Cikël historik me rastin e 20-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-amerikane – Pjesa e pestë
Nga Ylli Polovina
Enver Hoxha, duke dashur ta lidhë fatin e Shqipërisë me marksizëm-leninizmin dhe patjetër me Revolucionin Socialist të Tetorit, qe shumë xheloz të mos ia jepte rolin e shpëtimtarit kombëtar jo vetëm Avni Rustemit, i cili kërkoi këmbëngulshim mbajtjen zi për udhëheqësin bolshevik, por as edhe Fan Nolit, një prijësi popullor, ndërkohë edhe njeriu të shquar të dijes dhe letrave. Shpëtimi për Shqipërinë, sipas dëshirës dhe planit totalitar të Hoxhës, do të vinte prej 8 nëntorit 1941, ditë kur u shpall krijimi i Partisë Komuniste Shqiptare.
Kjo donte të thoshte kur filloi ai personalisht të merrej me politikë.
Ja përse historiografia e ndikuar dhe madje e censuruar nga një platformë e tillë ideologjike nuk shpjegoi asnjëherë se propozimi në Asamblenë Kushtetuese për të mbajtur pesë minuta heshtje për Vladimir Iliç Leninin ishte ngjarje e dytë, veprim pasojë, reagim i drejtpërdrejtë ndaj gjestit të shumicës parlamentare për të mbajtur zi në kujtim të Udrou Uillsonit.
Nuk shkon dot deri në një fund logjik asnjë hamendje tjetër edhe po qe se ngjarja vihet në lëvizje prej një zhvillimi të ndryshëm të rrethanave reale të atij 4 shkurti 1924: për shembull në rast se presidenti amerikan nuk do të kishte ndërruar jetë dhe ikja në botën tjetër do të kishte ndodhur vetëm për kryebolshevikun rus.
Në kushte të tilla mund të mos ishte kërkuar heshtje nderuese për Leninin.
Rikujtojmë se ai kishte vdekur në 21 janar dhe se pikërisht këtë datë në Tiranë kishte çelur punimet, e porsazgjedhur dhe e shpallur ligjërisht, Asambleja Kushtetuese. Ka të ngjarë që lajmi i rëndësishëm për të gjithë botën, sidomos edhe për Shqipërinë ku emri i Vladimir Iliçit lidhej tërësisht me denoncimin e guximshëm të Traktatit të Fshehtë të Londrës, atë ditë të mos ketë mbërritur dot në mjediset zyrtare të kohës.
Në të vërtetë sipas rregullit më elementar ai njoftim duhet të ketë hyrë në kryeqytetin shqiptar brenda asaj mbrëmjeje, të paktën, por sidoqoftë në punimet e Asamblesë për atë 21 janar ai nuk është përmendur fare.
Nuk ndodhi kjo as në ditët e mëpastajme, ndërsa kuvendi i parlamentarëve, në debatin e tij të përgjithshëm nëse Shqipëria do të ishte republikane apo do të vendoste një sistem monarkik, u mblodh disa herë.
Ja pse mbetet shumë e panatyrshme çdo përpjekje për ta shpjeguar propozimin Erebara-Rustemi si rrjedhojë të një pranie të ideologjisë marksiste-leniniste tek ta. Apo edhe thjesht të një simpatie personale për komunizmin.
Ca më shumë do të qe e padrejtë që çfarë kanë shqiptuar ata të interpretohet si prirje e shoqërisë shqiptare.
Kur shumica e deputetëve shqiptarë, të quajtur si reaksionarë nga historiografia zyrtare e Tiranës, kërkoi mbajtjen e zisë për Uillsonin, më shumë se prej kritereve ideologjike veprimin e kreu e shtyrë prej motiveve kombëtare. Presidenti amerikan pati mbrojtur Shqipërinë dhe po ashtu, si Lenini, denoncuar edhe Traktatin e Fshehtë të Londrës.
Për deri sa qe kështu, përse të mos ishte funksionues i njëjti parim edhe për kryekomunistin sovjetik?
Kur deputeti Jashar Erebara propozoi pesë minutat e heshtjes në kujtim të udhëheqësit të Revolucionit të Tetorit kishte në mendje të njëjtën vlerë e shërbim në favor të popullit të vogël të shqiptarëve, aspak Marksin dhe as Engelsin, kurrë thirrjen e tyre “Proletarë të të gjithë vendeve bashkohuni!”
Jo i shtyrë prej kritereve ideologjike, as nga pasionet politike që kanë trazuar deputetët në atë 4 shkurt, ditë e hënë, por për hir të së vërtetës dhe të vetë historisë dhe kujtesës rigoroze të saj, do të ishte shumë gabim që Uillsoni të nderohej me shenjë zie të sinqertë, por jo Lenini. Deri në vitin 1924, përpos alternativave social-politike të kundërta që përfaqësonin, ku patjetër ajo e demokracisë amerikane qe udha e dobishme për njerëzimin, shteti sovjetik nuk i kishte sjellë ndonjë pasojë negative shqiptarëve. Drama e lidhjes me bolshevizmin e tyre, veçanërisht stalinizmin, do të rëndojë shumë më vonë.
Ja përse deputetët Erebara dhe Rustemi kërkuan një gjë të drejtë, të lejueshme e të pranueshme jo vetëm prej dobisë nacionale apo rregullave të etikës parlamentare, por edhe të vetë parimeve të demokracisë.
Deformimi i ngjarjes së vërtetë, politizimi i saj i natyrshëm atë 4 shkurt, por krejtësisht banal më pas, prej regjimit komunist sidomos, pa harruar se këtë zakon të keq e kanë vijuar disa qarqe rrethmbyllura antikomunistësh fanatikë, është shoqëruar edhe me fshehje skandaloze të elementëve të tjerë të saj. Kështu në kujtesën tonë kombëtare ajo ka krijuar jo thjesht një boshllëk, të cilin edhe mund ta kapërcesh, por një gropë të vërtetë, një thellinë të frikshme ku bie e thyen kokën.
Kjo humnerë është gërryer pabesisht në një ndër periudhat më interesante dhe më të veçantat e historisë sonë, në pluralizmin e parë shqiptar, një epokë e paqëndrueshme, por me të vërtetë moderne, e cila nis me Kongresin e Lushnjës, janar 1920 dhe përfundon në janarin e vitit 1925, me fillimin e stabilitetit nëpërmjet një stili autoritar të qeverisjes.
Do të përpiqemi ta provojmë këtë, pra jo vetëm shtrembërimin e madh, por edhe kryerjen e kësaj përdhune deformimi në zemër të përpjekjes së parë për një jetë të brendshme demokratike të Shqipërisë.
Edhe pse Avni Rustemit Enver Hoxha dhe sistemi i tij ideologjik ia bashkëngjiti ngulëkëmbjen për pesë minutat e heshtjes funebre ndikimit të Revolucionit Socialist të Tetorit dhe simpatisë për leninizmin, pra komunizmin, aksionin politik të opozitës fanoliste për të marrë pushtetin, i nisur pas vrasjes së tij në 22 prill 1924, e emërtoi Revolucioni Demokratik Borgjez i Qershorit. Në enciklopedinë e sotme, botim i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, 2010, ai quhet Revolucioni Demokratik i Qershorit, duke lënë pas edhe në këtë rast një hapësirë jo të vogël mospërputhje me të vërtetën. Çuditërisht në këtë shpjegim nuk shkruhet asnjë fjalë për gjestin në favor të nderimit të Leninit.
Thelbi është ky: jo vetëm historiografia e pas rënies së diktaturës, por edhe ajo e pas saj asnjëherë nuk e konsideruan lëvizjen politike të prirë nga Fan Noli dhe të cilës, si eksponent i spikatur, i përkiste edhe Avni Rustemi, si të tipit komunist. Madje ideologjia e socializmit real nuk ia kurseu edhe etiketimin “borgjez”, term që në të gjitha rastet e tjera përdorej tërësisht si identik me atë “armik”.
Kështu mund të thuhet se me gjithë përpjekjet për ta romantizuar gjestin e Rustemit në seancën e Asamblesë Kushtetuese të 4 shkurtit 1924 me nostalgji bolshevike, episodi për mbajtjen zi të Leninit, është një andërr e zezë e qepur me pe të bardhë.
Ndërkohë që realisht nuk ishte Avni Rustemi “komunisti” i 4 shkurtit, në atë seancë parlamentare ka pasur me të vërtetë një të tillë. Ai qëndronte në lozhë. Quhej Konstantin Boshnjaku. Ishte korrespondent i një agjencie sovjetike lajmesh. Njeri i padyshimtë i Kominternit. Me pak fjalë njeriu i Moskës dhe i Leninit.
Boshnjaku e kishte shumë të dëshiruar atë rrjedhë ngjarjesh dhe rrëfimin për të pazakonshmen që ndodhi në parlamentin shqiptar e nisi menjëherë në kryeqendrën e Revolucionit Socialist të Tetorit. Në Rusinë Sovjetike lajmi u prit me hare të madhe, sepse donte të thoshte se shqiptarët kishin idhull të tyre Vladimir Iliç Leninin dhe aspak Udrou Uillsonin. Sipas kumtit që morën dhe e shpërndanë, madje e regjistruan edhe në librat e tyre të historisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mos nuk kishin në Shqipëri ndikim të rëndësishëm, ai po mpakej e mpihej, po thyhej nga triumfuesi i ri i ëndrrës botërore të popujve, vendi i sovjetëve.
Duke ia lënë vetes autorësinë e revolucionit komunist, ndërsa njëkohshëm Avni Rustemit, atentatorit të madh kundër tradhtarit kombëtar Esat Pashë Toptanit, ia merrte kapitalin politik që mbarte, Enver Hoxha në librat e shkollës, që prej atyre të klasave të ulëta e deri në universitete, nuk ua bëri të ditur kurrë nënshtetasve edhe një fakt tjetër, tepër të rëndësishëm e që lidhet me Fan Nolin.
Në 4 shkurt, kur Erebara-Rustemi propozuan pesë minutat e heshtjes nderuese për Vladimir Iliçin dhe Asambleja Kushtetuese ra dakord, Noli nuk ndodhej në sallë.
Këtë e sqaron vetë të hënën pasardhëse, 11 shkurt, pasdite. Në protokollin e asaj seance është shkruar se “Imzot Fan Noli, Kryepeshkopi dhe Mitropoliti i Durrësit, i Gorës dhe i Shpatit” i është drejtuar kryetarit të Asamblesë Kushtetuese, Petro Goga, me këto fjalë “Nga shkaku i një moskuptimi nuk u ndodha të hënën e kaluar në mbledhjen ku u përmend vdekja e Presidentit Uillson. Kisha pak fjalë për të thënë atë ditë, e pasi nuk munda, ju lutem të më jepni leje t‘i thom sot”.
Është tepër e qartë: Në 4 shkurt, ndërsa u mbajtën nga pesë minuta zi për presidentin amerikan dhe pastaj për udhëheqësin komunist sovjetik, Fan Noli, po të ndodhej në sallë nuk do të shqiptonte asnjë fjalim për Leninin.
Kur sipas protokollit thuhet “Zëra: Pranohet”, pra iu dha leja gjërësisht nga deputetët, Noli nisi të flasë. Ja cilat janë ato që dëshiron t’i bëjë publike para gjithë opinionit të bashkëkombësve: “Amerika edhe tërë bota vajtuan këto ditë vdekjen e Udrou Uillsonit, të njëzetë e tetit President të Shteteve të Bashkuara. Pranë Amerikës merr pjesë në këtë zi dhe Shqipëria, e cila qan në fytyrën e tij Amerikanin e math, idealistin bujar dhe mprojtësin e saj më të fortë”.
(Vijon)
Tiranë, më 13 qershor 2011