Ministria e Drejtësisë, pas analizimit të kostove krahasuese së shërbimeve përmbarimore në Kosovë me ato të vendeve të rajonit, ka vendosur që të ulë tarifat e përmbaruesve privatë.
Kjo është bërë e ditur nga zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu sot në hapjen e punimeve të grupit punues për hartimin e udhëzimit administrativ për tarifat e përmbaruesve privatë.
Sallahu ka thënë se ky grup është themeluar me qëllim të ndryshim-plotësimit të udhëzimit për tarifat e përmbaruesve privatë duke marrë parasysh vështirësitë dhe mangësitë e identifikuara në zbatimin e tarifave të përmbarimit.
Ai tha se krahas procesit të rishikimit të tarifave, Ministria e Drejtësisë ka finalizuar edhe ndryshim-plotësimin e Ligjit për Procedurën Përmbarimore, me qëllim të garantimit të funksionimit të zyrave përmbarimore dhe eliminimin e krijimit të monopoleve.
Grupi punues udhëhiqet nga Ministria e Drejtësisë dhe marrin pjesë përfaqësues nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, përmbaruesi privat, Oda e Avokateve të Kosovës, Shoqata e Bankave të Kosovës, Oda Ekonomike e Kosovës, si dhe përfaqësuesi i Projektit CILC që mbështet përmbarimin.
Ndryshe, Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar në përmirësimit të transparencës, llogaridhënies dhe profesionalizmit të sistemit të përmbarimit privat të Kosovës dhe në ngritjen e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.
Ky proces mbështetet nga Programi për Drejtësi Komerciale i USAID-it.RTK