Me nxënës nga të gjitha trevat shqipfolëse
Nga Pertefe Leka
Gjimnazi publik, laik në Shkodër, fillon me një vendim të Këshillit të Ministrave, 11 Gusht 1922. Një ngjarje me rëndësi të veçantë, si nevojë e kohës, në një qytet me tradita dhe me kontribute në fushën e Arsimit Kombëtar. Një veprim i vonuar, sepse shkollat e para shqipe ishin hapur në veri të Shqipërisë dhe në Shkodër 400 vjet më parë, sipas studimit të At Donat Kurtit (shkrimtar, etnolog, profesor, përkthyes, i persekutuar nga regjimi komunist,vdiq në varfëri duke lënë një pasuri të madhe: ”Visaret e Kombit”dhe fjalorin frazeologjik me 45000 fraza shqip) dhe sipas studimit të Amerikanit Edwin Jacques me titull “Historia e popullit Shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme.” ( Për dijeni, në veprën e shkruar të misionarit amerikan Edvin Zhak “The Albanians: An Ethnic History from Pre-Historic Times to the Present” përmendet Kolegji i Shën Savjerit me 400 studentë, ku merrnin arsim teknik dhe tregtar. Ishte një qendër shkencore jo vetëm për Shqipërinë, por për krejt Ballkanin, pasi kishte të parin observator astronomik 1888, që shërbeu deri sa u konfiskua nga komunistët me 1946. Gjithashtu theksohet Shtypshkronja e Shkodrës, disa vite pas shpikjes së Madhe të Gutenbergut, që gjallëroi jetën intelektuale në qytet,duke i dhënë shtysë lidhjeve të drejt për drejta me përendimin. Kështu, aty kishte një jetë intelektuale plot energji, ku përhapej kulturë.)
Duke ditur këte të kaluar të edukimit shkollor, po rritej presioni i opinionIt publik të qytetit që përfaqësohej nga një peticion prej 58 firmash, ku përmblidhte shtresa të ndryshme me kërkesën si domosdoshmëri për një shkollë shtetërore, laike për Shkodrën, qytetin e kulturës së lashtë. Megjithëse përpara kësaj, kishte ndonjë shkollë shtetërore në qytet, siç ishte Shkolla e Parrucës, që e administronte Komisioni Arsimor i ngritur më 1913, pranë Bashkisë, i drejtuar nga personalitete të larta si Xhemal Naipi, Hafiz Ibrahim Repishti, Mustafa Kruja, At Gjergj Fishta, Hafiz Abaz Golemi, Gaspër Mikeli, Sheuqet Muka, P.Anton dhe Mark Harapi… të cilët nxitën dhe u bënë promotorët kryesorë të hapjes së Gjimnazit shtetëror edhe pse një pjesë e tyre jepnin mësim në shkolla joshtetërore, ata nuk hezituan të bashkonin vullnetin e tyre në këte moment historik.
Në ndërtesën e shkollës, studentët hynë në klasat përkatëse me 5 tetor 1922. Nxënësit vinin nga shkollat qytetëse, shkolla tregtare, gjimnazi Françeskan, nga medresetë…më vonë edhe nga Kosova, Ulqini e Çamëria.
Në ate kohë kërkohej një drejtor me autoritet shkencor, për këte u propozue Maksimilian Lambertz….(Albanologu Lambertz,1882-1963. i cili për herë të parë dëgjoi gjuhën shqipe në Atikë të Greqisë, e mësoi ate dhe nuk iu nda studimeve albanologjike, mbi folklorin, mitologjinë, gjuhësinë, letersinë, historinë… deri sa vdiq. Përktheu gjermanisht Lahutën e Malcisë dhe për poetin e Madh shkruan: Fishta është poeti më gjenial që deri më sot ka dhënë Shqipëria. Ai është Epiku më i madh i shekullit, Homeri Shqiptar dhe” Lahuta e Malcisë” Iljada Shqiptare)
Në fakt Drejtori i parë i këtij Gjimnazi u emërue Prof. Xhevat Korça, në janar 1923, personalitet i shquar , student i Zosimeas dhe Universitetit të Vjenës për Filozofi dega Histori, (1917- 22) albanolog, publicist , hartues peticioni me studentët shqiptarë në Vjenë, drejtuar Pres. Wilson për mbrojtjen e Shqipërisë, Ministër Arsimi në Qeverinë e Mustafa Krujës, vdiq në burgun famëkeq të Burrelit, viktimë e diktaturës komuniste.
Në vitin e dytë shkollor të gjimnazit drejtor ishte Prof.Mirash Ivanaj (12 Mars 1891—22 shtator 1953) me origjinë nga Trieshi i Malësisë Madhe. Pasi vazhdoi Gjimnazin Klasik në Pozharovac-Beograd, studimet e larta i mori në Universitetin e Romës, ku u laurua në dy degë, Filozofi-Letërsi dhe Jurisprudencë. Ishte publicist, jurist, arsimtar, Ministër Arsimi me një kontribut të vyer në politikën arsimore me të ashtuquajturën ”Reforma Ivanaj”. Vdiq në burg, pak përpara se ta plotësonte dënimin.
Në këte Gjimnaz të Shtetit, një Institut i mesëm i teknikës arsimore, ushtruan profesionin një trup mësuesish patriotë të përgatitur në Universitet e Evropës, të cilët zbatuan programet më efikase të një sistemi shkollor më të përparuar të kohës.Të parët ishin Prof.Kolë Kamsi, Simon Rrota, Ndue Paluca,Ruhi Zeka,Luigj Shala,… ( më vonë ndër vite në këte gjimnaz u emëruan shumë personalitete të shquara, si Aleksander Xhuvani, Skender Luarasi, Eqrem Çabej etj.)
Mësuesit punuan me programin e gjimnazeve franceze të pranuar nga Kongresi Arsimor 1922.
Ndër figurat më të spikatura që hyri thellë në memorjen e shkodranëve dhe më vonë të gjithë shqiptarëve ishte Prof. Dr. Mirash Ivanaj. Mjaftuan vitet e para të veprimtarisë padagogjike të Ivanajt, për të konturuar në shembëlltyrën e mësuesit, edukatorit, drejtuesit dhe organizatorit me dije të shumanëshme të thella të qëndrueshme dhe aktive. Si drejtor i gjimnazit Ivanaj në zbatimin origjinal të programit shkencor e pedagogjik për formimin kulturor të nxënësve, kërkonte vendosjen e çdo shkence mbi themele shqiptare, që përparimi i shkollës të ishte në dobi të zhvillimit të vendit.Shumë e rëndësishme për Ivanajn ishte zhdukja e ndasive fetare,krahinore,që propogandat e huaja ndër shekuj kishin helmue mendjen dhe shpirtin e shqiptarëve.Ai mbronte idenë se shkolla,do të hapi horizonte të reja me studimin e shkencave, sidomos Ivanaj ishte shumë I vëmendshëm për të ruajtur strukturën e shkollës si gjimnaz dy degësh, klasik e real dhe u përpoq që shkolla t’i përshtatej nevojave të nivelit të përgjithshëm të vendit. E gëzoi pa masë maturën e parë,dhe provimet në gjuhën shqipe duke uruar “ Me kambë të mbarë …. . Fillon indipendenca në fushën Arsimore të Kombit Shqiptar. “
Nga kjo maturë dolën mësuesit e rinj për të cilët kishte shumë nevojë Shqipëria. (Ata ishin Rexhep Bërdica, Qamil Golemi, Jahja Domnori, Refik Shpuza, Xhemal Lopçi dhe Ahmet Ashikja.) Bashkëvuajtësi, personaliteti i shquar, Prof.Lazër Radi, për këte grup,citon fjalët e Ivanajt të shprehura, kur vuanin denimin në izolim:
”Në Gjimnazin e Shkodrës kam pasë disa nxanës shumë të mirë, sidomos të edicionit të parë të maturës që edhe sot i kujtoj me respekt”
Por, si drejtues, Ivanaj, nuk u kufizua vetëm me studentë brenda kufijëve të cunguar të Shqipërisë, por u kujdes gjithashtu të tërhiqte sa më shumë nxënës nga Kosova dhe trojet shqiptare jashtë kufijëve shtetëror, që nepërmjet tyre të shpërndahej dituria në gjuhën shqipe. Duke i kushtue vëmendje organizimit dhe drejtimit të shkollës, pati kujdes për të afrue e vëllaznue nxënësit me besime të ndryshme e zakone krahinore. Themeloi shoqatën “Besa” me nxënës të gjimnazit, ku kërkoi të nxirrej një e përkohshme nga vetë shoqata.Bëri çmos të krijonte një fanfarë të vogël dhe korin me nxënës të talentuar. Duke e parë në mënyrë të veçantë edhe landen e muzikës që” “Asht mjeti ma efektiv për dëfrimin dhe naltësimin e shpirtit të nxanësve“.
Gjithashtu për zhvillimin e sporteve, përveç futbollit i dha prioritet edhe sporteve të tjera për të cilët investonte edhe nga paratë e veta,siç tregonte Prof. Irfan Tërshana ,sidomos për mjete dhe uniformat sportive, kur nuk mundësohej nga ministria. Vlen për t’u përmendur se kur mori postin e Ministrit të Arsimit, bashkëpunoi ngusht me Dr.Vasfi Samimin dhe e realizoi përkushtimin e tij për Themelimin e Kombëtares së Futbollit të Shqipërisë në vitin 1934.
Qellimi kryesor ishte të kultivonte identitetin kombëtar dhe përkatësinë kulturore për një arsim cilësor gjithëpërfshirës në zhvillimin intelektual, etik, fizik,estetik dhe social.( Dr.Vasfi Samimi Visoka,(1905-1981) veteriner, shkencëtar biolog,futbollisti shqiptar i Fenerbaçes, themelues i Kombëtares së Futbollit Shqiptar, krjoi të parin laborator biologjik me Dr.Bilal Golemin,mësues në Shkollën e Mesme Veterinare Shkodër, Profesor në UBT, shkrimtar, publicist, përkthyes, i denuar në Gjyqin Special për veprën Atdhetare “Nëna Kosovë”)
E këto shtylla të forta të vendosura që në themelet e viteve të para të Gjimnazit të Shtetit i rezistuan kohërave dhe në vazhdimësi u ruajt struktura e mësimdhënies edhe në periudhat më të vështira të përsekutimit të mësuesve dhe studentëve, qytetarë të ndershëm, me shpirt të lirë për demokraci dhe bashkim kombëtar. Nga kjo trashëgimi Gjimnazi 28 Nentori mbeti model me mësues të përkushtuar që vazhdojnë edhe sot të nderohen me nxënës të Artë .
Puna organizative, mësimore edukative e Ivanajt, me vlera të patjetërsueshme në këte qytet , u lartësue edhe me shumë në planin kombëtar, kur ishte Ministër Arsimi. Mund të përmendet nisiativa e tij për themelimin e një federate kombëtare me emrin “Vllaznia Shqiptare“, gusht 1935, ku do të bashkoheshin aktivitetet e shoqërive jashtshkollore , me krijimin e së cilës bëhej afrimi i popullit Shqiptar në një njësi solide kombëtare siç e specifikonte Ai vetë :“ Me të cilën sigurojmë frytin e dëshiruem n’unifikimin e popullit t’onë kundra çdo propagande zhgatrrimtare të jashtme dhe të brendshme …… “ Sa e rëndësishme për sot një grupim i tillë jo vetëm për të mbrojtur kulturën shqiptare por edhe për shtetarët e sotëm që të kenë në fokus Vëllazërimin Kombëtar.
Në fotografi në lart: Studentët e parë që janë ulur në bangat e Gjimnazit të Shtetit Shkodër 100 vjet më parë, 5 tetor 1922 .
Nga e majta, Rexhep Bërdica, Jahja Domnori, Xheudet Loloçi, Bahri Kopliku, Xhemal Lopçi, Daut Sykja, Qamil Golemi, Refik Shpuza.
Kanë festuar së bashku 50 vjetorin e hapjes së Gjimnazit të Shtetit Shkodër. (1972) Janë studentët e parë që janë ulur në bangat e kësaj shkolle me 5 tetor 1922, janë maturantët e parë të këtij Gjimnazi . Sot do të kujtohen me nderim të gjithë ata që 100 vjet më parë morën pjesë në inagurimin e kësaj Shkolle, Sot” Gjimnazi 28 Nëntori”