Nga Ruben Avxhiu
Vuçiq paska deklaruar se barrikadat nga veriu i Kosovës do të hiqen vetëm kur aprovohet Bashkësia e Komunave Serbe.
Të paktën po e pranon që e thotë ai se kur hiqen barrikadat.
Se për ditë e javë që u përpoqën të bindnin botën se barrikadat ishin nismë e serbëve të Kosovës dhe jo diçka e orkestruar nga Beogradi.
Ndërkohë sipas rezultateve paraprake të regjistrimit të popullsisë në Serbi, popullsia ka rënë me gati gjysëm milion njerëz më pak, apo 6.9% e popullsisë në 11 vjet (-495,975 people).
Popullsia e Serbisë:
(2011) 7,233,619
(2022) 6,690,887
Serbia jo vetëm që nuk bën dallim nga rajoni por vuan më keq se të tjerët për nga humbja e popullsisë, dëshirës për t’u larguar nga vendi, rënies së lindshmërisë, ngurrimit të rinisë për të krijuar familje etj.
Pavarësisht nga kjo regjimi i Vuçiqit në vend që t’u përgjigjet nevojave reale të shoqërisë serbe vazhdon t’i fryjë borisë së nacionalizmit dhe të ushqejë revanshizmin për punën e Kosovës.
Po pse do të donin shqiptarët e Kosovës të ishin pjesë e një vendi si Serbia, ku serbët vetë po ikin prej saj, ku megjithë trumbetimin e sukseseve ekonomike, fitimet janë përqendruar në duart e oligarkëve të lidhur me regjimin?
Jo për të thënë se në trojet shqiptare nuk ka rrjedhje të popullsisë, zhgënjim e mungesë besimi te e ardhmja e te institucionet. Po të shohësh, për shembull, shifrat e botuara nga opozita në Shqipëri, ke arsye të tmerrohesh. Sipas të dhënave të Agjensisë Evropiane për Azilin (EASO), mesatarisht një mijë shqiptarë në muaj kërkojnë azil në një vend të BE-së.
Mirëpo, të paktën në Kosovë, populli përmbysi pushtetin me votë dhe solli në fuqi një qeveri që premtoi shkatërrimin e korrupsionit dhe një fillim të ri ekonomik për vendin. Edhe në Tiranë, ku ndryshimi politik duket gjithnjë e më shumë si një çudi e të kaluarës, ka një reformë në drejtësi e organizma të reja si SPAK ku të gjithë duket se po denoncojnë të gjithë e nga ku mbase mund të ngjallet shpresa e luftës kundër korrupsionit apo të shuhet përfundimisht. Të paktën është një premtim i madh e një proces në zhvillim, nëse do që të besosh.
Kurse Serbia është kaq e përfshirë në një rreth vicioz për shkak të Kosovës nga i cili nuk e di se si mund të dalë. Edhe nëse shfaqet nganjëherë një grimë guximi për të bërë kthesë historike, pseudomiqtë nga Moska ua nxisin marrëzinë me shpresa të kota.
Albin Kurti e tha mirë pak kohë më parë se pasi u çlirua Kosova nga Serbia e ka radhën Serbia të çlirohet nga Kosova. Vërtet, të duket se elitat politike serbe janë të vendosura të vazhdojnë luftën për Kosovën derisa të largohet edhe serbi më i fundit nga Serbia.
Ky teatraliteti i fundit gjoja për të shpëtuar serbët e Kosovës, kur nuk po bëjnë asgjë për serbët e Serbisë është thjesht absurditeti i radhës.