Prishtinë, 17 janar 2024 – Dymbëdhjetë minatorë të kombinatit metalurgjik Trepça kanë pësuar lëndime të mërkurën gjatë transportimit të acidit sulfurik në ambientet e punës.
Ata janë jashtë rrezikut për jetë.
Lajmin për Radion Evropa e Lirë, e ka konfirmuar Bujar Jashari, drejtor teknik në këtë kombinat.
Incidenti ka ndodhur në horizontin e njëmbëdhjetë të minierës së Stantërgut në Mitrovicë të Jugut.
Zyrtarët shëndetësorë në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës kanë thënë se ndihmë mjekësore kanë kërkuar 12 minatorë dhe se dy prej punëtorëve kanë pësuar lëndime më serioze në sy, ndërsa të tjerët në gjymtyrë.
Disa janë duke u trajtuar në spital, dhe një pjesë është lëshuar për trajtim shtëpiak.
Jashari i ka thënë Radios Evropa e Lirë se minatorët e përdorin acidin sulfurik për pastrimin e gypave të pompave dhe që gjatë transportimit të lëndës ka pasur rrjedhjes të bombolës.
Kompleksi metalurgjik Trepça është shoqëri aksionare: 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, 20 për qind janë të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje.
(REL)