NAPOLI E NDERON DONIKA KASTRIOTIN

Frank SHKRELI

Një pllakë përkujtimore në Napoli për nder të Mbretëreshës Shqiptare ,Donika Kastrioti, bashkëshortes së Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit – Skënderbe!

Një rrugë në Napoli merr emrin e bashkshortes së Heroit Kombëtar të shqiptarëve. Ky është lajmi i njoftuar javën që kaloi nga kryebashkiaku i qytetit italian, Napoli, Z.  Luigi De Magistris, i cili, sipas disa burimeve, ka pranuar dhe miratuar rekomandimin e Komisionit Toponomastik të qytetit për vendosjen e një pllake përkujtimore në Rrugën Shën Kiara, në kujtim të Donika (Arianiti) Kastriotit.

“Vendimi për të vendosur këtë pllakë tregon jo vetëm të kaluarën e rëndësishme historike të qytetit të Napolit, por dhe thirrjen për të qenë një vend i mikpritjes për kultura dhe tradita të ndryshme. Kjo vendos një lidhje të thellë kulturore që ka rrënjë prej shekujsh mes këtij qyteti dhe popullit shqiptar”, citohet të jetë shprehur me këtë rast kryebashkiaku i ketij qyteti të njohur Italian, De Magistris.

Kryetari i Bashkisë së Napolit, Luigi De Magistris

Kryetari i Bashkisë së Napolit, Luigi De Magistris

 

Thuhet se ky gjest fisnik e bujar për vendosjen e pllakës u ndërmor, natyrisht, për të nderuar Mbretëreshën e Shqiptarëve (Andronika Arianiti Komneni Kastrioti) për lidhjet e saj historike me atë qytet pas vdekjes së bashkshortit të saj, Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, largimit të saj nga Shqipëria, si rrjedhim i kësaj humbjeje dhe në kujtim të kohës që ajo ka jetuar në Napoli.

Por, kjo pllakë kujton gjithashtu të gjithë ata shqiptarë të cilët janë larguar nga Atdheu i tyre shekuj më parë për në Itali, pasi hordhitë turke pushtuan trojet Arbërore, pas vdekjes së Kryeheroit shqiptar, i cili me dinjitet mbrojti trojet shqiptare nga sulmet otomane dhe shpëtoi Evropën nga depërtimet e tyre në kontinentin e vjetër.

Mbretëria e Napolit u kishte ofruar, në atë kohë, mbështetje dhe strehim shumë shqiptarëve që qenë detyruar të largoheshin nga Atdheu, si rrjedhim i pushtimit turk të tokave shqiptare. Ata u detyruan të largoheshin dhe të vendoseshin në Italinë jugore, sepse nuk donin të jetonin nën thundrën e skllavërisë otomane, nuk donin të ndërronin fe e gjuhë, nuk dëshironin të braktisnin zakone e tradita, të cilat i ruajtën me dashuri prekëse ndër shekuj e deri më sot, ndërsa sot ata – të quajtur Arbëreshë të Italisë — vijojnë të flasin me atë gjuhë që flisnin gjyshërit e tyre në kohën e lavdishme të Skënderbeut.  

Ajo pllakë sot simbolizon gjithashtu, siç u shpreh kryebashkiaku italian de Magistris, miqësinë dhe lidhjet aktuale të banorëve të këtij qyteti italian me shqiptarët që jetojnë në trojet e veta, matanë Adriatikut, por edhe ua kujton historinë e lashtë të kombit të vet qindra mijëra shqiptarëve që janë vendosur në Itali tri dekadat e fundit, pas shembjes së komunizmit në Shqipëri, shumë prej të cilëve jetojnë e punojnë në Napoli e rrethe.

Pllaka në kujtim të Mbretëreshës shqiptare do të vendoset në rrugën që tani mban emërin “Santa Kiara” të Napolit, pasi thuhet se Donika Kastrioti ka jetuar për një kohë pikërisht në këtë rrugë, në shtëpinë e familjes fisnike Alessandro, nën mbrojtjen e Mbretërisë së atëhershme të Napolit, aleate e Skenderbeut, në luftërat kundër turqve otomanë.

Sipas disa të dhënave, ajo ka jetuar në atë rrugë prej vitit 1469 derisa është detyruar – për arsye të luftërave që e kishin përfshirë mbarë Italinë, midis viteve 1494-1498 – të vendosej në Valencia të Spanjës, ku thuhet se ajo ka vdekur më 1506. Sipas një zbulimi të kohëve të fundit, varri i Donika Kastriotit gjenden në një kishë të këtij qyteti të vjetër.

Donika është martuar me Gjergj Kastriotin – Skënderbeun më 23 prill 1451. Sipas gojëdhënave, dasma është bërë në Kaninë dhe, sipas traditës, ka zgjatur tri ditë, prej 21 deri më 23 prill, siç ishte zakon në vendet tona dikur. Për këtë dasmë ka shumë gojëdhëna, ruhen këngë popullore që arrijnë deri në kohët tona, si edhe të dhëna historike. Sipas tyre, Skënderbeu kishte shkuar ta merrte nusen i shoqëruar nga 500 kalorës, aq sa të dukej se po nisej për një betejë të re dhe jo për dasmën e tij.

Sipas gojëdhënave, kënga dhe vallja kanë  buçitur dhe kalaja e Kaninës ka llamburitur nga pishat dhe fenerët e shumtë.  Aty është bërë shkëmbimi i unazave. Kurora është bekuar në Kishën e Bardhë, afër Kaninës. Ndërsa për bukurinë e çiftit Donika Arianit I -Gjergj Kastrioti-Skenderbeu mjafton të kujtojmë vargjet e Naim Frashërit, shkëputur nga “Historia e Skenderbeut: “…Dhëndëri si dielli ndriste,/Edhe nuseja që prunë,/Porsi hëna vetëtinte,/Dritë në ditën e shtunë…”

Mirënjohje Bashkisë së Napolit dhe kryebashkiakun të saj, Luigi de Magistris, që me vendosjen e një pllake në rrugën e atij qyteti ku shekuj më parë ka jetuar bashkshortja e Skenderbeut, Donika, na e kujton familjen e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit -Skenderbeu: kontributet e saj, por edhe vuajtjet e asaj familjeje në mërgim, përfshirë Donika Kastriotin.  Ajo pllakë do t’ua kujtojë shqiptarëve, por edhe të huajve që kalojnë pranë saj, fisnikërinë, trimërinë dhe burrërinë e Kryetrimit të Kombit shqiptar, Gjergj Kastriotit -Skenderbeu dhe familjes së tij të ngushtë.  Sepse ishin ata të cilët e mbrojtën nderin e Kombit dhe identitetin e shqiptarit, kudo dhe kurdoherë, në rrethana shumë të vështira.

Madje, edhe sot, pas më shumë se pesë shekujsh, nderi dhe dinjiteti Kombit shqiptar po sulmohen e nëpërkëmben, jo nga të huajt, si dikur otomanët, por nga vet shqiptarët. Këto vlera kombëtare shekullore shqiptare sot kanë rënë pre e një klase politike të shqiptarëve të shekullit 21, viktima të influencave të huaja politike, ekonomike dhe kulturore, për qëllime personale e partiake që. fatkeqësisht, po ndihmon në zverdhjen e identitetit dhe dinjitetit kombëtar të shqiptarëve, vlera këto që Skenderbeu dhe familja e tij i mbrojtën me aq trimëri, atdhedashuri dhe devotshmëri.

I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre në trojet shqiptare, në Evropë dhe në mbarë botën, ku ata kujtohen, vlerësohen dhe nderohen për kontributin e tyre ndaj shtetformimit të Kombit shqiptar dhe në mbrojtje të qytetërimit perëndimor.

 

 

Donika Kastrioti, pikturë
Kjo pikturë me autor të panjohur që paraqet martesën e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut me Donika Aranitit, thuhet se ruhet në familjen arbëreshe Skiroi.