Poet i madh kombëtar, mendimtar, edukator, mësues dhe ndërgjegje e kombit, këngëtar i madh i lirisë së atdheut dhe i njeriut, titan i atdhedashurisë.
Nga Shefqet Saliu
Naim Frashëri, poeti më i madh i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, atdhetar, mendimtar dhe veprimtar i shquar i arsimit e i kulturës shqiptare, ndërgjegjja e kombit, ishte dhe mbetet figurë qendrore e letërsisë shqipe. Vepra poetike e Naimit vuri bazat e letërsisë dhe luajti rol të rëndësishëm në zgjimin e vetëdijes kombëtare. Ai i këndoi mallit e dashurisë për atdhe, krenarisë dhe të kaluarës së lavdishme të shqiptarëve.
Ajo që të magjeps te ky poet është madhështia morale e natyrës së tij; ajo që të bën ta duash veprën e tij përgjithmonë është prania e njeriut, e humanistit në secilin varg e fjali të shkruar. Ajo që të bën të kesh respekt të pakrahasueshëm ndaj profilit të tij njerëzor dhe krijues, është gatishmëria për t’u flijuar për të mirën e njeriut, për përparimin dhe atdheun.
Naim Frashëri mbetet në ballë të letërsisë sonë kombëtare. Këtë rol e dëshmon misioni i lartë që ka kryer në çastet më vendimtare të historisë sonë moderne dhe ndikimi i madh që ka ushtruar mbi krijuesit e rinj dhe mbi gjithë kulturën kombëtare.
Naim Frashëri është artist dhe humanist. Është njeri i shkrirë si qiriu në punë për të mirën e shqiptarëve. Në shumë sfera të krijimtarisë shpirtërore, ai është i pari. Akti i jetës dhe i veprës së tij janë një. Ai është njëkohësisht themelues i letërsisë moderne të një populli, themelues i gjuhës së tij letrare, mendimtar, iluminist e mësues i tij, që orvatet të gjejë rrugët e përparimit të kombit. Naimi sintetizon mbarë përpjekjet historike të popullit tonë. Veprimtaria e tij letrare është në pajtim të plotë me atmosferën e përgjithshme shoqërore.
Ndikimi i tij mbi ndërgjegjen e njerëzve është i paçmuar. Si krijues, deri sot ai është ndër kryesorët, në mos kryesori, që hyri edhe në historinë e mendimtarëve tanë, edhe në historinë e letërsisë. S’ka dyshim se Naimi është poet origjinal e iluminist i vetëdijshëm, duke shtuar kështu edhe rëndësinë e rolit të tij në histori.
Pikërisht në momentin më të nevojshëm, ai shfaqet si një fuqi që vë në lëvizje ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve, pothuajse të shkërmoqur prej qenies së tyre kombëtare. Ai shfaqet si sintezë e fjalës së shkruar dhe e orvatjeve praktike në frymën e Lidhjes së Prizrenit. Është e sigurt se në letërsinë tonë kurrë nuk janë bashkuar kaq bukur idealisht mendja e qartë dhe ndjenja e flaktë, etika dhe vetëdija e zgjuar, dëshira e pashuar dhe durimi vetëmohues, vullneti i çeliktë dhe gatishmëria e sakrifikimit. Kurrë një poet s’është nisur aq vetëdijshëm rrugës së vetëmohimit për hir të një qëllimi të shenjtë, si te “Fjalët e Qiririt”.
I sëmurë prej tuberkulozit, i sëmurë edhe në laring, Naimi nuk mori frymëzime prej fatkeqësive subjektive, por prej fatkeqësisë kombëtare. Me fuqinë e moralit dhe të ndërgjegjes së vet, ai e tejkaloi individualizmin për hir të një kauze më të lartë. Zëri i Naimit si poet, si vizionar, si humanist, kishte marrë dhenë.
Kudo që jetoi, me mend dhe me zemër ishte përherë në atdheun e tij. Ai shkroi për bashkatdhetarët e paarsimuar, për vendin pa shkolla, pa kulturë, pa ekonomi, pa të drejta fjale e pune të lirë. Poezia e tij synoi ndryshimin e kësaj gjendjeje me iluminizëm, ndaj u mbrujt me didaktizëm dhe moralizime.
Në kohën kur populli duhej të përgatitej shpirtërisht për ndryshimet që duheshin të bëheshin dhe për rezistencën e armatosur kundër pushtuesit të huaj, ai me filozofinë e tij do të zgjonte popullin shqiptar. Hapi i parë i tij ishte forcimi i vetëdijes kombëtare dhe i ndjenjës liridashëse, i krenarisë për të kaluarën e lavdishme, njohja e virtytit dhe qenies kombëtare; hapi i dytë ishte arsimi; hapi i tretë ishte zbutja e mospajtimeve fetare dhe ngritja e çështjes kombëtare përmbi besimet fetare.
Perëndia te Naimi është diçka që ka të bëjë më tepër me ndjenjën. Perëndia që ai përmend, nganjëherë është krijesë e nganjëherë prani në vetë natyrën, ligj i përgjithshëm i gjithësisë. Zoti i duhet poetit të predikojë unitetin e bashkëvendësve të tij, të përsosë moralisht njeriun dhe ta bëjë të dojë tjetrin, pavarësisht prej fesë. Në realitet, kjo është një formë e patriotizmit të tij dhe, për atë kohë, mjaft e efektshme: “Bes’ është Perëndija për gjithë Shqiptarët”.
Në shpjegimin e dukurive të ndryshme të natyrës, të shumë problemeve astronomike, antropologjike, filozofike, historike, ekonomike e të tjera, ai afirmon shkencën, njësoj si iluministët francezë, që të tregojë se vetëm ajo e shpie shoqërinë përpara. Këtë e provon edhe me mohimin që i bën spiritualizmit të Senekës dhe me përkrahjen që i jep metodës shkencore racionale të Dekartit.
Naim Frashëri mban një qëndrim origjinal ndaj gjuhës. Vëren se gjuha, përveçse është element thelbësor i kombit dhe mjet i komunikimit dhe i afirmimit të njerëzve, është edhe mjeti më i sigurt i mosasimilimit, i përhapjes së diturive, arsimit e i kulturës së një populli. Këto funksione mund t’i kryejë si duhet vetëm gjuha amtare, sepse esencën e mendimit njeriu e shpreh dhe e merr nëpërmjet saj. Naimi shkruan: “E par’ e gjithë mbrothësivet, që i duhen një kombi, është gjuh’ e Mëmëdheut. Se nga gjuhët e huaja s’mund të marrë njeriu kurrë dritat’ e diturive si duhen… Gjuha e bashkon kombin, e ndriton, e nxjerr nga errësira, shpirtin’ e mendjen e lartëson, vetdijat’ i zbukuron, e lulëzon, vëllazërin’ e shton dhe miqësinë e shumëzon”.
Poeti i kombit shqiptar thotë se zbulimi i së vërtetës nuk është punë e lehtë, por, në anën tjetër, jep të kuptohet se kjo arrihet me fuqinë e mendjes. “Kur të jesh i zemëruar, mëndja ësht’ e turbulluar”.
Nuk ka vepër, në prozë e as në poezi, në të cilën nuk e ka theksuar sa e sa herë rolin e punës dhe të vullnetit të njeriut në përparimin dhe mirëqenien e bashkësisë njerëzore. Sipas tij, rruga jetësore e njeriut nuk është e lehtë dhe obligimet morale që duhet të ndërmarrë ia lehtësojnë ecjen nëpër të, sepse qëllimi krijon vullnetin.
Në mësimet naimiane, të shpërndara në të gjithë veprat e tij, rol me rëndësi i kushtohet ndërgjegjes së njeriut, mbi të cilën ngriti ndërtesën e moralit dhe të humanizmit të vet. Ai shkruan: “Njerin’ e lik e shajnë njerëzija e kurrëkush s’e ka mik, e qërton vetëdija e s’e le në prehje, edhe frika s’i del kurrë”. Ai kërkon që njeriu “të përpiqet për këtë jetë sa të rronj’ e sa të jetë”.
Naimi predikon optimizmin e shpresën, ndonëse intimisht është i vetëdijshëm se “jeta ësht’ e përzjerë me gas e me helm”, e mbase me më shumë helm sesa gaz. Ai ndjen dhe beson se e ardhmja do të sjellë ndryshime rrënjësore në arenën e historisë së shqiptarëve dhe do ta përsosë njeriun, ta pajisë me të gjitha virtytet.
Në pajtim me frymën e ideve moderne europiane, Naimi kërkon që gruas t’i pranohet roli shoqëror ashtu siç e meriton. Së këndejmi shkruan: “Gruaja duhet të jet’ e mësuarë më shumë nga burri, se fëmija së pari nga mëma e marrënë arsimin dhe mësimet (…) Gruaja është mëmë e fëmijës, zonj’ e shtëpisë dhe krej’ i njerëzisë”.
Naim Frashëri është me të vërtetë njeri ideal: liridashës, patriot, i vetëdijshëm, i ndërgjegjshëm, i moralshëm, bamirës, vetëmohues, i ngritur e, mbi të gjitha, zelltar i madh; ai është një sintezë e virtyteve.
Naim Frashëri u lind në Frashër. Në vendlindje, në Teqenë e Frashërit, mori mësimet e para dhe nisi të mësonte turqisht, arabisht dhe persisht. Më pas ndoqi gjimnazin “Zosimea” në Janinë, ku mësoi edhe greqishten e lashtë e modernen, frëngjisht dhe italisht, ndërsa privatisht persisht dhe turqisht. Në atë periudhë filloi të tregojë interes për bektashizmin, poezinë persiane dhe epokën e iluminizmit.
Më 1871 shkoi në Stamboll, ku qëndroi vetëm tetë muaj, sepse dhimbja e kraharorit e detyroi të kthehej në Janinë dhe në vendlindje. Në vitet 1874-1876 punoi si drejtor dogane në Sarandë, ku mbolli palmën e parë në Shqipëri. Sëmundja e kraharorit dhe dhembjet në gjunjë nga reumatizma e detyruan të kurohej gjashtë muaj në banjat e Badenit në Perandorinë Austro-Hungareze dhe më 1878 punoi tetë muaj si drejtor të dhjetash në Berat. Ndërsa më 1882 kthehet në Stamboll, ku punoi në fillim në detyrën e anëtarit e pastaj të kryetarit të Komisionit të Inspektimit e Kontrollit dhe më vonë, të kryetarit të Këshillit të Lartë të Arsimit dhe të zëvendësministrit të Arsimit.
Në vitin 1879, së bashku me vëllain e tij, Samiun, dhe 25 shqiptarë të tjerë, ishte ndër themeluesit dhe anëtarët e Shoqatës për Publikimin e Shkrimeve Shqiptare në Stamboll, shoqatë që promovoi botimet në gjuhën shqipe. Autoritetet osmane i ndalojnë shkrimet në gjuhën shqipe dhe botimet shqip jashtë vendit, prandaj Naimi përdori inicialet N.H.F. për veprat e tij dhe në prill të vitit 1881 nisi të luajë një rol të rëndësishëm në veprimtarinë kombëtare të shqiptarëve. Ai mori pjesë në punën e Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare dhe të Shoqërisë së të Shtypurit të Shkronjave Shqip.
Talenti i tij dhe arsimimi që mori në Janinë hodhën tek ai bazat e një intelektuali të shquar të kulturës perëndimore dhe asaj orientale. Naim Frashëri është autor i 22 veprave: katër në gjuhën turke, një në persisht, dy në greqisht dhe pesëmbëdhjetë në gjuhën shqipe. Më 14 gusht 1882 nënshkroi lejen për botimin e “Gramatikës”së Kristoforidhit.
Në vitin 1884 doli revista shqiptare “Drita”, nën redaktimin e Petro Pogës dhe më vonë të Pandeli Sotirit, me Naim Frashërin që qëndronte pas saj. Për shkak të mungesës së materialit arsimor, ai, vëllai i tij, Samiu, dhe disa shqiptarë të tjerë shkruan tekste shkollore në gjuhën shqipe gjatë fundit të viteve 1880 për shkollën shqipe në Korçë. Nëpërmjet shkrimeve të tij ai ushtroi një ndikim të fortë në letërsinë dhe shoqërinë e mëvonshme shqiptare. Këtë ndikim në letërsinë shqiptare ai e ushtroi gjatë gjithë jetës me botimin e veprave të tij.
Bashkë me të vëllain, Samiun, ata ishin tejet të interesuar për risimet filologjike. Vepra e parë e Naimit ishte përpilimi i një gramatike të gjuhës perse, “Rregullat e persishtes sipas metodës së re” më 1871, nënshkruar Mehmet Naim, nëpunës i Drejtorisë së Shtypit.
I përfshirë nga adhurimi e kultura perse, shkroi dhe botoi qindra vargje në persisht, duke ndjekur traditën e asaj letërsie dhe të poetëve të parapëlqyer. Më 1884 botoi vëllimin me poezi prozaike, “Katër stinët” (osmanisht nënshkruar Fusuli Erbea). Më tej shkroi dhe botoi më 1885 vëllimin poetik “Ëndërrimet” (persisht: Tehajjulat). Sipas një studimi të Abdullah Rexhepit, me shumë gjasë Naimi kishte lexuar edhe “Rubairat”, duke qenë se gjen gjurmë të botëkuptimeve dhe ndikime të veprave të tij në oazin naimian.
Më 1886-ën, Naim Frashëri botoi poemën e tij të famshme “Bagëti e Bujqësi”, poemën në greqisht “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve” (O alithis pothos ton Alvanon) dhe katër libra për shkollat: “Vjersha për mësonjtoret e para”, “E këndimit të çunavet këndonjëtoreja” (në dy vëllime, me poezi, lexime të ndryshme, njohuri të para shkencore humanitare), si dhe një “Histori të përgjithshme”. Më 1888 vijoi me “Dituritë” (ribotuar më 1895 me titullin “Gjithësia”, shkenca të natyrës) dhe më 1890 doli përmbledhja e lirikave “Lulet e Verës”. Më pas, “Mësimet” (proza patriotike dhe të moralit) dhe “Fjala Flutarake” (vjersha) më 1894, së fundi, më 1898, poemën e madhe epike “Historia e Skënderbeut”.
Naim Frashëri është shkrimtari më përfaqësues në gjuhën shqipe i misticizmit islam, bektashizmit, me veprat “Fletore e Bektashinjet” dhe “Qerbelaja”.
Ndikimi i Naim Frashërit gjatë jetës dhe pas vdekjes ishte i madh, jo vetëm te shkrimtarët shqiptarë të kohës, por edhe të periudhës së mëvonshme. Ribotimet e veprave të tij janë të shumta, përveç tyre janë bërë edhe disa botime kritike shkencore të veprave të Naimit.
Sevasti Qiriazi: Atdhetare dhe nismëtarja e parë për organizimin e arsimit shqiptar për vajzat: “I ndjeri vëlla më merr dhe më çon në një tok njerëzish, që po na prisnin. …Një njeri me shtat të mesëm dhe i imët, fytyrë fort të qetë dhe të përbashkuar me ato sentimenta të larta, të cilat vetëm një vjershëtor i lindur mund t’i ketë. Sytë e tij plot zjarr… i jepnin fytyrës së tij një pamje intelektuali të çuditshëm; ishte një magnet dashurie… Naim Beu, pasi më përshëndeti, më tha këto fjalë që tronditën të gjithë ata që e dëgjuan… që derdheshin prej zemre plot idealesh të larta. ‘Motër, punë më të mirë edhe më të vyer nuk mund të bësh për Shqipërinë, përveçse asaj që keni ndërmend të bëni… paskëtaj nisin detyrat e tua më të mëdhatë, vepra për mëmëdhenë. Pengime edhe turbullime shumë të mëdha do të kini në këtë udhë që ini nisur, po si trime shqipëtarkë i ke për të kapërxyerë të gjitha… frymëzo me ideale të larta e të vërteta, që të arrijmë një qytetërim të vërtetë dhe kështu ta bëjmë edhe brezin tonë të pushtojë gjithë ato virtute, dashurie, vëllazërije, atdhedashurije dhe bashkimi qe karakterizon kohën e Skënderbeut’. Si mbaroi më kërkoi t’i jepja diplomën që ta bënjë të njohur me anën e Ministrisë së Diturisë, ku kishte nderin të ishte Drejtor Arsimi, që të mos të kemi pengime në punën e shkollës… të vulosurit e diplomës më solli shumë lehtësira dhe shërbime në të nxjerrët e dekretit për hapjen e shkollës së Vashave. Vitin e parë kur u hap shkolla nuk harronte të na shkruante dhe të na përhironte..”.[1][2]
Prof. Kostaq Cipo, gjuhëtar i shquar dhe personalitet i shkollës shqipe: “Naim Frashëri është më i madhi nga të gjithë, i pari apostull i shqiptarisë e i vëllazërisë sonë. Fjalën e Naimit e gjej në valle, dhe këtë valle e heqin me radhë apostulli, poeti, filozofi, bektashiu, panteisti, atdhetari, një shpirt i madh, i vetmi ndofta që ka pas forcën e karakterit të mbysë bishën që fle e zgjohet në shpirtin e njeriut. Lëçiti fjalën e dashurisë dhe mbushi zemrat tona me shpresë. Foli me gjuhë të popullit ashtu si u ka hije apostujve. A e di se ç’do me thënë të shkruash në kohë të robërisë e besim të madh n’agimin e lirisë? Duke studiuar dy këngët mistike, ‘Besojmë’ dhe ‘Perëndia’, gjejmë në to gjurma nga Buddisma, Hebraisma, Krishterimi, Islamisma dhe sidomos nga fetë e fshehta t’Orientit. Krijimtaria e Naimit, për të është pjellë autentike e jetës, e historisë dhe psikologjisë shqiptare, verbi i tij poetik është verbi artikulues i gjuhës shqipe. Janë këto tipare ato që do të përcaktojnë fizionominë ideoartistike të poetit, forcën dhe bukurinë e tij”.
Ismail Kadare: “Naim Frashëri është poeti më i famshëm i shqiptarëve në shekullin e 19-të. Një përzierje profeti e prijësi, pasi ka shkruar mijëra vargje e himne për lirinë, për shpatën që do ta sillte atë, për atdheun e robëruar, për Kastriotin-Skënderbe, për dritën që do të vinte nga Perëndimi, shkurt, për Shqipërinë madhështore e po aq të hyjnueshme. Në veprën e tij të pafundme, që shpesh është quajtur ‘naimiana’, poeti sipëran, apostulli, idhulli, prijësi, shpata dhe rrufeja e kombit, jo vetëm thyhej prej një gruaje, por ishte gati të bëhej baltë e pluhur përpara saj, e si të mos mjaftonte kjo, të shkelej prej këmbëve të saj, e si të mos mjaftonte edhe kjo, të dehej nga kjo shkelje e t’i puthte ato këmbë (takat) etj. ‘Bukuria’ është poema e vetme erotike e kryeveprës së poetit të ‘Luleve të verës’, pikërisht këtu mund të kërkohet vazhdimi i atij misteri që lidhet me pyetjen: ishte mposhtur apo jo femra shqiptare prej territ osman? Naim Frashëri, poeti që nuk dremiste asnjë grimë kohe kur ishte fjala për Shqipërinë, shpallte të kundërtën: Gruaja jo vetëm nuk ishte mposhtur, por, në një ndeshje të hamendësuar, ajo mund ta vinte kundërshtarin e saj në gjunjë. E në qoftë se ky antinom i saj e kapërcente burrin, terrin, vetë poetin, kjo do të thoshte se ajo vetë, gruaja, duke kapërcyer vetveten, i afrohej trajtës dhe simbolikës së lirisë”.
Lasgush Pogradeci: “ …më besniku trashëgonjës, poeti i poetëve, që mbylli sytë në Këzëll-Toprak të Stambollit, pas një jete të urtë e butë, pa privilegje, veç lotit të fjalës për Shqipërinë. I varfër shkoja te Naim beu e i nginjur kthehesha; i dëshpëruar shkoja tek ai e i mbushur me shpresë e lija, thuhej prej atyre që kishin fatin të piqeshin me të. Naimi u bë guri e gjoksi ku vunë kokën, u prehën, u burrëruan e nxunë, të gjithë ata që iu mveshën veprës emancipuese rilindase”.
Faik Konica: “Edhe ne i falemi me mall e me nder këtij atdhetari të pavdekur!”.
Shteti shqiptar i solli në Shqipëri eshtrat e Naim Frashërit më 2 qershor 1937, në kuadrin e 25-vjetorit të Pavarësisë. Emrin e Naim Frashërit e mbajnë shkolla, rrugë dhe institucione të ndryshme në Shqipëri dhe në Kosovë. Në Shqipëri, për merita kulturore, jepet urdhri i lartë që mban emrin e poetit kombëtar: “Urdhri Naim Frashëri”.
SHefqet SALIU
[1] – Marrë nga Sevasti Qiriazi Dako, revista “Ylli i mëngjesit”, vol. 1, fq. 75-77.
Naimi i Madh, midis te tjeave ka shkruajtur :”Dalandyshe Bukuroshe eni vjen prej ÇAMERIE ME KETO MILERA FJALE E ME GLUHE PERENDIE!’
Duke nenvizuar se GLUHA ÇAME-ESHTE DIALEKTI ME I VJETER I SHQIPES SONE
Naimi,jeta dhe veprimtaria e Tij letrare kombetare,eshte “Porosiaja e madhe” per te gjitha koherat e rrethanat e shqiptareve dhe Shqiperise.
Naimi,jeta dhe veprimtaria e Tij letrare kombetare,eshte “Porosia e madhe” per te gjitha koherat e rrethanat e shqiptareve dhe Shqiperise.