Kisha Baptiste Shqiptare “Udha e Shpresës” New York-New Jersey ndodhet në Green Ave, Madison në New Jersey
Denion Ndrenika, New Jersey
Me fotografinë e mozaikut të Bazilikës së Vrinës Butrint mbishkruar për dhuruesit e kishës dhe “Për kushtim nga ata, emrat e të cilëve i di Perëndia”, shfaqet pamja online e një projekti me rëndësi në historografinë shqiptare.
Ky projekt që shkon njehsuar me formimin tonë kombëtar, po kryhet në Nju Xhersi (New Jersey) të SHBA-së.
Projekti i quajtur “Bibla Pro” zhvillohet për përkthimin e Biblës në shqip nga tekstet origjinalë.
“Përkthimi i Biblës është shkencë dhe art. Është një urë që sjell Fjalën e Zotit nga bota e lashtë në botën e sotme. Të varur nga Zoti për të përmbushur këtë detyrë të shenjtë, ne paraqesim projektin: “Bibla – përkthimi i ri nga origjinali” (Bibla PRO), një përkthim i ri në shqip i Fjalës së Zotit, i përputhur me tekstin origjinal në hebraisht, aramaisht dhe greqisht”-shkruhet në faqen e internetit të projektit.
Për herë të parë me këtë projekt më njohu udhëheqësi i tij, pastori i Kishës Baptiste Shqiptare “Udha e Shpresës, Beni Pango në Morristown të Nju Xhersit, në SHBA.
“Bibla PRO” ofron bashkarisht tekstin origjinal dhe përkthimin në shqip.
Kisha Baptiste Shqiptare “Udha e Shpresës” Nju Jork-Nju Xhersi (New York – New Jersey) me vendndodhje në Green Ave, Madison në Nju Xhersi, thotë se brenda një viti do të ketë përfunduar përkthimi i Besëlidhjes së Re, ndërkohë që online bëhet publikimi i librave të parë.
Sipas pastor Pangos, projekti “Bibla PRO – Përkthimi i Ri nga Origjinali”, ashtu siç edhe emërtohet, është përkthim i ri i Shkrimit të Shenjtë në gjuhën shqipe, i bazuar plotësisht në gjuhët origjinale të teksteve biblike: hebraisht, aramaisht dhe greqisht.
Teksti bazë për Besëlidhjen e Vjetër, sikurse vërehet në projekt, është “Open Scripture Hebrew Bible”, ku paraqitet i njohuri si “Teksti Mazoretik” mbështetur në Kodikun e Leningradit.
Vetë ky Kodik, është baza e botimit standard “Biblia Hebraica Stuttgartensia”.
Përkthimi i Besëlidhjes së Re ka për bazë tekstin “Unfoldingword Greek New Testament”, që në themel përbën të njejtin tekst të botimeve standard “The Greek Neë Testament të United Bible Societies” dhe “Nestle-Aland, Novum Testamentum Graece”.
Kur teksti grek ka dallime me rëndësi krahasuar me publikimet standarde apo të të njohurit si “Textus Receptus”, paraqitet me shënimet e duhura.
Qëllimi kryesor i projektit është që t’u ofrojë kishave ungjillore shqipfolëse, studiuesve të Biblës, predikuesve dhe çdo individi që dëshiron një lexim studimor, një tekst që sikurse vijon ai (pastori), synon tri karakteristika:
-Sa më i saktë dhe besnik ndaj gjuhëve origjinale në aspektin semantik dhe stilistikor;
-Sa më i qartë dhe i rrjedhshëm në lexim, në përputhje me standardin e shqipes së sotme;
-I besueshëm në paraqitjen e përmbajtjes teologjike dhe të informacionit historiko-kulturor.
“Puna për këtë përkthim është një ndërmarrje njerëzore e rëndësishme, që kërkon kohë dhe përkushtim fizik e shpirtëror. Ky nuk është një projekt që do të realizohet në një kohë të shkurtër dhe të gjithë ata që do të përfshihen shumë a pak në këtë projekt, duke filluar që nga mbështetja edhe më e vogël financiare, e deri te përkthimi i Fjalës së Zotit, e bëjnë sepse “dashuria e Tij i shtrëngon” (2 Kor.5:14) dhe, ashtu si ata që e ndërtuan Bazilikën e Vrinës (Butrint) dhe ia përkushtuan Zotit veten dhe mundin e tyre, edhe ne mund të themi që emrat e atyre që e përmbushën këtë shërbesë i di Perëndia Vetë”-thuhet për projektin.
Përkthimi i Ri nga Origjinali (PRO) do të jetë i gatshëm në mënyrë interlineare dhe standarde elektronikisht dhe i printuar.
Si popull me tri besime dhe lëvrues pa u rrekur të ndezë mospajtime, krejt të dashur dhe hapësira për sekte apo drejtime të ndryshme, shqiptarët e kanë këtë si zanafillë të ndërtimit të jetës familjare dhe shoqërore.
Baptistët shqiptarë
Gjurmët e para të të Krishterëve Ungjillorë i gjejmë në vitin 1819 kur Pinkertoni nga Shoqëria Biblike Britanike dhe për të Huaj konsultohet me Vangjel Meksin të përkthejë Dhjatën e Re në shqip. Meksi ishte një shqiptar i mirë-arsimuar që kishte filluar të zhvillonte një interes për krijimin e një gjuhe shqipe të shkruar. Vangjel Meksi u ngarkua për përkthimin e Dhjatës së Re duke përdorur shkronjat greke, e cila u botua më 1827.
Në vitin 1864 kjo Shoqëri ngarkoi Konstandin Kristoforidhin ta ripërkthente Dhjatën e Re në dialektet Geg dhe Tosk me shkronja latine, punë e cila përfundoi në vitin 1884. Përpara se të kryente këtë punë të mirë, Kristoforidhi hyri në kontakt me njerëzit duke udhëtuar në krahina të ndryshme veriore dhe jugore, për të mbledhur fraza e shprehje për të pasuruar fjalorin e tij në shqip. Sipas albanologut të njohur R. Elsie “këto përkthime shërbyen si një themel për krijimin e një gjuhe letrare moderne, në dy variante dialektesh“. Ndërkohë u financua edhe botimi i “Gramatika” e Kristoforidhit. Ungjillorët shkonin qytet më qytet për të përhapur Bibla, por edhe abetare e gramatika të gjuhës shqipe.
Alexander Thompson, i deleguar nga SHBBH në Shqipëri besonte se shqiptarët kishin të drejtë të kishin një formë të shkruar të gjuhës së tyre amtare. Aq më tepër që ungjilli ekzistonte në shqip, ai pa nevojën tek njerëzit që të njihnin Krishtin. Thompson ikurajoi shumë shqiptarë dhe të huaj që të udhëtonin nëpër Shqipëri e t’u sillnin pranë ungjillin shqiptarëve.
Më 1873 ungjillorët që erdhën në Manastir patën ndikim në jetën e Gjerasim Qiriazit. Në vitin 1883 Gjerasimi ne bashkepunim me Thompsonin filloi të shpërndajë Bibla e të përhapë Ungjillin nëpër Shqipëri. Ndërkohë ai zhvillonte shërbesa fetare në gjuhën shqipe dhe në këto shërbesa mblidheshin qindra njerëz.
Kontributi i madh i Ungjillorëve në zhvillimin e letrave shqipe.
Në tetor të vitit 1891 së bashku me të motrën, Sevastinë, Gjerasimi hapi “Shkollën e Vashave”, e cila do të përbënte një ngjarje të rëndësishme në arsimin tonë kombëtar. Shkolla e Vashave shënoi një arritje të shkëlqyer në zhvillimin e letrave shqipe, e cila u ndërtua sipas programeve bashkëkohore të vendeve të qytetëruara, por boshti i saj kishte frymë të theksuar kombëtare. Të gjitha lëndët zhvilloheshin në gjuhën shqipe me tekste të përgatitura nga figura të shquara shqiptare dhe motrat Qiriazi. Pas Kongresit të Manastirit të vitit 1908, Parashqevia sëbashku me Sevastinë hartuan të parën abetare për shkollën e tyre ku vetë motrat Qiriazi, Fanka Eftimiu dhe Polikseni Luarasi do t’u mësonin fëmijëve gjuhën amëtare. “Shkolla e Vashave” shërbeu si një shkëndijë atdhedashurie e emancipimi që motrat Qiriazi ndezën me hapjen e së parës shkollë vajzash.
Shkolla e vashave
Në 14 Nëntor 1892, Gjerasim Qiriazi me një grup atdhetarësh si: Sevasti Qiriazi, Grigor Cilka, Herakli Bogdani, Ligor Çina, Fanka Eftimiu si dhe P.N.Luarasi themelon “VËLLAZËRINË UNGJILLORE”. Synimi i tyre ishte i trefishtë: 1) përhapja e Ungjillit në Shqipëri; 2) botimi i letërsisë shqipe; 3) hapja dhe drejtimi i shkollave shqipe. Shkollat dhe librat ishin vizioni rilindës i ungjillorëve të cilët patën meritën për hapjen e 5 “institucioneve”: gazetën “Letra e Vëllazërisë” që datohet si gazeta e parë në shqip; Shkollën e së Dielës; Shkollën e Vajzave; Kishën Ungjillore; Shoqatën ungjillore- letrare” Vëllazëria Ungjillore”.
Më 1908 Ungjillorët morën pjesë aktivisht në organizimin dhe punimet e Kongresit të Manastirit. Gjergj Qiriazi ishte zv/Kryetar i ketij kongresi. Gjithashtu, ai ishte nje nga themeluesit e botimit të gazetës “Bashkimi i Kombit” e cila botonte shumë letërsi shqipe duke u mundësuar shqiptarëve të mësonin, lexonin dhe të shkruanin gjuhën e tyre. Në mes të persekutimeve, paragjykimeve, çkishërimeve, pengesave nga Porta e Lartë, ungjillorët punuan aktivisht jo vetëm për përhapjen e mesazhit të Ungjillit, por edhe për përhapjen e gjuhës, letërsisë e shkollave shqipe.
Në Kongresin e Manastirit, Parashqevi Qiriazi pati nderin të ishte e vetmja delegate femër dhe gruaja e parë në histori që mori pjesë në një forum mbarëshqiptar. Ajo foli në konferencë për nevojën e një alfabeti të pranuar nga të gjithë. Ajo themeloi “Yll’i Mëngjesit” më 1909, e cila njihet si e para shoqëri e grave shqiptare. Qëllimi i shoqërisë ishte të përhapte shkollimin mes grave shqiptare. Më 1909 Parashqevia botoi “Abetare për Shkollat e Para” duke u bërë kështu e para autore femër e teksteve shkollore në shqip. Ajo kompozoi një këngë për alfabetin e cila u bë himn kombëtar.
Pastor Grigor Cilka, luajti një rol të rëndësishëm në përpjekjen e Shqipërisë për pavarësi dhe qe bashkëpunëtor me Gjerasimin për punën e ungjillit. Cilka ishte pastor i Kishës Ungjillore në Korçë , ku predikoi në shqip si edhe dha mësim në Shkollën e Vashave në gjuhën shqipe. Më 1908 ishte delegat në Kongres ku dha kontributin e tij duke folur për çështjen shqipe si edhe ishte pjesë e Komisionit të Alfabetit.
Thanas Sina, gjatë jetës së tij u dallua si një mësues, patriot, predikues, botues e përkthyes i Biblës.
Thanas Sina i ka shërbyer me besnikëri Shoqërisë Biblike Britanike për Vendet e Huaja dhe Vëllazërisë Ungjillore. Ishte një nga tre mësuesit e parë të gjuhës shqipe në shkollën e parë për djem në Korçë si dhe dha mësim në Shkollën e Vashave. Qysh më 1895, njihet si një predikues i shkëlqyer në Korçë, ku puna me Ungjillin i kishte rrënjët e saj deri në rënien e komunizmit. Thanas Sina bashkëpunoi me Alezander Thompson për përkthimin e Biblës; redaktoi Dhjatën e Re në toskërisht me Gjergj Qiriazin, gjithashtu redaktoi edhe librin e Psalmeve, Fjalët e Urta, Predikuesin, Isaian dhe Samuelin. Sina ndihmoi Bordin Amerikan të Komisioneve për Misionin e Jashtëm dhe Edith Durhamin në shpërndarjen e ndihmave gjatë Luftës së 2-të Botërore. Ky mësues e predikues dallohet njëherësh për kontributin e dhënë në letrat shqipe si edhe në kishën Ungjillore të kohës.
Komuniteti i Krishterë Ungjillor vazhdoi të gëzonte një rritje të palëkundur dhe në vitin 1940 krenohej me një anëtarësi prej disa qindra vetësh.
Gjatë regjimit Komunist ungjillorët pësuan persekutime, kështu që me ardhjen e demokracisë kishin mbetur rreth pesë burra besimtarë nga Kisha e Korçës e kohës së paraluftës.
Me ardhjen e demokracisë në vitin 1992, VËLLAZËRIA UNGJILLORE E SHQIPËRISË rinis veprimtarinë e saj, në vazhdim të punës dhe veprës së të krishterëve shqiptarë të shekujve të parë dhe të atdhetarëve Ungjillorë si Gjerasim Qiriazi, Grigor Cilka, Kristo Dako etj.
Sot, komuniteti ungjillor, është shtrirë përmes kishave lokale në çdo qytet të Shqipërisë dhe vazhdon të japë kontributin e tij jo vetëm në transformimin shpirtëror të shqiptarëve, por edhe në çdo fushë të jetës së vendit. Ky kontribut përkthehet në hapje shkollash, kopshtesh, kursesh profesionale, shtëpi fëmijësh, azile, qendra shëndetësore e klinika, projekte sociale për fëmijë, të varfër, pensionistë, të burgosur etj.
Të krishterët ungjillorë i gjen në çdo fushë të jetës së vendit si qytetarë dhe shtetas të devotshëm e të ndershëm. Ata besojnë se mesazhi i Ungjillit mund të transformojë pozitivisht jetën e një individi, të një familjeje, të një komuniteti dhe të krejt shqiptarëve.