100 mijë euro shpërblim për zbulimin e autorëve të sulmit ndaj Top Channel

Tiranë, 28 mars 2023 – Policia e shtetit njoftoi se ka vendosur një shpërblim prej 100 mijë eurosh për çdo informacion të vlefshëm që mund të çojë në identifikimin e personave që pak pas mesnatës të së hënës, qëlluan me armë godinën e televizionit Top Channel.

Policia ka vënë në dispozicion edhe një numër të posaçëm telefoni, duke garantuar anonimatin e kujtdo që ofron të dhëna.

Ky është ndër shpërblimet më të mëdha të vendosura ndonjëherë nga autoritetet për zbulimin e një ngjarjeje kriminale.

Të hënën, në orët e para tëditës në drejtim të godinës së Top Channel-it është qëlluar me 26 fishekë nga dy armë kallashnikov.

Në këtë sulm është vrarë një roje e sigurisë së Top Channel. I ndjeri ishte punonjës i një shoqërie për ruajtjen fizike të objekteve.

Gjatë ekspertizës është gjetur se 20 gëzhoja janë qitur nga një armë, kurse 6 gëzhoja të rjera janë qitur nga arma tjetër.

Gëzhojat janë  gjetur në automjetin e përdorur nga autorët, i cili ka lëvizur në rrugën dytësore të autostradës Durrës-Tiranë, ka kaluar një herë përpara godinës me shpejësi të ulët, dhe më pas është rikthyer duke qëlluar në drejtim të godinës së televizionit, për t’u larguar më pas në drejtim të Durrësit.

Automjeti është gjetur i djegur vetëm 28 minuta pas ngjarjes, në aksin Durrës-Rrogozhinë, në vendin e quajtur “Përroi i Agait”. Ai rezulton t’i jetë vjedhur më 10 korrik të vitit 2020 në fshatin Tale të Lezhës një qytetari nga Kosova, i cili ishte me pushime në këtë zonë, ndërsa targat janë kallëzuar të vjedhura në dhjetor të vitit të kaluar në Tiranë.

Policia shpjegoi se është zhvilluar një analizë e detajuar e veprimeve hetimore, të kryera nën drejtimin e kryeprokurorit të Tiranës dhe se janë përcaktuar versionet hetimore, por nukka dhënë detaje.

Përveç personave që kanë qenë të pranishëm në vendin e ngjarjes, policia ka marrë në pyetje edhe disa persona të tjerë në Kavajë dhe në Vlorë.

(r.m.)