…në të vërtetë kontaktet e para janë shumë më të hershme
Nga Edlira Ruzi, ATSH
TIRANË
4 korrik, 2022: Muzeu Historik Kombëtar, në bashkëpunim me Akademinë e Studimeve Albanologjike, organizuan leksionin e hapur me temë “100 vjet marrëdhënie shqiptaro-amerikane (1922-2022)”. Kjo veprimtari u organizua me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë të ShBA-ve.
I ftuar nderi për të referuar rreth historikut të këtyre marrëdhënieve dhe lidhjeve të ngushta mes dy kombeve, ishte prof. dr. Hamit Kaba, studiues në Akademinë e Studimeve Albanologjike.
E pranishme në këtë event ishte ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, si dhe diplomatë dhe studiues të historisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.
Gjatë leksionit që mbajti para auditorit, prof. dr Hamit Kaba ndër të tjera pohoi se, ndonëse zyrtarisht marrëdhëniet shqiptaro-amerikane përfshijnë një periudhë kohore 100-vjeçare, në të vërtetë kontaktet e para janë edhe më të hershme.
Ai u ndal në periodizimin e këtyre marrëdhëniet në katër faza të ndryshme historike. Duke analizuar secilën periudhë me hollësi, lektori u ndal sidomos në disa ngjarje historike, siç ishte, për shembull, pushtimi i Shqipërisë në vitin 1939 nga ana e Italisë fashiste, ku ShBA-të ishin ndër të paktat vende që jo vetëm e dënuan pushtimin, por tërhoqën edhe misionin e tyre diplomatik nga Shqipëria. Po ashtu, kujtoi edhe ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, ku iniciativën e morën ShBA-të, si dhe përkrahjen dhe mbështetjen ndaj kombit shqiptar dhe Shqipërisë pas rënies së komunizmit dhe kontributin për mbarëvajtjen e proceseve demokratike.