Shpallja e Pavarësisë dhe hedhja e bazave të shtetit të ri shqiptar, më 28 Nëntor 1912, është akti më heroik, fitimtar, dobiprurës, që do të shënonte një kthesë të madhe historike për lirinë e vendit dhe Ballkanit në përgjithësi, për një të ardhme të begatuar dhe do të shërbente si dritë drejtuese për kombin, përgjatë një rruge të vështirë plot mundime. Ishte koha kur shqiptarët ndjenjën e patriotizmit dhe dashurinë për atdheun e kishin të induktuar në shpirt e në zemër, ku me gjakun e dëshmorëve u gdhendën shumë fitore, beteja, luftra për liri. Ishte koha kur shqiptarët lëngonin nga vuajtjet, varfëria ekstreme, nga etja për të shkruar dhe kënduar me zë të lartë shkronjat e arta të gjuhës shqipe; ishte koha kur shqiptarët luftonin të ndërtonin shtetin e tyre me institucionet respektive, të ndërmerrnin politika ekonomiko-sociale, të ishin zotër të vatanit dhe të merrnin në dorë fatin e vendit për një të ardhme të ndritur. Që dielli të ndriçonte Shqipërinë dhe zemrat e tyre, shqiptarët duhet të bashkoheshin dhe të ngriheshin kundër zgjedhës së huaj, për ta shporrur njëherë e përgjithmonë nga territoret e Arbrit, nëpërmjet Aktit të Pavarësisë dhe krijimit të Qeverisë së Vlorës.
Figura e Ismail Qemalit ka një rëndësi të veçantë në historinë e popullit shqiptar, pasi ai qëndroi në krye të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, kundër otomanëve, duke sjellë lirinë, pavarësinë e territoreve shqiptare. Ismail Qemali është themeluesi i shtetit të ri shqiptar, “babai i kombit”, mendjendrituri, me kulturë të gjerë, i urtë, fisnik, “Prometeu i Lirisë”, burri i cili përdori të gjithë eksperiencën e tij si shtetar në administratën më të lartë në Perandorinë Osmane, duke drejtuar me mençuri shqiptarët në krijimin dhe ndërtimin e shtetit të tyre.
Pavarësisht se Qeveria e Vlorës ishte një qeveri e brishtë, pasi nuk ishin pjekur akoma kushtet që Shqipëria të kishte një qeveri të vetën drejtuese, me institucione të konsoliduara demokratike, pavarësisht problemeve dhe tensioneve të tjera që erdhën më pas, shqiptarët e treguan në “sytë e botës”, se ishin të gatshëm të ndërtonin vendin e tyre dhe do të qëndronin gjithmonë të bashkuar për të kontribuar në lëvizjen kombëtare shqiptare, me përpjekjet e trimave brenda vendit dhe figurave të spikatura mendjendritura, që ishin shpërndarë nëpër botë, duke ndihmuar dhe luftuar në kancelaritë e huaja për çështjen e kombit shqiptar. Akti i Pavarësisë dëshmoi edhe njëherë se shqiptarët janë pasardhës të denjë të heroit legjendar, Gjergj Kastrioti Skëndërbeu, prijës i Arbrit, strategut, udhërrëfyesit, trimit, luftëtarit, që theu turqit në shumë beteja, dhe ishte i pari që ndërtoi marrëdhëniet diplomatike me Perëndimin. Amaneti i tij po shkonte në vend…
Fundi i Perandorisë Turke dhe Shpallja e Pavarësisë
Periudha e pushtimit të territoreve shqiptare nga Perandoria Osmane, i përket viteve 1384-1912, ku shqiptarët qëndruan të shtypur për 528 vjet, jetonin në kushte të mjerueshme dhe ishin analfabetë, ndërsa kleri katolik luajti rol të rëndësishëm në mësimin e gjuhës shqipe dhe shkencave të tjera, por, shumë prej tyre u vranë dhe u ekzekutuan nga turqit. Osmanët, sapo erdhën në territoret shqiptare, përdorën mjete nga më barbaret për të ndaluar mësimin e shqipes, ata që do të mbanin fenë e krishtere do të paguanin taksë, e njëjta gjë edhe për ata shqiptarë që do të lidhnin martesa me familje të krishtera. Ashtu siç pati ndodhur edhe gjatë periudhës të mëvonshme, pasmesjetare, Fuqitë e Mëdha e lanë Shqipërinë dhe Ballkanin në përgjithësi nën pushtimin osman për 528 vjet, për interesat e tyre gjeo-politike, për të penguar daljen e Serbisë në det dhe për të ndalur shtrirjen e Perandorisë Austro-Hungareze drejt Selanikut. Tradhtitë dhe pabesitë e zyrtarëve të lartë të kontinentit plak ndaj Shqipërisë që patën nisur që në periudhën mesjetare, nuk po ndalen as sot, duke e mbajtur larg Bashkimit Europian, larg mirëqënies, dinjitetit dhe respektit.
Ditët e fundit ka patur një deklaratë shokuese nga sekretarja e Brendshme e Britanisë së Madhe, Suella Braverman, ku i etiketon shqiptarët si kriminelë. Në vend që të kërkojnë falje për çorbën që gatuan në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, më 1913, për Traktatin e Fshehtë të Londrës, më 1915, që donin të zbatonin kundër Shqipërisë, Britania nxjerr jashtëqitje të tilla me pafytyrësinë më të madhe. Por, pjesa më e rëndësishme është dashuria për njëri-tjetrin, bashkimi i shqiptarëve, me zemër, me mendje, për një qëllim të përbashkët, duke i treguar botës gjërat më pozitive për veten dhe kombin, dhe jo të shesim njëri-tjetrin duke u përçarë. Bashkimi është fuqi, dhe nuk ka asgjë që e tund nga themelet! “Shumë duhet të punojmë ne shqiptarët, sot dhe për së shpejti; po më parë nga të gjitha, të shëndoshim dashurinë dhe vëllazërinë në mes tonë”, thotë Konica. I vetmi vend që e ka mbështetur Shqipërinë në të gjithë historinë shekullore, është SHBA-ja, aleatja, mikja besnike, partneri strategjik me një rol vendimtar dhe të pakthyeshëm për vendin.
Lufta Ruso-Turke dhe luftërat ballkanike e dobësuan Perandorinë Osmane, duke bërë që shqiptarët të gjenin rastin të shpallnin pavarësinë dhe të shkëputeshin nga etiketimi Turqia Europiane. Perandoria ishte në grahmat e fundit. Në gusht të 1912, Stambolli, pas shumë përpjekjesh njohu idenë kombëtare shqiptare për bashkimin e trojeve shqiptare, të 4 vilajeteve. Kjo bëri që të ndërhyjnë fuqitë ballkanike, duke sjellë humbjen e osmanëve në Luftën Ballkanike, por, fatkeqësisht dhe copëtimin e trojeve shqiptare. Fqinjët në mënyrë të qëllimtë nxitën kryengritjet e shqiptarëve kundër osmanëve, në mënyrë që Perandoria Turke të kapitullonte dhe ata të përfitonin nga rasti të grabisnin territore shqiptare. Sot e kësaj dite, Shqipëria vuan dramën e marrjes së territoreve në mënyrë të padrejtë, ndërsa Fuqitë e Mëdha jo vetëm që nuk bënë asgjë, por mbështetën orekset e Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë.
Plaku i Vlorës, Ismail Qemali, së bashku me 40 delegatët të ardhur nga Gjakova, Plava, Gucia, Peja, Ohri, Struga, Tetova, Çamëria, Mitrovica, si Luigj Gurakuqi, Isa Boletini, etj, madje pakica kombëtare që jetonin në trojet shqiptare, erdhi si një “Promete” për t’i kthyer vendit lavdinë e munguar, lirinë, pavarësinë, begatinë në trojet e tyre. Pavarësia e tokave shqiptare u shpall nga Kuvendi Kombëtar i 28 nëntorit 1912 dhe u valëvit krenar Flamuri Kombëtar Shqiptar. Lista e firmëtarëve të dokumentit të pavarësisë u botua në gazetën e qeverisë së dalë nga ajo asamble, Përlindja e Shqipniës. Firmëtarët janë: Ismail Qemali, Nikollë Kaçorri, Vehbi Dibra Agolli, Jorgji Karbunara, Elmas Boçe, Veli Harçi, Qazim Kokoshi, Jani Minga, Rexhep Mitrovica, Dhimitër Tutulani. Aristidh Ruçi, Abdi bej Toptani, Abaz Dilaver Çelkupa, Mid’hat Frashëri, Shefqet Dajiu, Zihni Abaz Kanina, Xhelal Koprëncka, Hajredin bej Cakrani, Qemal Karaosmani, Ilias bej Vrioni, Salih Gjuka, Dhimitër Beratti, Dhimitër Mborja, Dhimitër Zografi, Murad bej Toptani, Pandeli Cale, Luigj Gurakuqi, Bedri Pejani, Spiridon Ilo, Thanas Floqi, Qemal Mullaj, Lef Nosi, Myrteza Ali Struga, Nuri Sojliu, Mustafa Merlika-Kruja, Ferit bej Vokopola, Ymer Deliallisi, Xhemal Deliallisi, Nebi Sefa, Zyhdi Ohri.
Figura e Ismail Qemalit dhe Qeveria e Vlorës
Ismail Qemali është personaliteti që mbart një vlerë dhe një rëndësi të madhe në historinë e popullit shqiptar. Me aktin e tij, solli pavarësinë e territoreve shqiptare nga pushtimi osman. Ismail Qemali nuk ndryshoi vetëm fatin e Shqipërisë, por dhe të Ballkanit në përgjithësi. Ky personalitet me formim të gjerë pati pozicione të larta drejtuese në Perandorinë Turke, ashtu si edhe shumë shqiptarë të tjerë, dhe, gjithë eksperiencën e tij e përdori në ndërtimin e shtetit shqiptar. Ismail Qemali ishte Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministër i Jashtëm, Ministër i Punëve të Brendshme, i Drejtësisë; Kryetar i Komisionit Evropian të Danubit; këshilltar a sekretar i kryeqeveritarëve në vilajete; prefekt në qytete të mëdha a kryeqeveritar në krahina të mëdha të Perandorisë; kryetar i Dhomës së Deputetëve.
Ai firmosi i pari Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “Ismail Kemal”. Në deklaratë thuhej; “Në Vlonë më 15/28 të Vjeshtës së Tretë 1328/ 1912. Asambleja Kombëtare e cila shpalli pavarësinë në 28 nëntor 1912, zgjodhi senatin me 18 anëtarë. Ismail Qemali zgjidhet kryeministër, nga periudha 4 dhjetor 1912 – 22 janar 1914. Komplotet dhe mosmarrëveshjet bënë që kjo qeveri të ishte jo shumë jetëgjatë. Pas qeverisë së Ismail Qemalit u krijuan edhe disa qeveri të tjera, ajo e Turhan Pashës, Sulejman Delvinës, Iliaz Vrionit, gjë që tregoi një destabilitet politik. Ndoshta nuk mund të quhej një qeveri e mirëfilltë, por ky akt i dha peshë Shqipërisë të dalë nga pushtimi i gjatë osman, se përpjekjet e shqiptarëve nuk do të ndaleshin për pavarësi të plotë, se ky vend nuk ishte pa Zot.
Copëtimi i Shqipërisë, roli i Fuqive të Huaja
Gjatë viteve 1910-1912, Shqipëria ishte shndërruar në një vend baruti, ku fqinjët synonin të rrëmbenin një pjesë të territorit të saj. Kryengritjet e armatosura të shqiptarëve të viteve 1910, 1911, 1912, që u mbështetën nga fqinjët në mënyrë tinzare, për të përfituar për veten e tyre, sollën vërtet rënien e Perandorisë Osmane, por për Shqipërinë fatkeqësisht u hap një kapitull i ri; copëtimi i territoreve të saj nga fqinjët, si Serbia, Bullgaria, Mali i Zi, Greqia. Kryengritjet shënuan nisjen e Luftrave Ballkanike që lanë një plagë të madhe edhe në ditët e sotme, duke e shpërfytyruar Shqipërinë Natyrale. Shpalljen e Pavarësisë nga Perandoria Turke fqinjët e mbështetën, por, kjo pavarësi nuk u njoh nga disa vende, kurse Serbia, Mali i Zi dhe Greqia vazhduan t’i mbanin trupat e tyre në territoret shqiptare. Gjendja e Shqipërisë pasqyrohej edhe në shtypin e huaj të kohës. Korrespondenti për Ballkanin, Leon Trocki, thoshte: “fshatra të tërë shqiptarë ishin kthyer në grumbuj zjarri. Nga kufiri me Serbine e deri në Shkup shihje vetëm zjarr e plaçkitje…”. Ndërsa burimeve të tjera të huaja citonin se, rreth 25 mijë shqiptarë u vranë vetëm në Kosovë në muajt nëntor 1912-janar 1913.
Më pas, Konferenca e Ambasadorëve në Londër, më 1913, nën drejtimin e Eduard Grey, u mblodh pas rënies së Perandorisë Osmane dhe luajti rolin e arbitrit mes shteteve fqinje ballkanike, që kërkonin të merrnin pjesë të territorit shqiptar. Konferenca nënshkroi Traktatin e Londrës, për të njohur Principatën e Shqipërisë si shtet sovran të pavarur nga Perandoria Osmane. Ndërkaq, konferenca mori vendime që prekën gjysmën e territorit të Shqipërisë së pavarur, ku Vilajeti i Kosovës iu dha Serbisë, Çamëria Greqisë, Mali i Zi mori Plavën, Gucinë dhe Ulqinin. Austro-Hungaria pati një rol të veçantë në Konferencën pati një rol të veçantë në Konferencën e Londrës, duke kundërshtuar copëtimin e Shqipërisë, pasi kishte interesat e veta në Ballkan, ku kufijtë e saj shtriheshin deri në Bosnje. Kështu, asaj nuk i interesonte një Serbi rivale të dilte në det, pasi Austro-Hungaria vetë dilte në Trieste dhe në rajonet kroate e sllovene. Gjithashtu, Austro-Hungaria ishte kundër dhënies së Vlorës dhe ishullit të Sazanit Italisë, pasi kjo e fundit do të bllokonte hyrjen e saj në kanalin e Otrantos. Austro-Hungaria e mbështeti Qeverinë e Vlorës, jo sepse kishte marrëdhënie të mira me Ismail Qemalin apo e donte vërtet një gjë të tillë për shqiptarët, por që shtetet kërcënuese të krijonin idenë se Shqipëria është e pavarur dhe po ndërton shtetin e saj, duke mos lejuar shtrirjen e tyre deri aty saqë të kërcënohej edhe ndikimi i Austro-Hungarisë në Ballkan.
Roli i Diasporës Shqiptare
Diaspora Shqiptare ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për lëvizjen kombëtare shqiptare. Përpjekjet e saj janë po aq të rëndësishme sa ç’ është edhe roli i themeluesit të shtetit shqiptar. Diaspora e parë Shqiptare ishte ajo e Italisë dhe Greqisë, por diaspora shqiptare më e madhe është ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Fan Noli dhe Faik bej Konica, më 28 prill të 1912, i dhanë një peshë të madhe rolit të diasporës në çështjen kombëtare shqiptare. Ruajtja e territoreve shqiptare dhe ruajtja e gjuhës shqipe si një thesar i çmuar, ishte plaga që mbante ndezur brengën për të ardhmen e kombit. Ishte kjo brengë, dashuria për kombin, motivi që i mbajti gjallë dhe të mbërthyer deri në frymën e fundit, për të parë Shqipërinë të pavarur dhe të lirë.
Dy personalitetet e ndritura, Noli dhe Konica, themeluan Shoqatën Pan-Shqiptare Vatra, e cila kishte në qendër të saj problemet e Shqipërisë, ku luftoi për bashkimin e shqiptarëve dhe lirinë e trojeve, duke mos lejuar një copëtim të dytë të territoreve shqiptare. Vatra ka një vlerë të madhe patriotike edhe në ditët e sotme, pa të cilën nuk ka kuptim dhe jetë nacionalizmi shqiptar. Vatra, por edhe të tjera shoqata shqiptare, kontribuojnë me anë të aktiviteteve të ndryshme dhe shkollave shqipe, për të mbajtur gjallë traditat dhe promovuar vlerat kombëtare. Më herët u krijua shoqëria e parë shqiptare, “Malli i Mëmëdheut”, më 1 janar 1906, në shtëpinë e Thanas Viso Mborjes në Buffalo, Nju Jork. Më pas, më 15 shkurt 1909, pranë shoqërisë “Besa-Besë” në Boston, u krijua gazeta “Dielli”, me kryeredaktor Fan Nolin, e cila shërbeu në dobi të çështjes shqiptare. Shkrimtarja dhe publicistja, Sevasti Qiriazi, ka dhënë kontribut me shkrime në disa revista të kohës. Naim Frashëri, në vitin 1885, bashkë me të vëllanë dhe shqiptarë të tjerë në Stamboll, pjesë e “Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip”, arritën të bindin Portën e Lartë për hapjen e një shkolle shqiptare për djem në Korçë. Ndërsa në 7 mars 1887, u hap zyrtarisht shkolla e parë shqipe në Korçë, ku mblodhi plot djem dhe vajza, megjithëse shqiptarët ende nuk ishin në ato kushte për të qenë plotësisht të lirë në vendin e tyre, në të gjitha aspektet.
Roli i SHBA-së në mbrojtjen e Shqipërisë
SHBA-të kanë marrë pjesë në Luftën e Parë Botërore pas tri vitesh, në 1917-ën, përkrah Bllokut të Antantës. Anglia dhe Franca patën interes të kishin SHBA në krah të tyre për t’i bërë ballë rrezikut që vinte nga Gjermania. Por edhe vetë SHBA-të e shihnin si rrezik Gjermaninë, pasi kjo e fundit pati deklaruar se do të ndihmonte Meksikën të merrte territoret e saj, të pushtuara nga SHBA-të. Duke u bërë pjesë e diskutimeve për luftën, SHBA-ja kishte një peshë të veçantë në vendimet që do të merreshin nga fuqitë europiane. Presidenti Udrou Uillson luajti një rol të rëndësishëm në fatin e trojeve shqiptare, duke mos lejuar një copëtim të mëtejshëm të Shqipërisë, mes Italisë, Greqisë, Serbisë. Këtu do të përmendim personalitetin shqiptar, Fan Noli, i cili do të mbahet mend për takimet dhe dialogun me Presidentin Amerikan, Udrou Uillson, i cili dha ndihmën e madhe për njohjen e shtetit shqiptar. Edhe përpjekjet e shumë atdhetarëve të tjerë dhanë kontribut të madh, që Shqipëria të mos copëtohej në mënyrë që të humbte komplet kufijtë e saj natyralë. Uillson nuk lejoi copëtimin e Shqipërisë në vitin 1919, në Konferencën e Paqes në Paris, duke u bërë zëri i të gjithë shqiptarëve, që kufijtë e Shqipërisë të mos tkurreshin akoma edhe më shumë pas vendimit jo të drejtë të Konferencës së Londrës, në vitin 1913. Presidenti u bë një figurë e rëndësishme me anë të programit të tij që ka hyrë në histori me emërtimin 14 Pikëshi i Udrou Uillson për popujt që kishin qenë pjesë e luftës. Programi i tij kishte në qendër arritjen e paqes dhe ardhjen e demokracisë.
Momenti kur Noli ka dialoguar me Uillson, është një moment i çmuar dhe shumë me fat për Shqipërinë, por ky nuk ka qenë i vetmi. “Unë si lutës i përulur iu afrova dhe i thashë ta shpëtonte këtë racë heroike dhe të pashpresë dhe t’i ktheja asaj bukën e jetës, lirinë”, i ka thënë Noli, Uillsonit. “Unë do të kem një zë në Konferencën e ardhshme të Paqes dhe atë do ta përdor në favor të Shqipërisë”, i është përgjigjur Uillson. Austro-Hungaria ka meritë në moscopëtimin e trojeve shqiptare, sepse kishte interesat e saj në Ballkan. Por, politikani i lartë amerikan, Udrou Uillson, ka meritën më të veçantë dhe më të sinqertë, për të mbrojtur kombin shqiptar nga orekeset e fqinjve. Pa rolin e Uillson, ndoshta sot Shqipëiria nuk do të ekzistonte në hartën e globit. Uillson donte një Shqipëria të pavarur dhe demokratike, sipas planit të vetëvendosjes së shteteve të dala nga Lufta e Parë Botërore. Fati i shqiptarëve është i lidhur ngushtë me SHBA-të, pasi figura të mëvonshme si Bill Klinton, Xhorxh Bush, Marti Ahtisari kanë dhënë një mbështetje të madhe për pavarësinë e Kosovës. E vetmja periudhë e marrëdhënieve të ngrira është ajo e diktaturës, kur SHBA ishin pozicionuar kundër sistemit komunist, kancerit të shoqërisë, por, me rënien e perdes së hekurt, shqiptarët përqafuan frymën demokratike të SHBA, duke e shndërruar në aleatin më të besuar.
Kongresi i Manastirit dhe Rilindasit
Ngjarjet historike në këtë shkrim janë renditur duke i zbritur vitet, nga shpallja e pavarësisë, si një moment kyç për Shqipërinë, e deri më herët, te zyrtarizimimi i Abetares. Kongresi i Manastirit është një moment tjetër historik po aq i rëndësishëm, i cili dëshmon përpjekjet e shqiptarëve dhe rilindasve mendjendritur për një Shqipëri të pavarur në të gjitha pikëpamjet. Kongresi i Manastirit është zhvilluar në qytetin e Manastirit, mes datave 14 nëntor – 22 nëntor 1908, për standardizimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Kongresi u mbajt prej shoqërisë “Bashkimi” në shtëpinë e Fehim Zavalanit, ku ishte edhe selia e shoqërisë. Pjesëmarrësit në kongres ishin figura të dalluara të jetës kulturore e politike mbarëshqiptare. U thirrën 50 delegatë si Gjergj Fishta, Mid’hat Frashëri, Sotir Peci, Ndre Mjeda, Shahin Kolonja, Bajo Topulli, Parashqevi Qiriazi, Fehim Zavalani. Delegat tjetër nga familja Zavalani ishte Izet Zavalani, përfaqësues i Follorinës. I zoti i shtëpisë, Fehim Zavalani, mbajti fjalën hyrëse.
U vendos alfabeti latin, në mënyrë që shqiptarët të merreshin vesh më qartë me vendet e tjera. Njohja e kombit shqiptar kërkonte edhe themelimin e shkollës së pavarur shqipe, që do të arrihej duke i kthyer të gjitha shkollat shtetërore turke në Shqipëri, në shkolla kombëtare. Gjuha amtare shqipe do të vendosej si gjuhë mësimi në të gjitha këto shkolla shtetërore, ndërsa turqishtja do të mësohej si lëndë e veçantë, duke filluar nga viti i katërt i shkollës fillore. Një nga kërkesat më të rëndësishme në fushën e arsimit ishte ajo për themelimin e një universiteti shqiptar, që kishte qenë aspiratë e hershme e rilindësve.
Përpjekje të mëdha ka bërë edhe kleri katolik, ku sipas dokumenteve dhe studimeve që janë bërë, priftërinjtë hapën shkolla që datojnë nga viti 1585; në Kurbin më 1632; shkolla e Pllanës dhe të Blinishtit në vitin 1644; shkolla e mesme në Janjevë të vitit 1670; shkolla e Rrjollit, e hapur nga Pjetër Bogdani me mësues Marin Gjini, në vitin 1675; shkolla e Shkodrës, e hapur nga Filipi, nga Shkodra, në vitin 1698, e shumë shkolla të tjera. Populli shqiptar ka kaluar nëpër vuajtje dhe sfida të mëdha, padrejtësi që i janë bërë nga Europa dhe fqinjët, megjithatë ka arritur t’ia dalë mbanë edhe pse në situata tensioni, konfliktesh, etj.
Gëzuar Festën e Flamurit!
Duke qëndruar të bashkuar, duke besuar dhe punuar fort për kombin dhe veten, askush nuk do të na rrëzojë dinjitetin, nderin, personalitetin dhe krenarinë!