Nga Kevin Haxhiu*
Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912 një vitë më vonë në vitin 1913 në Konferencën e Ambasadorëve në Londër Fuqitë e Mëdha vendosën copëtimin e territorit të Shqipërisë në favor të vëndeve fqinje. Në vitin 1915 Traktati i fshehtë i Londrës vendosi që territori i Shqipërisë të copëtohej edhe më shumë se në vitin 1913. Në vitin 1918 në Konferencën e Paqes në Paris nga Fuqitë e Mëdha (Blloku i Antantës-fitues të luftës) dhe vëndet fqinje kërkuan që Traktati i Fshehtë i Londrës i vitit 1915 të zbatohej.
Delegacioni i dërguar nga qeveria e Durrësit nuk po e përfaqësonte aspak si duhej Shqipërinë duke mos i dhënë asnjë zgjidhje këtij problemi të madh. Gjatë gjithë kësaj kohe Shqipëria ishte në kaos dhe rreziku për copëtimin e saj ende vazhdonte. Ndaj patriotët shqiptarë të gjendur në këto rrethana vendosën që në Shqipëri të mbahej një tjetër Mbledhje Kombëtare që të mbronte Pavarësinë e Shqipërisë dhe territorin e saj.
Në muajin nëntor të vitit 1919 u mblodh organizata nacionaliste “Krahu Kombëtarë” në shtëpinë e ish Prefektit të Durrësit Abdyl Ypi. Në këtë takim merrnin pjesë patriotë shqiptarë të cilët diskutuan për mbledhjen e një kongresi kombëtarë pasi rreziku për copëtimin e Shqipërisë ishte i madh.
Në këtë takim u vendos që t’i bëhej një thirrje Parisë së Lushnjes pasi në qytete të tjera ishin bërë përpjekje por nuk arritën dot të organizonin mbajtjen e një kongresi. Ata iu drejtuan patriotit Sheh Ibrahim Karbunara dhe në 31 dhjetor 1919 patriotë lushnjarë që i përkisnin parisë së qytetit të Lushnjes u mblodhën në Teqenë e Karbunarës. Atje u ngrit edhe Komisioni Nismëtarë me 28 anëtarë për Thirrjen dhe Organizimin e Kongresit. Anëtarët e Komisionit Nismëtarë për Thirrjen dhe Organizimin e Kongresit të Lushnjes ishin: Besim Nuri, Ferit Vokopola, Nebi Sefa, Qemal Mullaji, Eshref Frashëri, Sheh Ibrahim Karbunara, Abedin Nepravishta, Bajram Haxhiu, Taullah Sinani, Llazar Bozo, Emin Vokopola, Zija Mullaji, Mustafa Vokopola, Jonuz Sefa, Skender Pojani, Kadri Jenisheri, Teki Libohova, Filip Papajani, Jakov Bozo, Andrea Papaj, Qerim Arapi, Rasim Hoxha, Arif Kurti, Abdyl Aziz, Muntar Luarasi, Hamit Xheka, Reshat (Hysni) Shazivari, Hasan Islami Like. Komisioni Nismëtarë nisi ftesa me objekt që çdo krahinë e Shqipërisë të zgjidhte delegatët e saj që do ti përfaqësonin në Kongres. Komisioni gjithashtu përgatiti organizimin e mbledhjes, krijimin e kushteve për delegatët gjatë kohës që do të qëndronin në Lushnje, organizmin e forcave vullnetare për të mbrojtur dhe siguruar qetësinë gjatë kohës që do të mbahej mbledhja. Kongresi u mblodh në Lushnje në shtëpinë e Kaso Fugës në 21-31 Janar 1920. Në Kongres morën pjesë 56 delegatë ku gjithësecili përfaqësonte krahinën prej nga ishte zgjedhur. Delegatët në Kongresin Kombëtarë të Lushnjes janë: -Prefektura Durrës: Abdi Toptani, Irfan Ohri, Mytesim Këlliçi, Rexhep Jella, Shezivar Alltuni, Xhaferr Ypi. -Malësia e Gjakovës: Hasan Batusha, Xhemal Beg Bushati. -Prefektura Dibër: Ahmet Zogu, Dine Dema, Dine Nasuh Maqellara, Ramiz Daçi. -Prefektura Shkodër: Ejup Sabri Bushati, Hoxha Kadri, Mati Logoreci, Ndoc Çoba, Rexhep Shala, Xhemal Naibi. -Prefektura Elbasan: Aqif Pashë Elbasani, Adem Gjinishi, Asllan Shahini, Filip Papajani, Kasem Sejdini, Qazim Dyrmishi, Sali Ceka. -Prefektura Korçë: Beqir Rusi, Eshref Frashëri, Ferid Frashëri, Gjokë Ndini Gusho, Idhomen Kosturi, Koço Kota, Sali Butka, Selaudin Blloshmi. -Prefektura Berat: Bektash Cakrani, Hysen Nikolica, Iliaz Vrioni, Kamber Belishova, Llambi Goxhomani, Llazar Bozo, Spiro Papa, Sheh Ibrahim Karbunara. -Prefektura Vlorë: Dhimitër Qypi, Myqerem Hamzaraj, Qazim Kokoshi, Ymer Ali Radhima. -Prefektura Gjirokastër: Ali Këlcyra, Ali Kumbaro, Arshi Shehu, Dervish Seit Grosha, Kasem Radovicka, Kiço Koçi, Rasim Babameto, Shezai Çomo, Spiro Kosova, Veli Harshova. -Diaspora: Sotir Peçi.
Kongresi i Lushnjes vendosi që nuk do të pranonte asnjë vendim për copëtimin e Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha në favor të vëndeve fqinje dhe u shpreh për pavarësinë e plotë të Shqipërisë. Kongresi rrëzoi qeverinë ‘italiane’ të Turhan Pashë Përmetit dhe delegacionin e dërguar prej saj në Konferencën e Paqes në Paris pasi nuk po e kryenin funksionin për të cilin ishin zgjedhur në dhjetor 1918 në Kongresin e Durrësit. Në kongres u zgjodh një qeveri e re me Kryeministër Sulejman Delvinën, zëvëndëskryeministër dhe Drejtor i Përgjithshëm i Punëve Botërore Eshref Frasheri, ministër i punëve të brëndshme Ahmet Zogu, ministër i punëve të jashtëm Mehmet Konica, ministër i financave Ndoc Çoba, ministër i drejtësisë Hoxha Kadri, ministër i luftës Ali Riza Kolonja, ministër i Arsimit Sotir Peçi, Drejtor i Përgjithshëm i Post-Telegrafit Idhomen Kosturi. Kongresi zgjodhi dhe delegacionin e ri shqiptarë pranë Konferencës së Paqes në Parisë me anëtarë: Imzot Luigj Bumci, Mehmet Konica, Mihal Turtulli.
Kongresi zgjodhi në krye të shtetit një organ kolegjial Këshillin e Lartë (Regjenca) në të cilin bënin pjesë Aqif Pashë Elbasani, Mihal Turtulli, Imzot Luigj Bumçi dhe Abdi Toptani. Në Kongresin e Lushnjes u zgjodh edhe Senati me 37 senatorë që do të kryente funksionin legjislativ. Kongresi i Lushnjes miratoi aktin kushtetues “Bazat e Kanunores së Këshillit të Lartë” (Statuti i Lushnjes) me 6 nene dhe në të cilën sanksionohej sovraniteti i plotë i shtetit shqiptarë dhe kjo bazohej edhe në të gjitha vendimet që u miratuan në kongres. Forma qeverisëse që sanksionohej në Statutin e Lushnjes ishte Monarkia por që vëndin e saj e zuri Këshilli i Lartë deri në ardhjen e mbretit në fron. Senati dhe “Bazat e Kanunores së Këshillës së Lartë” përfaqësojnë i pari Parlamentin dhe e dyta Kushtetutën e Parë Shqiptare sepse u zgjodhën e u miratuan nga një kuvend kombëtarë (Kongresi i Lushnjes) që përfaqësonte vullnetin e popullit shqiptarë.
Pas përfundimit të punimeve të Kongresit në 31 janar 1920 Ministri i Punëve të Brëndshme Ahmet Zogu u dërgoi çdo prefekture një qarkore me anë të së cilës populli njihej me vendimet që ishin marrë në Kongresin Kombëtarë të Lushnjes. Qeveria e Durrësit e cila kishte përkrah saj italianët bëri përpjekje për të mos e njohur Kongresin e Lushnjes dhe vendimet e tij. Gjithashtu u përgatit për të sulmuar organet e reja të zgjedhura në Kongresin e Lushnjes.
Nisur nga kjo gjëndje disa prej delgatëve mendonin të qëndronin edhe për disa ditë në Lushnje deri sa të qetësohej gjëndja por në këto rrethana tepër i gatshëm dhe i guximshëm për të vendosur organet e reja në Durrës ishte Ministri i Punëve të Brëndshme Ahmet Zogu i cili edhe kur erdhi si delegatë në Lushnje garantoi sigurinë për mbledhjen kombëtare me forcat e tij. Ahmet Zogu kryesoi udhëtimin për në kryeqytetin e Shqipërisë Durrës por kur u njoh me rezistencën e italianëve që ishin atje, Zogu për të shmangur përplasjen vendosi me zgjuarsi dhe maturi që përkohësisht organet e reja qeverisëse ti vendoste në Tiranë sepse kryesore në atë kohë ishte të fillonin punën institucionet.
Më 11 shkurt 1920 institucionet e zgjedhura në Kongresin e Lushnjes hynë në Tiranë ku patën një pritje madhështore nga populli dhe Tirana “de facto” u bë kryeqytet i përkohëshëm i Shqipërisë. Shqipëria që prej kohësh ishte e pushtuar dhe në rrezik nga planet grabitqare të fuqive të mëdha për ta coptuar edhe më shumë territorin e saj, tashmë nga vendimet që u morën në Kongresin e Lushnjes do të ishte e lirë dhe me institucionet e saj sovrane, të ligjshme dhe demokratike.
* KEVIN HAXHIU – Stërnip i Nismëtarit të Kongresit të Lushnjes, Patriotit Bajram Haxhiu.