Gjendet sërish drogë në portin e Durrësit, në një nga kontejnerët e firmës “Alba Exotic Fruit”.
Port, Durrës/ Vijon operacioni policor i koduar “Rada”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.
Sekuestrohet një tjetër sasi kokaine në një nga kontenierët e firmës “Alba Exotic Fruit”.
Në kuadër të operacionit “Rada”, të nisur më datë 13.07.2021, në Portin e Durrësit, ku nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kufitare, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe autoritetet doganore të Portit është gjetur dhe sekuestruar lëndë narkotike kokainë, në një nga kontenierët për llogari të firmës “Alba Exotic Fruit”, tjetër sasi kokaine është sekuestruar ditën e sotme.
Në vijim të operacionit “Rada”, mesditën e sotme, nga Task Forca permanente që vepron në Portin e Durrësit, është ushtruar kontroll i imtësishëm në dy nga kontenierët e ngarkuar me banane, që kishin ardhur nga Ekuadori, për llogari të kësaj firme. Si rezultat i kontrollit të imtësishëm, në pjesën fundore, te kapakët e motorëve frigoriferikë të dy kontenierëve u gjet dhe u sekuestrua një sasi prej 10 kilogramë e 185 gramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë.
Task Forca permanente që operon në Portin e Durrësit dhe Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit vijojnë veprimet hetimore, nën drejtimin e SPAK-ut.
Përveç rastit të sotëm, drogë në kontejnerët “Alba Exotic Fruit” është gjetur drogë dhe në 5 operacione të tjera.
Më 13 korrik në Portin e Durrësit kësaj kompanie dhe u sekuestruan 11 kg e 675 gramë kokainë, ndërsa 10 ditë më vonë, më 23 korrik u gjetën 6.5 kilogramë të tjera, të cilat ishin fshehur në kontejnerët e po të njëjtës kompani.
Më 29 korrik 2021 kompanisë iu gjetën dhe u sekuestruan 7.25 kilogramë kokainë po në vijim të operacionit “Rada”. Ndërkohë që më 7 shtator, kapën 7.7 kg kokainë.