Nga Visar ZHITI
15 vjet më parë, në ditën e 7-të të shkurtit të vitit 2006, piktori Ibrahim Kodra mbylli sytë përgjigjmonë në Itali, në Milano, ku jetonte që para Luftës së Dytë Botërore dhe, si të thuash, lufta për të nuk rreshti, kaloi në fushën e artit, ku ai triumfoi, u bë ndër piktorët më të njohur në Europë në kohën e tij.
Po, ai ka kohë të veten, tashmë.
Dhe piktorin e njohur e sollën në atdhe, që të prehej në vendlindje, në Ishëm të Durrësit, mbi nje kodër të lartë është varri, ku duken deti, Durrësi, Kruja, edhe Shkodra më tej, madje, kur bën kohë e mirë, edhe bregu Italian përballë..
Patjetër që Ibrahimi fëmijë, jetimi, kishte ardhur aty, mbase për të kullotur delet, do jetë ndjerë më pranë qiellit, si shpirt, si tani dhe ka ëndërruar të ikë larg, te ëndrrat, të bëhet piktor, se ja, a nuk habiten të gjithë kur vizatonte mureve apo në fletat që ia sillte babai marinar?
Dhe iku. Atdheu i mbylli dyert për shumë gjatë, një gjysmë shekulli dhe ai u bë shqiptari i famshëm, siç i thoshte Pikasso, “shqiptari im”.
Hapi ekspozita nëpër të gjithë Italinë dhe në metropolet e Europës, në Francë, Austri, Gjermani, Spanjë, Zvicër, etj, shkonte dhe vetë, deri në SHBA ka qenë i ftuar.
Mbi 6000 vepra të tij janë përhapur në të gjithë kontinentet…
Albumet, librat për të, kujtimet, intervistat, edhe ato televizive deri në Japoni, dokumentarët, ekspozitat prapë, postume janë të shumta dhe joshëse.
Do të desha ta kujtoj dhe unë piktorin Ibrahim Kodra në këtë 15 vjetor, kam mall, u bëmë miq, edhe familjarë, kam arsye dhe ca më shumë, dhe kërkoj nga ato që kam botuar për të, artikuj, madje dhe në shtypin Italian, në “Corriere della Sera”, që ai u gëzua shumë, jo për vete, po për mua, edhe në katalogë të tij kam thënë diçka, deri edhe në një roman, po i nxjerr… më mërmërit dhe ëngjëlli im…
Ibrahim Kodra:
portrete të Visarit dhe Edës
MIQËSI ME PIKTORIN:
Ne e kemi njohur piktorin Ibrahim Kodra, ai e kishte te shenjtë miqësinë. Kemi qenë dhe në shtëpinë e tij në Milano, jemi kthyer në Akademinë “Brera” ku ai studio, e kemi pritur dhe në Tiranë, kemi parë ekspozita të tij… kemi bërë dhe homazhe dhe…
…Vepra e tij ndrit, me të vërtetë ndrit, me ato ngjyra të gëzueshme jete, kur arti i shekullit XX, i pas Luftës së Dytë Botërore në Perëndim, ra në një ekzistencializëm pesimist, në një alienim të pa mëshirshëm, kurse te postkubisti Kodra mbeti dhe një buzëqeshje fëminore dhe e mençur, për të cilën ka aq shumë nevojë, jo vetëm arti, por i gjithë njerëzimi… Dhe kujtimi i Kodrës ashtu është, njerëzor, që sa më plak bëhej, aq dhe më shumë fisnik. Madje i gjithmonë për pikturën.
Siç duket, krahas miqve të mëdhenj që pati Kodra, piktorë së pari deri edhe Pikasso-n, poetë, madje bashkëpunoi me nobelistët italianë Eugenio Montale e Salvatore Quasimodo, ndërsa shkrimtarit Dino Buzati do t’i thoshte: “po vizaton ashtu siç shkruan”, që e ngazëlleu së tepërmi, ishte bashqytetar me ta në Milano, po kështu vazhdoi miqësitë dhe me brezin e mëpastajmë të tyre, si me poetin dhe kritikun e artit Sebastiano Grasso, i cili na bashkoi me Kodrën tonë, etj, po Kodra njihej dhe me Alberto Moravian, kishte pritur në shtëpi poetin francez Paul Eluard, kishte ndejtur me shkrimtarin amerikan Heminguejin, etj, etj, miq të tij ishin dhe të panjohur, fqinjët, kamerirët, mjekë, juristë, studentë, etj, etj, por mbi të gjitha të vegjëlit….
Ndërkaq në biseda ai mallëngjehej menjëherë kur fliste për fshatin e lindjes, imazhin e nënës, që e la fohnjë, shokët, kujtohej që para se të ikte me studime nga Mbretëria e Shqipërisë, ilustronte reklamat për filmat e rinj, tekstet e të cilave i bënte shkrimtari që do të burgosej më vonë, Mustafa Greblleshi, bëri kopertinën e romanit të njohur atëhere, “Sikur të isha djalë” të Haki Stërmillit, etj, do të çmonte shumë si shkrimtar bashkatdhetarin e tij Kadare, shkonte në Kosovë, ku e shpallën dhe akademik, takohej me Presidentin Rugova apo priste prapë në shtëpi kitaristin me famë botërore, Ehat Musa, që tashmë jetonte në Paris, e gëzoi pa masë monografia–album e Abdulla Tafës, pritjet në Tiranë, helikopteri presidencial që Berisha i vuri në dispozicion, datëlindjet qe festonte, gjithmonë 79 vjetorin, një here, dy, tre, 80 do të bëhem kur dua unë, thoshte…
Në këtë kohë me Kodrën rrinte shumë arbëreshi Demetrio Patitucci, bënte manexherin e pastaj, deri në fund, me një besnikëri epike, Fatos Dashi Faslliu, duke i dhënë atij copëza atdheu, ngrohtësi familjare të familjeve të tyre, por edhe gjuhë amtare. Deri më tani, pas vdekjes…
FËMIJËT:
…atij i mbeti një çiltërsi dhe një buzëqeshje fëminore për gjithë jetën, ndoshta nga që i pëlqente shumë të rrinte me fëmijët, ishin miqtë e tij përrallorë. Edhe ushqimet, kur e njohën ne, na dukej se pëlqente nga ato të fëminïsë dhe i patëm çuar në Milano gatime shqiptare, i bënte Eda ime, e falenderonte si një atë, i tregonte se sa mirë bëjnë ngjyrat për sytë, sidomos fëmijëve, teksa hidhte shpejt ca vija dhe skiconte portretin e saj.
Fëmijët, vërtet fëmijët ishin gëzim për Kodrën. Dhe jo vetëm aq. Ka një mister në miqësinë e artistëve, poetë, piktorë, me fëmijët, marrin jo vetëm nga nga spontaneiteti i tyre, por dhe nga ajo habi për të cilën arti ka aq shumë novojë. Nuk ka art pa habinë magjepsëse. Pastaj në kujtesën e fëmijëve gjyshi do të mbetet më gjatë, e thotë dhe Frojdi pak a shumë kështu.
E ç’të kujtojmë më parë, kur për ne kujtimet janë bërë aq të shtrenjta, qiellore… Ja, një herë në një festë me miq, kur Kodra po luante me dy fëmijë spanjollë, motër e vëlla, e i tha dikush përreth: janë si ëngjëj fëmijët, jo, u përgjigj Kodra: janë engjëj. Ndërsa në vendlidjen e tij, në fshatin Ishëm të Durrësit, i rrethuar nga qindra fëmijë të shkollës, u dëgjua t’i përgjigjej gazetarit të një televizionit, që po e pyeste ndër të tjera se ç’fëmijë kishte: ja, të gjitha këta, tha Kodra dhe qeshi I gjithë, sytë, buzët, balli, duart…
E kishim parë në studion e tij, që ndërsa pikturonte totemin e tij të famshëm, po i shtonte një Pinok përballë, do ia dhuroj një djali, kemi miqësi familjare, më dha një orë për datëlindjen, tregoi. Në kavaletin më tej kishte mbaruar një pikturë që dhe ajo do të dhurohej, një kirurgu këtë radhë, në vend të pagesës për një operacion që kishte kryer mbi bashkëshorten e një miku.
Ndoshta të mbi 6 mijë pikturat e Kodrës, të shpërndara nëpër botë, kanë nga një histori.
“NË KOHËN E BRITMËS” – KODRA PERSONAZH NË ROMAN
Në një nga romanet e mi, “Në kohën e britmës”, botuar në 2009 dhe ribotuar një vit më vonë, piktori Ibrahim Kodra është persoznazh. Besoj se kur bëhen personazhë letrarë personalitete të jetës dhe artit, ndjehen më mirë se kudo, janë të gjallë shumë më tepër se në monografitë apo konferencat, aty jetojnë, janë mes nesh siç do të donin.
Po sjell pjesë nga kreu për Kodrën:
– Ku është tryeza jonë? – pyeti Adriani kushërirën e vet kameriere.
– Ja, përballë është e maestro Kodrës.
– Bukuri, – fërkoi duart Evgjeni. – Ka verë të mire… Në tryezat më tej kishte gra, dukeshin të bukura. Llërë, dorashka të bardha, të zeza, gjinj, dekolte, kapela, gjunjë, uli sytë, çizme […]. Një riprodhim me numër serie e një totemi-muzikant të Kodrës. I qeshur ndërkohë, siç janë veprat e tij. I fundmi postkubist i botës, mendoi Evgjeni. Ca shkallë të drunjta, kati i dytë i lokalit dhe muzikë klasike, ulët fare.
– Vilma, të thashë, janë miqtë e mi, Evgjeni dhe Martini.
– Gëzohem. Këtë e kam parë, më duket, po, po, – dhe ajo tregoi Martinin. – Na erdhët në shtëpi, kur kërkonit… Ka ndonjë lajm?
– Jo, jo.
– Të gjithë humbim, – psherëtiu Vilma. – Unë e kam vënë njoftimin në xham, që na e dhatë atë mbrëmje, ja […]’
Adriani po ulej në karrigen e tij, kurse Evgjeni me Martinin po vazhdonin bisedën. “Miqtë e Afërditës dhe të Gjergjit”, thoshin… të sensibilizonin shqiptarë dhe italianë… të kërkonin të humburit… të jemi kundër harresës… për përgjegjësi të barabarta. Të gjithë jemi përgjegjës. Po, po, pse jo?…
– Po vjen Maestroja, – tha Vilma, është me një mik.
Piktori plak ecte rëndë-rëndë, siç e përshkruanin gazetat, “Zhan Gabeni i ngjyrave”, ashtu qe veshur, xhaketë me katrorë të bardhë, pantallona me katrorë të zinj, kapelë me katrorë të verdhë, shall blu, të mëndafshtë rreth qafës, flokë të rrallë, por me pak bisht pas, e kam shpikur unë, thoshte, pastaj u bë modë, këpucë me tri ngjyra, njëra si e shtuar rishtas. Ç’i tundej te këmbët, kone e vockël? Jo, i kishte rënë llapa e njërës prej çorapeve, ha–ha-ha, sa piktoreske. Gjithë mirësi në fytyrën e rreshkur, me rrudha të shumta, me një hundë të madhe e buzë të trasha, e poshtmja pak e kthyer, sy të vegjël, të qashtër. Në gishta, unaza të shumta si të arixhinjve, byzylykë dhe zinxhirë të florinjtë
– Bah, duket që është i madh! – u entuziazmua Evgjeni. – Mitik dhe ky… – “Sa pleq të mirë ka Shqipëria, – tha me vete, – veçanërisht kur janë mërgimtarë! Po im atë si po plaket?”
Maestroja u drejtua për në tryezën e vet, tërhoqi karrigen… Tjetri, që i shkonte nga pas, burrë i ri, arkitekt italian, kështu tha Vilma, por që ka një merak, a i shkon xhaketa me sherrin që ka bërë me gruan që bashkëjeton. Po, po, tha vetë. Kamerierët e dinin se ç’duhej të sillnin si fillim.
Maestroja hante pa u ngutur, me sqimë, i mbushte vetë gotat me verë, të kuqe patjetër, jo vetëm që s’të bën dëm, por mirë gjithmonë, nga pak, se Zoti na e ka dhënë përjetësinë, njerëzit s’dinë dhe vdesin, thoshte Kodra dhe bëhej gjithë sy e veshë kur fliste tjetri, tundte kryet i qeshur, futte lugën e madhe në tarator, përgatitur për qejfin e tij. Mbaroi më parë se tjetri. “Ti ha, – i tha, – peshku s’ishte i ndenjur, ka fosfor, të bën mirë për kujtesën, merr dhe ëmbëlsirë. E di ti që kam botuar në “Corriere della Sera” në faqet “Salute” për ushqimet dhe shëndetin, çfarë të forcon njëra dhe çfarë tjetra dhe si duhen përdorur? Vëri re frutat: çdo prodhim ka formën e një organi të njeriut… Ti pare?… Molla i bën mirë zemrës. Por edhe domatja, prite dhe shiko si është e ndarë në 4 xhepa si zemra. Se, po s’e gjete ngjashmërinë së jashtmi, ndaje frytin, autopsi… shiko një rrotëz karote, është si irisi, se i bën mirë syrit. Dardha, patëllxhani, kanë formën e seksit të gruas, atë e ushqejnë më shumë, si fiqtë që i duhen burrit të hajë, përnjëmend e kam, farzat brenda ndihmojnë farën. Dhe më vinin letra nga gratë, kërkonin të dinin se çfarë u bënte mirë… deri dhe për qerpikët më pyesnin. Pisha, thosha, të ziesh halat e tyre.” – Dhe qeshi.
Maestro, pse s’je martuar? Kam pasur raste shumë, nuk u thosha unë ikni, iknin vetë, të duan të gjithin ato, kurse unë vazhdoja të punoja. Maestros i sollën një pije tjetër me pak akull brenda. Duhej të ishte e fortë. Heshtte dhe shikonte pa u kuptuar se po këqyrte përreth. Dhe kthente herë pas here gotën.
Dhe filloi mrekullia. Ai nisi të bënte atë për të cilën kishte ikur herët nga shtëpia, që para luftës, nga fshati i tij, nga atdheu, përshkoi qytete e shkolla dhe moshën e vet e u bë piktor, ndër më të njohurit, shkonte kudo me ekspozita, në të gjitha kontinentet, por vetëm në atdhe s’mund t’i çonte veprat e tij. Ishte i ndaluar arti i tij, impresionist, abstrakt, postkubist… Arriti të vinte një herë në Tiranë dhe tha se donte të vizitonte burgjet, por s’ka burgje te ne, i tha shoqëruesi. Pse, ç’i bëni ata që i dënoni? – pyeti. Jo, i kritikojmë në mbledhje në lagje dhe u mbajmë pará nga rroga, një ditë, dy ditë pune, kaq. Ashtu? – tha Kodra, – s’e dija, se kam ca miq në burg, s’më kishin thënë gjë… U mbani ditë pune apo vite jete? Tani i zhdukin, Maestro, sikur të mos kenë qenë kurrë.
Ai po vazhdonte të vizatonte mbi një gazetë çfarëdo. Ngadalë. Me qejf. E shikonte fletën e madhe, përllogaritte shkronjat, vizat e tij, e anonte, hidhte sytë nga tryezat përtej. Nxori një tjetër tip stilolapsi nga xhepi i madh i xhaketës, me majë më të trashë. “Ik më merr një gjethe nga ajo vazoja atje, – i tha atij që kishte pranë, – jo, jo, atë tjetrën.” E mori gjethen, e bëri shuk me gishtat e trashë dhe e ngjeshi mbi vizatimin. E kaloi disa herë lart e poshtë deri sa ajo lëshoi ngjyrë aq sa donte ai, një e blertë natyrale.
Demokracia më e mirë është ajo në natyrë, kishte thënë Kodra gjatë një interviste me një gazetar të opozitës, që kishte ardhur nga atdheu. Njëlloj janë palmat në Afrikë me palmat në Vlorë, vazhdoi Mjeshtri, dhe ato s’u bëjnë gjë mollëve. Edhe bari s’ka frikë nga ullinjtë. Do të doja një apel, ia ktheu me kujdes gazetari, që në Shqipëri të votojnë për… Po pse, që këtej do t’i mësoj unë se ç’duhet të bëjnë shqiptarët atje, i doli kundër Mjeshtri, ata e dinë vetë se ç’duhet të bëjnë.
“Maestro, kanë kapur bashkatdhetarë të tu në stacion të trenit me drogë”… – “S’kanë faj emigrantët, – bëri të urtin ai, – por qeveria, pse s’u jep shtëpi e punë?”
Vazhdonte të vizatonte. Portret gjysmë i blertë e gjysmënatë dhe lajmet e botës. Nënshkrimi poshtë, për të cilën Pikasso i kishte thënë: firma jote është një vizatim më vete, shqiptari im. I bëri shenjë kamerieres. Iu afrua një shoqe e Vilmës.
– Çoja, të lutem, atij, – i tha ngadalë.
– Uaa, sa bukur! Kush e bëri? – ngritën zërin në tryezën tjetër. – Ngrije pak më lart… ta vëmë në korrnizë…
– Ai plaku e pikturoi, kush është ai?…
– Kodra? A? Po, po, e kemi dëgjuar …ç’farë fati! Falemnderit shumë.
Ndërkaq Kodra po fshinte me cepin e shamisë së tij një pjatë të bardhë porcelani.
– Shko tek ajo gruaja matanë, – i tha prapë shokut të tryezës, – merri pak të kuqin e buzëve. – Ndërkohë futi një shami të mëndafshtë në gotën përpara. I duhej e lagur. Po vizatonte mbi pjatë, po, po, me të kuqin e buzëve: sy, flokë, buzëqeshje, qafa e mjellmët… dhe ngazëllehej. – Çoja…
– Ç’mrekulli! Uaa, che bello, a mund ta marr pjatën? – i tha kamerieres gruaja e vizatuar.
– Po, po, urdhri i Maestros.
Dhe ajo sikur donte të thoshte diçka tjetër, po hapte çantën, jo, jo, atëherë të paguante të paktën verën e tryezës së Maestros a të porositte çfarë të donin, po jo, bënte moskokëçarësin ai. Dhe ajo e puthi në faqe. Plaku u skuq. Mori një pjatë tjetër bosh. Po shikonte nga salla.
– Është e kotë t’i lutesh, – po thoshte Vilma, – nuk dëgjon, vizaton atë që do ai, kush ta ketë fatin.
Po grumbulloheshin njerëz përreth tij. Është Kodra i madh, po thoshin. E shikonin me adhurim si punonte. U afrua dhe Evgjeni. I doli nga pas. Si e lëvizte dorën e trashë si degë e zhveshur.
– Maestro, sa rron ky vizatimi në pjatë?
– Jo dhe aq, nja 50 vjet, – buzëqeshte.
BEFAS VJEN SHEJKU
(Vërtet si në roman)
Një si zhurmë brutale karrigesh, shtyrje dhe zëra, hapuni, ej! Dhe dy burra të hardallosur përballë, njëri me një gotë të gjatë wisky në dorë dhe tjetri… me një revole po aq të gjatë në brez.
– Bëja portret një zotnias tim, shpejt, këtu! – urdhëroi me një italishte çapraz ai i revoles. Tjetri, i gotës së wisky-t, ktheu karrigen duke nxjerrë shpinorene sajnga përpara, u plandos mbi të dhe fill po pozonte i kreshpëruar. Dhe po gajasej. Duhej të ishin ca çakërrqejf nga pija.
Heshtje dhe ankth. Dhe një revole në brez. Po, po, prej vërteti…
– Një sheik arab me shoqëruesin… Vijnë shpesh këtu, – u dëgjua të shpjegonte njëra nga kamerieret si për të qetësuar gjendjen. – Ishin lart. Panë vizatimet dhe morën vesh se na paskësh ardhur një piktor i madh. Mysliman…
Plaku Kodra s’tha asgjë. Pa u shqetësuar, si një beduin, e vërejti sheikun. Mori një pjatancë, e rrotulloi dhe nisi të hidhte vija mbi të. Ca si mustaqe të paka allafrënga. Sheiku u zgjat që nga karrigia dhe buzëqeshi. Elipsi i fytyrës, i syve… Prapë sheiku lëvizi, iu afrua vizatimit, hetoi atje dhe u rregullua mbi karrige. E kishte harruar pozicionin e parë. Mjeshtri priti pak. Dhe po zhgarravitte flokët. Sheiku qeshi dhe u ngrit përgjysmë. Piu një gllënjkë nga gota që i dridhej. Njëri vesh… Tjetri. Sheiku u përkul përsëri mbi vizatimin dhe qeshi sikur e gjithë kjo punë të ishte meritë e tij. Pa nga njerëzit më këmbë përreth karriges së tij, piu dhe një gllënjkë tjetër dhe…
– Don’t move! – bërtiti Maestro Kodra. Se si i doli zëri, si i deveve. Sheiku ngriu. Shoqëruesi i tij vuri dorën mbi revolver, priste urdhrin. Martini u bë gati t’i hidhej. Njerëzit panë njëri-tjetrin. “Eja, futu në kuzhinë”, – i mërmëriti Vilma Adrianit. Vetëm piktori plak ishte i qetë dhe po vazhdonte të vizatonte sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Evgjeni shikonte i mrekulluar sheikun e ngrirë. Nuk lëvizte, sikur t’i kishin bërë magji. A merrte frymë? Atij, siç duket, nuk i bërtiste kurrkush, zevzek siç duhej të ishte, vetëm urdhëronte. Dhe i plotësohej çdo dëshirë prej pasurisë që mund të kishte. Dhe ja, për herë të parë një plak në vend të huaj i klithi: mos lëviz! Dhe atë e zuri ngërçi. Të tërin. Zbuloi se kishte pasur mall t’i thoshin një gjë të pazakonshme për të, aq e zakonshme për të tjerët. Pra, kishte më të fuqishëm se ai dhe kjo e bënte që të besonte se herë-herë kishte pasur frikë nga fuqia e vet, të gjithë në jetën e tij prisnin prej tij dhe i bindeshin. Dikush e urdhëroi. Allah, Allah, bekuar qoftë! “Edhe unë qenkam si të tjerët dhe kjo s’është pak!”
Vizatimi mbaroi. Emri në fund si me shkronja arabe. Gjindja përreth duartrokiti. Bravo, Maestro! Sheiku në pjatancë shkëlqente si në pasqyrë, gjithë nur. Plaku ia zgjati pa thënë asnjë fjalë. Sheiku e mori pjatancën me dy duar dhe gati sa s’po hidhej përpjetë nga qejfi. Diku tjetër shëmbëlltyra e tij na paskësh tjetër tërheqje, sharm dhe një lloj sigurie, sa po e rikrijoi mbi një sipërfaqe të paktë, të brishtë, të thyeshme një rob zoti, që i thirri: Don’t move! Ia dha pjatën shoqëruesit dhe i shtrëngoi dorën piktorit plak. Ha-ha-ha, qeshi dhe iu kthye prapë shoqëruesit, seç i tha në gjuhën e vet duke ia marrë pjatën.
– Sa para pagojmë ne? – pyeti shoqëruesi.
– Ikni! – tha Kodra. – Pjatanca të lyhet me llak, për t’u mbrojtur portreti.
– Ka ashtu llaku restoranti? – Asnjë përgjigje.
Shoqëruesi i sheikut iu drejtua përsëri Mjeshtrit:
– Sa duhet pagojmë, thoni ti, që firmos çekun ai.
– Nuk dua gjë, jua thashë një herë.
– Zotëria im jo qetë, po nuk dha çmimin.
– Dëgjoni, – ndërhyri më në fund ai që kishte ardhur bashkë me Kodrën, – ç’keni për të dhënë, çojeni në banak dhe vijmë e pimë ndonjëherë tjetër këtu, për miqësinë tuaj, na kënaqët. Do you understand? – O yes, yes.… Të gjithë qeshën me zgjidhjen. Dhe arabët ashtu bënë. Sheiku doli duke përshëndetur me njërën dorë, kurse me tjetrën mbante pjatancën e paketuar mirë në kuti picash.
– E dini sa kanë paguar? – tha Vilma në tryezën ku ishte Adriani me shokët dhe zuri kokën me duar, – qyqja, moj nane, t’ja shtrojnë me darka këtu për nja 20 vjet rresht. E bëri llogarinë banakieri.
– Për natë do t’ju vijmë, – tha seriozisht miku i tryezës së Kodrës. Maestroja buzëqeshte heshturazi.
– Eja edhe vetëm, kur unë s’do të kem kohë.
– Maestro, duan t’ju njohin, – tha Vilma duke vënë duart mbi supet e tij dhe, pa marrë përgjigje, vazhdoi në shqip: – Janë nga Shqipëria.
– Po afrohuni, more çuna, – i ndritën sytë Kodrës. – Ç’kemi andej? Si po janë punët? Ju si ia çoni? Uluni, bashkë jemi parë edhe një natë tjetër, – i tha Adrianit, – po, po, çfarë do të merrni, apo shkojmë në një lokal tjetër, “Il sole mio”? Është këtu afër, pimë ndonjë gja.
– Mjafton të jemi me ju, ku të doni.
…
Mbasi dolën nga “Il sole mio”, italiani, miku i tryezës së Kodrës, që Vilma tha se ishte arkitekt dhe mbante një xhaketë që shkonte me sherrin që do të bënte me atë me të cilën bashkëjetonte, iku.
– Po të lë me bashkatdhetarët e tu, Maestro, është ora 2 pas mesnate.
– Shkojmë në shtëpi, pimë atje, – këmbënguli Kodra.
– Maestro, ti nesër çohesh në mesditë, në një…
– Po të dua, s’çohem fare, – e ndërpreu Kodra.
– E po mua më duhet të shkoj. Kam një projekt në dorë, do të punoj
– Ne duam të bëjmë dhe pak muhabet, apo jo, çuna? I thuaj Adalbertos, se ai nuk na erdhi, ngaqë kishte shkuar në studion e Stefanit, ishte vonuar atje, se i kishte shpjeguar pikturat e veta, – po thoshte Maestroja me zë të zvargur, – Po jo, mor njeri, nuk shpjegon piktori pikturat e veta, pikturat shpjegojnëpiktorin, i thuaj.
– E drejtë, Maestro.
Evgjeni i futi krahun piktorit plak dhe bënë për tutje, në një rrugë që s’kishte pikë rëndësie se ku të çonte,në Milano jemi, gjithsesi. U kuptua, Kodra i ruhej vetmisë, ajo e gërryente, ai donte njerëz, shokë, i ftonte për drekë, për darkë, të panjohur, ikim në barin tjetër i cytte, sa më vonë, gjithë natën, vetëm të mos ishte vetëm, sidomos në shtëpi.
Tej dukeshin prostitutat, në rresht, jo shumë larg njëra nga tjetra, ndriçonin. E përshëndeti atë më pranë, sa e bukur!
– Ishim një natë me Heminguejin, – po tregonte Kodra, – dhe me Moravian, gruaja e tij i kishte gjinjtë të zbuluar përgjysmë, po pinim, por Hemingueji mbeti duke parë nga gruaja e Moravias, nga gjinjtë e saj. I thashë kamerierit në vesh, merre Heminguejin dhe çoje atje… të zgjedhë një nga ato… U mbyllën në një dhomë lart dhe, kur u kthye, Hemingueji nuk shikonte më nga gjinjtë e gruas së Moravias.
– Cili Heminguej, cili Moravia? – u kthye Martini nga shokët. – Për kë e ka fjalën Mjeshtri?
– Janë shkrimtarë, njihen, – tha Kodra. – A s’po e flas mirë shqipen, e kam harruar? – u bë merak vërtet ai.
– Jo, jo, shumë mirë, Maestro, – i thanë ata dhe ia shkrepën të qeshurit së bashku.
– Janë përkthyer vepra të tyre edhe te ne, – tha Adriani.
Hemingueji, Moravia… të dy ishin ndaluar më pas. Rezana lexonte “Çoçarja”, ia kishte dhënë Gjergji romanin. Unë endesha me biçikletë. E mori Beti librin ta lexonte natën në punë, ishte infermiere-rojë në spital. Ia vodhën. Dhe Kodra ka ndenjur me ta? Don’t move! – i tha vetes Martini. Dhe ndjeu mall për motrat dhe e përfytyroi veten në dasmat e tyre, duke treguar për Kodrën […]
Para se të ngjiteshin në apartamentin e madh të Kodrës, panë vetet e tyre në pasqyrat e mesores: jemi shqiptarë të bukur, bëri humor Maestroja. Evgjeni ndihej i lumtur. Çfarë store, po thoshte Adriani me vete. Martini kishte një pikëllim, që i shkonte.
Portat e shtëpisë kishin sistem alarmi. Nga brenda mbante erë boje, ngjyrash të përziera me erë lulesh. Medalje shumë, kupa, vegla muzikore, libra, pllakate dhe fotografi kudo, bardhezi, të mëdha, të vogla, rregull artisti, dikush shërbente këtu, dhe një pikturë e pambaruar. Edhe një tjetër…
– E kam për një shok, – tha Kodra, – i operohet e shoqja dhe do t’ia japim mjekut. Hapeni frigoriferin dhe merrni çfarë të doni, ka, shikoni dhe shishet në dollap. Më jepni dhe mua… – dhe u ul te një poltronë lëkure. Një kapicë me albume të tij mbi dysheme dhe riprodhime pikturash.
Pikasso s’ka qenë komunist vërtet, – po thoshte Kodra çfarë i kujtohej, – por e bënë komunistët të tillë. Ishte kundër çdo forme të borgjezisë dhe donte që pikturën e tij ta kuptonin edhe punëtorët. Dalí po, ishte egocentrik, dua ta mposht Pikasson, më ka thënë njëherë. Pol Kle ka vuajtur shumë. – Evgjeni po trallisej. Sa i madh!
– Po ti ç’bën? – pyeti befas Adrianin.
– Maestro, ja, studioj kështjellat… se si më duken ndonjëherë, ala buzzatiane, – u përgjigj, por donte që Kodra të vazhdonte.
– Shumë mirë. Kur filloi të vizatonte Buzzati, më pyeti njëherë: “Si të duken?” – e mori prapë fjalën Kodra. “Dino, – i thashë, – ti po vizaton siç shkruan.” – U gëzua shumë. Dëgjoni, modestia dhe altruizmi janë pasuria më e madhe në botë. Papa puth dhe lebrosët, por personazhet e mëdha kanë vdekur të gjithë. Edhe në Itali…. Statizmin e kanë krijuar arabët, modernistët i panë nëpër xhami dhe i bënë me 2-3 ngjyra… Po ti ç’bën? – iu drejtua Martinit.
– Asgjë, do të shes lule në Sanremo.
– Bukur! Edhe unë kam shumë lule në tarracën time. Ti je piktor, – u kthye nga Evgjeni, tundi gishtin tregues dhe buzëqeshi si fëmijë.
– Maestro, guxoj t’ju pyes, – ia ktheu Evgjeni, – nëse do t’ju thoshin se cili është mesazhi i veprës suaj, çfarë përgjigje do të jepnit sonte?
– E kam thënë: njeriu si viktimë, po humbet…
– Por ju s’keni njerëz në veprat tuaja!
– Ashtu është, unë nuk paraqes njerëz, por njerëzimin. – Maestroja heshti. E ktheu gotën, të gjithën. Pas peizazheve mahnitëse, fundevetë detit, nëpër portretet e tij kubiste, totemë e robotë, ende xhufkëronin flokë dhe jo tela. Dhe duart, jo ganxhat. Gishta të trashë. Janë forma të qëndresës së njeriut. Mund të krihesh ende, thoshte dhe qeshte, duhet të zbukurohesh. Kurse dora është përvoja, ndjenja dhe mendimi bashkërisht. Dashuri dhe punë. Është e shenjtë dora… – S’kam asnjë dorë andej…, – po ankohej Kodra, – kërkoj njeriun. 3 vjeç më la nëna mua… Ajo s’më kujtohet, por vdekja e saj. Graria më thoshin se po flinte, e zeza. Një vëlla ma zhdukën, se ishte patriot, me Ballin, babai m’u vra në det, nga minat angleze, transportonin petrol. Mua më humbi atdheu…
– Edhe ne kërkojmë të humburit tanë…, – tha Evgjeni.
Maestroja s’bëzani. I shikoi një grimëherë në sy të tre me radhë. Si ta kuptonte: kishin humbur vërtet njeri apo ishte britmë intelektuale?
– Vuajnë më shumë ata që kërkojnë, ndonjëherë më shumë se ata që kërkohen. I kam provuar të dyja: edhe të humb, edhe të më humbasin, – tha me zë të pasmesnatshëm. Pas pak shtoi: – Prandaj jeni kaq të mirë ju. Miqësia është më e madhja e të gjithave…, – dhe kapsalliti sytë. – I thashë presidentit të Shqipërisë, dua të vij, të pikturoj… të bëj afreske nëpër mure, në institucione… që të mësohen njerëzit atje, t’i respektojnë… se ishin ngritur, i kishin shkatërruar institucionet… gjersa kam vepra në Milano, Vatikan, Napoli, Sorrento, Palermo… nëpër botë… pse të mos kem në atdhe? – Kodra heshti. – Mbushini gotat, edhe timen..
– E çfarë tha presidenti? – po priste me padurim përgjigjen Adriani.
– “Institucionet janë të mbyllura, – më tha. – Veprat e tua duhen të jenë kudo, ku mund t’i shikojnë të gjithë…”
– Po ju çfarë i thatë? – u ngrit në këmbë Evgjeni.
– “Atëhere hapni institucionet, që t’i shohin qytetarët”, i thashë, – qeshi Kodra. Evgjeni përpoqi gotën e tij me të Maestros. – “Shkëlqyer!” – buçiti. – Dhe s’doja asgjë, vetëm një student të pikturës, që të më ndihmonte të mbante kovat me bojëra. Nuk hipi dot shkallëve tani… E si i quanin ata?
– Cilët?
– Miqtë tuaj të humbur… janë dhe të mitë…, – u përlot Kodra.
– …Gjergji, Afërdita…
– Emra të bukur, të vjetër… T’i kërkojmë… në fillim brenda vetes… – Dhe u ngrit me mundim, dalëngadalë, mori mandolinën te rafti tjetër. – Është një pjesë, – tha, – që Salvatore Quasimodo ma kërkonte shpesh, kompozim imi, melodi shqiptare, “Dhentë zbresin nga Olimpi”, po i bie, thërrasim shpirtrat e tyre të bardha…
Don’t move! Megjithatë ne do të ikim, Maestro. Afër mëngjesit Evgjeni e la Martinin në rrugën “Buenos Aires”, me dy-tri albume të ndryshme të Kodrës, të firmosura nga ai, po kështu dhe Adrianin, në Institutin “Padre Mondi”, afër një kishe dhe e ktheu makinën me shpejtësi. Vetë do të ikte për në Milano Fiori. Në shesh ende s’kishte lëvizje. Agimi vazhdonte të rridhte nga qielli si një ujëvarë e madhe. Don’t move, don’t move, thoshte me vete dhe s’kishte gjumë. Mos lëviz, o njeri, rriji besnik vetes! Eppur si muove, kishte thënë një plak tjetër, që desh e vranë për këtë fjalë, agjitacion dhe propagandë kundër Zotit, neni 55 i Kodit Penal, me anën e të cilit na kishin dënuar. “Anti-55” duhej të ishte ajo gazeta në Tiranë, jo “55”. Bota, po, duhet të lëvizë, kjo është e drejtë, të ikë, në universin pa fund, të rrotullohet, kjo mjafton, por njeriu jo: don’t move!, të mbetet njeri. Me virtytet te liria dhe lirinë në virtyte. Profeti, Maestroja, çfarë pleqsh, si perëndi… thinjat e arta të kohës… po u shtoj dhe një shok, Galileo Galilein, çfarë trinie…! Kur vdes, njeriu i merr me vete të gjitha sekretet e tij, por jo imazhin, as disa nga idetë, as mirësinë… çfarë etërish! Ashtu dua të plakem dhe unë… Dhe u pa në pasqyrën e makinës, në mes… Ku paskam vajtur kështu, tha, në ç’rrugë jam? Dhe e drejtoi makinën në anë të këmbësores plot me gjethe të mëdha, të rëna. Të kuqërremta si bakër. Mbështeti krahët mbi timon, vuri kokën përsipër dhe donte që ta zinte gjumi. Sa për një ëndërr, s’dihej ç’i thoshin pleqtë e shenjtë…
ËNDRRA ME MUR
(prapë në roman)
Muri i këtejmë i burgut.
Afroma kovën, thirri Mjeshtri plak. Atë tjetrën. Trazoje me penelin e madh.
Dhe Evgjeni ashtu bëri.
Shikon gjë në mur ti? Ç’janë këto përhijime?
Janë mbështetur të burgosur.
Mos i hiq. Lëri njolla. As gjakun mos ia pastro murit…
Dhe Mjeshtri plak nisi nga puna. Hidhte ngjyra, të zeza, të kuqe, njëra mbi tjetrën, me penel, me bishtin e penelit, blu, të blerta, hije, krahë, zinxhirë, bir, çfarë ngjyre ishin plagët? Në atë të diellit kur perëndon?… Merri shkallët, hip lart dhe puno mbi atë që bëra unë, mbaroje afreskun. Vër fytyrat e miqve të tu të humbur…
Hidh ca ujë në kovë, nga përmbytja e asaj nate, përzieje me britma, flaki penelat, pikturo me gishta, me duar, ngjishe fytyrën tënde mbi atë të Afërditës… fort… si puthja… Ja dhe sytë e Gjergjit, çfarë shikojnë? Je ti brenda në ata sy… Pranë tij Rezana… Profeti… Erdhi dhe Martini, Adriani… Të gjithë bashkë. Ç’afresk tronditës, i shkëlqyer! Ta ngremë me gjithë mur dhe ta çojmë në kryeqytet.
Është e mundur?
Po. Unë jam arkitekt, miku i Kodrës, do ta presim murin…
Jo, në asnjë mënyrë, kundërshtoi Drejtori, s’mund ta heqim, se na hapet burgu dhe ikin të dënuarit.
Po ky është qëllimi i veprës sonë, ulëriu Evgjeni…
ENGJËLLI IM
…bashkë me Edën duam të tregojmë që Kodra i vonë u miqësua shpejt dhe me djalin tonë, Atjonin dhe ai e deshi atë si një gjysh mitik, që kur e pa, foshnjë në Romë, diku aty afër “Piazza di Spagna”, teksa rrekej të afrohej dhe befas binte. Kodra tha: “Po shpik të ecmen” dhe nisi ta vizantonte mbi gazetën që gjendej mbi tryezën tonë, ashtu siç ai e kishte zakon. Na skiconte dhe ne, kë t’i shkrepej. I ruajmë ato portrete me dashuri.
Kur u bë tre vjeç djali ynë, Kodra i dhuroi një pikturë me autograf. Rastet e bukura erdhën bujarisht për t’u takuar prapë. Kodrës i pëlqente të bënte lodra me fëmijëtnga ato që quhen “numra shpejtësie”, zhdukte letra, sajonte njolla nëpër duar pa u kuptuar, i mahniste fëmijët, këndonte… Lodrat që mësoi nga Kodra, Atjoni ua bënte fëmijë të tjerë dhe u dukej atyre si magjistar i vogël.
Së fundmi u panë në Tiranë. Kodra kishte sjellë një ekspozitë antologjike, më të madhen të tijën në Galerinë Kombëtare, ishte viti 2003. Kështu u krijuan mundësitë të rrinim përsëri gjatë me Kodrën, në darkat ku ai rrethohej me miqtë e shumtë, në hollin e hotelit, ku linte qelqen me verë dhe tundohej si përherë të merrte një gazetë, menytë, jo që t’i lexonte, por të vizatonte mbi to, le të ishte ç’të ishte, edhe pjatë, ngjyrat i kishte gati nëpër xhapat e mëdhenj dhe të shumtë, ashtu ishte i veshur, në mënyrën më piktoreske dhe vetë, por ndodhte të përdorte për ngjyrime dhe petlat e luleve e të gjtheve përreth.
Atjoni ishte 8 vjeç dhe tani me Kodrën fliste më gjatë e kuptohej më shumë. Dhe donte të bënte dhe ai diçka për të, gjyshin e artit, një si dhuratë, një vepër si të atij, postkubiste, një totem, “Homazh Kodrës”, kështu e titulloi siç kishte bërë dhe Kodra dikur “Homazh “Pikassos”.
Piktura e Atjonit do të vlerësohej më pas nga kritikë arti, nga studiuesi Prof. Gëzim Qendro, kuratori i ekspozitës së Atjonit në Tiranë, po kështu dhe nga piktori dhe botuesi i njohur Gëzim Tafa, përgatitësi i Albumit të Atjonit, nga shikues të shumtë.
Dhe mbase dhe në Qiell shkëmbejnë prapë piktura parajsërore.
Ngjyrat e asaj miqësie që lidhën piktorin e madh Kodra me fëmijën me emrin Atjon, qoftë dhe për aq, çaste që fluturonin, tani vezullojnë me fuqinë e së vërtetës së bukur, janë dëshmi të një lumturimi që mbetet ashtu si një vepër arti, Nuk ka art pa xixëllima të tilla, që na i jep në jetë Hyu dhe nuk na i merr dot më…