i harbuar në guximin dhe në ambicien e tij, për grekët ai ishte një lloj Zeusi; për trojanët: armik i tmerrshëm. Por ai arrin t’i befasojë dhe t’i mallëngjejë lexuesit me atë që e priste në Greqi, pas dhjetë vjet sulmesh në muret e Trojës dhe rrënimit të kësaj të fundit. Me mënyrën e pabesë se si u qëllua nga e shoqja, ai shokon popullin e Argosit dhe njerëzimin mbarë.
Karakteri i Agamemnonit ngërthen shumë aspekte. A është ai më shumë një njeri i virtytshëm dhe ambicioz apo mizor dhe fajtor për vrasjen e vajzës së vet? Etja për luftë dhe shpirti plot trazim, i japin një karakter dualist personazhit të tij. Ne e pëlqejmë prapëseprapë. Por ambicia dhe guximi, apo më saktë, teprimi i këtyre të dyjave përbën mëkatin e Agamemnonit, dhe atë të cilën, në mënyrë të pashmangshme, ai do ta paguajë me jetën e vet.
Ne e shohim Agamemnonin të spikatë edhe në këto momente:
• Në Aulidë ku u tubuan mbi njëmijë anije dhe qindra mijëra njerëz të gatshëm që të nisen për në Trojë e shohim atë kryekomandant. Troja prej së largu, përtej vënies në vend të nderit të cenuar prej rrëmbimit të Helenës, premtonte gjithashtu: famën dhe plaçkën.
Ja, Aulida. Qëndrojmë pak çaste këtu. Ushtarëve grekë u është sosur durimi, një mall për shtëpinë u është çuar peshë ende pa u nisur për në Trojë. Lodhja e nervozizmi nga vonimi i nisjes për pak do të shkaktojnë braktisjen e fushatës. Anijet sapo gatiten për të nisur udhëtimin, kthehen prapë mbrapsht. Në vend që erërat të qetësohen, ato rrahin më egër. Ulje velash, litarë që përplasen, direkë që bëhen copë, anije të shkalafitura andej-këndej, gjëmim dallgësh-një tablo sfilitëse dhe shtypëse. Duket se kurrë s’ka për t’u nisur ekspedita kundër Trojës. Ushtarët i ka kapur mërzia. Pas erërave ulëritëse është zemërimi ulëritës i Artemisit; është ajo që tërbon stuhitë për shkak të fyerjes që Agamemnoni i ka bërë dikur: vrasjen e njërit prej drerëve të saj të dashur. Në këmbim të qetësimit të erërave, perëndesha Artemis kërkon diçka të padurueshme, një fli: gjakun e vajzës së Agamemnonit, Ifigjenisë së virgjër, kështu e përkthen falltari Kalkant situatën.
Në mëdyshje, pikëllueshëm, Agamemnoni pranon fjalët e falltarit që këshillonte flijimin e së bijës.
Ky akt bëhet edhe më rrëqethës kur Agamemnoni bind Klitemnestrën për të dërguar Ifigjeninë në Aulidë duke e mashtruar se qëllimi i vizitës së vajzës ishte që të martohej me Akilin:
Agamemnoni u bëri shenjë shërbëtorëve ta sjellin / si një kece me një vel mbështjellë / që me kokën ulur pranë tokës / dëshpërueshëm tek altari e çojnë.
Sipas versionit të Eskilit, ajo e ka gojën të lidhur me një rrip që të mos mund të mallkojë të vetët: fre memec, brutal mbi gojë të vajzës. Po kur veli ngjyrë shafrani shkau/ sytë e saj/ secilin prej xhelatëve/ deshën të plagosnin me mëshirë.
Pas flijimit të Ifigjenisë, vështirësive dhe andrallave të një udhëtimi të gjatë e të rrezikshëm, anijet mbërrijnë më në fund në Trojë.
Agamemnoni ngriti një kamp të fortifikuar nga i cili sado që në mënyrë të pareshtur ndërmerreshin sulme kundër Trojës për plot dhjetë vjet, muret e qytetit nuk binin.
Në fillim të vitit të dhjetë të luftës, në ushtrinë akease, shpërtheu keq pakënaqësia, e cila kishte kohë që vlonte. Kur lodhja arriti kulmin, kulmoi dhe grindja për një skllave mes Agamemnonit dhe Akilit, luftëtarit më të suksesshëm akeas, udhëheqësit të mirmidonëve konflikti që përshkruhet në Iliadë. Ne shohim një Agamemnon kokëfortë dhe zemërak. Por më pas, me zemër të hidhëruar, sado i mbërthyer keq nga inati i vet, kur pa dëmet në ushtrinë akease, që vinin prej kokëfortësisë së tij, lëshoi pe.
Ne e shohim atë përsëri natën kur udhëheq një grup burrash që dalin nga ijët e kalit të drunjtë. Kur Sinoni i jep shenjën e paracaktuar, Agamemnoni, nëpër zgavrën e murit vërsulet në qytet.
Ai dogji Trojën, rrafshoi tempujt. I gjithë qyteti dhe qytetërimi i Trojës u mbytën në gjumë. Në mëngjes vetëm grumbujt e gërmadhave dhe hiri i ngrohtë kishin mbetur nga qyteti i famshëm.
Në skenën e hapjes së Agamemnonit tek Orestia, ndërsa ky po kthehet në atdhe, kori e përshkruan atë si një luftëtar të madh dhe trim, i cili shkatërroi një ushtri të fuqishme dhe qytetin e Trojës. Megjithatë, pas lavdërimeve, kori rrëfen se për të ndryshuar erërat në mënyrë që flota greke të nisej për në Trojë, Agamemnoni ka sakrifikuar vajzën, Ifigjeninë. Sapo është hedhur problemi thelbësor i karakterit të tij.
Veçse sakrifica e Ifigjenisë është një çështje e ndërlikuar. Agamemnoni është përgjegjës për gjakun që ka derdhur. Nxitjet e çmendura të ambicies duhet të kenë qenë faktor vendimtar në flijim.
Kori paraqet Agamemnonin si një njeri i cili u përball me dilemën për të vrarë apo jo të bijën për të mirën e shtetit. Edhe pse na tregohet akti i tij ndaj Ifigjenisë, jepen dhe njohuri mbi dilemën morale të Agamemnonit në fillim të dramës, dhe këndvështrimi i tij mbi ngjarjen është përshkruar me brengë: të dy Atridët tek dëgjuan / tokës si të marrë me shkop i ranë/lotët nëpër sy s’i mbajtën dot. Eskili jep konfliktin e tij të brendshëm në fjalët që thotë: Fat të zi do kem n’u rebelofsha / kundër profecisë, por i egër / gjithashtu është ky flijim i vajzës. Fjala e Agamemnonit kuptohet kështu: nëse ai nuk do t’i bindej urdhrit të perëndeshës Artemis, ajo do të kishte çuar ushtrinë e tij në shkatërrim të plotë.
Me gjithë portretin që paraqet kori, nuk shkon shumë gjatë dhe ne e shohim Agamemnonin që kthehet fitimtar nga Troja: ai me krenari e paraqet Kasandrën, dashnoren, para gruas së tij dhe korit. Agamemnoni në këtë çast është paraqitur si një njeri arrogant dhe me mungesë respekti për gruan, (për tradhtinë e së cilës nuk di gjë).
Agamemnoni paraqet një tjetër krisje të virtyteve të veta gjatë dialogut me të shoqen. Edhe pse ai fillimisht nuk pranon që të hedhë hapin mbi qilimin e purpurt që Klitemnestra kish shtruar për nder të tij (sepse ka frikë të përshëndetet si një zot), kur ajo me dinakëri e kandis që kundër parimevetë tij të ecë mbi qilim, ai manipulohet. Kjo është parë si një skenë kyç nëlojë, si një shenjë tjetër se mbreti vuan nga arroganca.
…
Si sundimtar i krejt Argosit dhe bashkëshort i Klitemnestrës mashtruese, me cilësitë që mbart, Agamemnoni është një karakter i ndërlikuar; duke bartur tipare si këto, ai është një arketip që u përket të gjitha shoqërive dhe si i tillë, bën jetën e tij në art në çdo kohë që bëhet art. U shtojmë të gjitha këtyre faktin se vritet në mënyrë makabre nga një grua, që është dhe gruaja e vet; i vrarë kështu, ai jeton në letërsi: nga miti tek Homeri, nga Homeri tek Eskili dhe nga Eskili përshkon të gjitha kohërat në të cilat u shkrua letërsi.
Vjola Isufaj, eshte Profesore e letersise bashkekohore ne Fakultetin Filologjik, dega Gjuhe-Letersi
Ka botuar një numër të madh artikujsh shkencorë, ka kumtuar në disa konferenca shkencore kombëtare e ndërkombëtare si dhe ka botuar librat në prozë.