Stefan Lasko (1900-1975), pasardhësi besnik i Fan S. Nolit në Kishën Autoqefale Shqiptare të Amerikës

Ortodoksia shqiptare në Amerikë e fillon historinë kishtare me të shquarin Fan Noli (1908), i cili themeloi Kishën Autoqefale Shqiptare dhe qëndroi në krye të saj deri në frymën e fundit të jetës. Nuk e pati fushë me lule, pati shumë ferra nëpër këmbë, por ai i shërbeu Zotit dhe besimtareve, duke pasur në krah shumë kolegë, miq e shokë besnikë në idealet e tij. Ndër më besnikët e tij në udhën kishtare pati Stefan Laskon nga Malëshova e Përmetit, i cili vazhdoi dhe mbrojti vijën e nisur edhe pas vdekjes së Nolit.

Stefan Lasko

Lasko u lind më 2 shtator 1900 në Malëshovë të Përmetit. Pak dihet për rininë e tij. U urdhërua prift më 20 qershor 1949 nga imzot Fan Noli. Mori urdhër për murg dhe u lartësua në radhën Sakellar në vitin 1953.

Në shtator të vitit 1969, Lasko urdhëroi si dhjak dhe emëroi Arthur E. Liolinin në detyrën e administratorit të Katedrales së Shën Gjergjit në Boston.

Lajmi kryesor u dha nga gazeta “Liria”, Boston, 17 tetor 1969, për kryesimin e Peshkop Laskos në emërimin e A. Liolinit si administrator i dioqezës shqiptare në Amerikë.

Tetor 1969, në Shën Gjergj, Boston, pas emërimit nga Peshkop Lasko të dhjakut të ri, Arthur Liolin, si administrator i katedrales së Shën Gjergjit dhe dioqezës shqiptare në Amerikë.[5]

Peshkop Stephen ndërroi jetë të mërkurën e shenjtë të 30 prillit 1975 në Boston. Ceremonia e lamtumirës dhe e dorëzimit te Zoti vazhdoi në Javën e Pashkëve më 5 e 6 maj 1975 në Kishën e Shën Gjergjit.[6]

Ai u varros në të njëjtën varrezë, shumë pranë Peshkop Fan Nolit.

Ngjitur me Nolin, – shkruan N. Jorgaqi, – është varri i Peshkop Stefan Laskos, pasardhësit të tij besnik, që u njoh dhe u çmua si shqiptar i mirë, klerik e burrë me karakter. Edhe i vdekur ai i qëndron pranë kryezotit të vet shpirtëror”.

Si Peshkop Noli edhe pasardhësi i tij Peshkop Stefan Lasko vazhdoi të udhëheqë grigjën në udhët e Nolit, të “Plakut të Amerikës”, siç e quajti Mitrush Kuteli, për të theksuar dhuntinë.

Dokumenti i ceremonisë mortore dhe fetare në Javën e Pashkëve 5, 6 e 7 maj 1975 të të ndjerit Peshkop Stefan Lasko në Katedralen e Shën Gjergj e urtësisë së Nolit.

Pasi Peshkop Lasku ndërroi jetë, ai u pasua nga Peshkopi Mark (Forsberg). Në vitin 1976, i Dërguari Nicholas Liolin u shugurua nga Sinodi i OCA-s dhe i dha emrin Nikon. Para ngritjes së tij në episkopat, Atë Mark Forsbergu ishte prift në dioqezën shqiptare të Kishës Ortodokse në Amerikë. Ai drejtoi Arqipeshkvinë shqiptare deri në pensionimin e tij më 1983.

Shefqet SALIU

 Shënim: Botuar në librin “Panteoni i mirënjohjes përmetare (Njerëz të shquar)”, vit. bot. 2021, Tiranë, fq.203-208.


[1] – Neka Doko, arkiviste e bibliotekës “Fan Noli”.

[2] – Sipas Fan Nolit, “Libri i Pesëdhjetëvjetorit”, Boston, vit. bot.  1959, fq. 116

[3] – Atë Arthur Liolin, gazeta “Dielli”, NY, dt. 16.3.2021.

[4] – Neka Doko, arkiviste e bibliotekës “Fan Noli”.

[5] – Neka Doko, arkiviste e bibliotekës “Fan Noli”, material informativ kërkuar nga autori i këtij libri.

[6] – Neka Doko, arkiviste e bibliotekës “Fan Noli”, material informativ kërkuar nga autori i këtij libri.