Me rastin e miratimit të Marrëveshjes Bazë ndërmjet Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse serbe , kohë më parë nga ana e Qeverisë së Malit të Zi, subjektet politike shqiptare dhe përfaqësuesit e tyre politik, kryesisht u rreshtuan në dy taborre, : disa pro Marrëveshjes dhe disa kundër, mvarësisht interesave të tyre partiake dhe politike të momentit.Konkretisht ky rreshtim i tyre u bë edhe sipas vijave (të kundërta) të dy krerëve shtetëror në Mal të Zi, atij të kryeministrit aktual Dritan Abazoviq si nënshkrues e kësaj Marrëveshje dhe atij të presidentit aktual të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, kundërshtues i kësaj Marrëveshjeje.
Por, për çudi askush nga përfaqësuesit politik shqiptar dhe subjektet e tyre politike nuk reaguan dhe nuk morën qendrim nga aspekti i interesit kombëtar të shqiptarëve në këtë shtet.
Millo Gjukanoviq dhe Dritan Abazoviq, sipas pozitës që ata mbajnë,mbrojnë dhe këqyrin interesin shtetëror të Malit të Zi, kurse ata që janë zgjedhur të përfaqësojnë interesat e shqiptarëve , pra do të duhej të kqyrnin interesin e popullit të tyre në këtë shtet.
Rikujtojmë lexuesit se trevat shqiptare kanë qenë gjithëmonë në shenjestër të Kishës Ortodokse serbe si pjesë strategjisë së tyre për uzurpimin dhe përvetësimin e monumenteve të historisë dhe të kulturës kombëtare të shqiptarëve.
Gjatë tre dekadave të fundit jemi dëshmitarë të disa tentimeve të tilla uzurpimi dhe për këtë më së miri flasin rastet e qytetit të lashtë të Shasit, në malin e Rumisë ,në Ostros të Krajës ,në Martinaj të Gucisë e gjetiu, raste këto të cilat kanë nxitur disa herë protesta kundër politikës së tyre uzurpuese nga ana e popullsisë shqiptare të këtyre vendbanimeve.
Është fakt i njohur tashmë dhe i pamohueshëm se KOS-i ka qenë gjithëmonë frymëzim i ultra nacionalizmit serb dhe si dorë e zgjatur e regjimeve të Serbisë, pra vazhdimisht i ka shërbyer politikës ekspanizioniste serbomadhe.
Pasojat e përgjakëshme të veprimeve të KOS-it i kemi parë me rastin e luftrave të fundit në ish-Jugosllavi gjatë viteve “90-ta kur klerikët e tyre ishin frymëzuesit kryesorë të politikës luftënxitëse të Serbisë ndaj rebublikave të tjera të ish Jugosllavisë, posaçërisht kundër shqiptarëve.
Mendoj se është naivitet të besohet se KOS-i ,ka ndryshuar ,është distancuar apo ka hequr dorë nga politika e saj e së kaluarës.
Përkundrazi ajo është gjithënjë prezente dhe me ndikim në politikëbërjen e Serbisë dhe të Malit të Zi.
Beogradi zyrtar sot ,kinëse në emër të mbrojtjes së drejtave dhe “trashigimisë fetare” të serbëve jashtë Serbisë,e len të lirë të veprojë këte Kishë , pasojat destruktive të së cilës vërehen më së miri në Kosovë dhe tani po vërehen edhe në Mal të Zi.
Shqiptarët nuk mund të jenë avokat i çështjeve dhe konflikteve religjioze të sllavëve të cilët datojnë shekuj më radhë, pra (mos)Marrëveshjet fetare në mes sllavëve nuk janë çështje që iu takon shqiptarëve që ti zgjidhin,por ata duhet të përqendrohen dhe të sigurohen që asnjë marrëveshje në mes tyre duke përfshirë edhe Marrëveshjen e fundit në mes KOS-it dhe Qeverisë së Malit të Zi ,mos të cenojnë të drejtat dhe qënien etnike të shqiptarëve në këtë shtet.
Me rastin e miratimit të Marrëveshjes në fjalë, e shoh të rëndësishme të ngrihen disa pyetje:
-A siguron Marrëveshja në fjalë e miratuar nga Qeveria e Malit të Zi, heqjen e objektit fetar në Rumi të vendosor në mënyrë ilegale dhe antiligjore në vitin 2006 nga ana e Kishës Ortodokse të Serbisë?,
-A garanton Marrëveshja në fjalë ndalimin e ekspeditave tendencioze dhe mbajtjen e liturgjive të klerikëve të KOS-it ,që kohë pas kohe ata i bëjnë monumenteve të caktuara të trashigimisë kulturore dhe historike në trevat autoktone të shqiptarëve të cilët i zotërojnë ato monumente shumë shekuj para ardhjes së sllavëve në këtë rajon?;
-A siguron Marrëveshja në fjalë ndaljen e pretendimeve për tjetërsimin, përvetësimin dhe sllavizimin e monumenteve të kulturës shqiptare nga ana e Kishës Ortodokse serbe ?, etj.
Teksti i Marrëveshjes Bazë i nënshkruar nga Qeveria e Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse serbe me 8 Korrik 2022 , me gjuhën e saj të ambiguitetit jo vetëm që nuk u jep përgjigje pyetjeve të parashtruara më lart por njëkohësisht ajo nuk adreson dhe nuk sqaron pasojat negative që implementimi i kësaj Marrëveshjeje mund të kenë në raport me etninë shqiptare në Mal të Zi dhe me munumentet e trashigimisë së tyre kulturore dhe historike.
Prandaj, duke pasur parasysh çfarë u tha më lart, Marrëveshja Bazë në mes Qeverisë së Malit të Zi dhe KOS-it, duhet të konsiderohet si një marrëveshje e cila dëmton interesat kombëtare të shqiptarëve dhe si e tillë duhet të kundërshtohet unanimisht dhe fuqimisht nga gjithë faktori politik shqiptar në Mal të Zi.
Xheladin Zeneli
Korrik 2022