Këshilli Bashkiak i qytetit veçoi përkushtimin e disa individëve që kontribuan për Kosovën: Imer Kuka, Din Derti dhe Shqipe Biba
Nga Beqir SINA
NEW YORK
Festimi i 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës , zyrtarisht nisi mbrëmë (e hënë, 13 shkurt 2023,) në New York City Hall – me javën e “Pavarësisë së Kosovës në Amerikë” ku Dhoma e Anëtarëve të Këshillit të Bashkësisë në një ceremoni solemne festoi 15vjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Kjo ceremoni solemne ishte e organizuar nga Kryetaria e Këshillit të Bashkësisë së New York-ut Adriene Adams dhe këshilltarëve Robert Holden, Borelli, Carr, Valazquez, Feliz dhe Paladino, dhe u mbajt në dhomën e këshillit të Bashkisë New York- City Hall.
Me këtë rast u nderuan me nga një çertifikatë mirënjohje nga Këshilli i Bashkisë së New Yorkut, tre veprimtar të dalluar të komunitetit Din Derti, veprimtar i hershëm i komunitetit, Ymer Kuka, veteran i UÇK-së, dhe Shqipe Biba, gazetare dhe veprimtare e cila me LDK hapi dhe shkollën e parë shqip në Nju Jork, tre dekada më parë.
Gjatë kësaj ceremonie u bë ndarja e proklamata-ve dhe mirënjohjeve për personalitete të caktuara që kontribuan në forma të ndryshme për pavarësinë e Kosovës dhe shtetndërtimin e saj, për të të cilët folën këshilltarët e bashkisë të cilët vendosën në pah edhe veprimtarin dhe kontributin e komunitetit shqiptar në New York.
Prezent në këtë ceremoni festive ishin personalitete të ndryshme, biznesmen, gazetar, aktivist, artist dhe diplomat, duke përfshirë diplomatët e të dy shteteve tona ambasadori RKS-se në New York Dr Blerim Reka, i cili mbajti dhe fjalën e rastit në nderim të pavarësisë së Kosovës, dhe përfaqësuesja e Shqipërisë, Albana Dautllari, si dhe përfaqësues të komunitetit fetar shqiptar, kryetar nga shoqatat të ndryshëme të komunitetit.
Ceremonia e veçantë u mbajt në sallën ku Këshilli bashkiak, i qytetit zhvillon zakonisht seancat, dhe u hap me hyrjen e flamurëve ceremonialë, që u sollën nga pjestarë të Shoqatës së Policve Shqiptar që shërbejn në uniformat e Departamentin e Policisë së Nju Jorkut dhe Nju Xhersit.
Hymnet e Amerikës, Shqipërisë dhe Kosovës
Më pas u bë egzekutimi i të tre hymneve kombëtare , Shteteve të Bashkuara të Amerikës kënduar nga Norah Hetemi – Muhaxherri, ai Shqipërisë nga këngëtari Ilsi Ademi, dhe intonimi i hymnit të Republikës së Kosovës.
Bekimin e ceremonisë solemne të festimit të 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës sipas rotacionit e kreu Imam Tahir Kukaj (Chaplan NYPD) i ishoqëruar nga lutjet e Dom Pjetër Popaj i Kishës Katolike Zoja e Shkodrës, dhe Imam Edin Gjoni nga Xhamia e Kuinsit.
Në sallë ishin dhe disa pjestarë të Batalionit Atlantiku, nga ata që shkuan 24 vjet më parë në Kosovë në vitin 1999 për të luftuar krahas UÇK-së, Kryetari i Batalionit Atlantiku Komandat Gani Shehu , dhe disa ish luftëtar të këtij bataljoni , e anëtar të familjeve të tyre, si dhe ish mbështetës dhe kontribues të Bataljonit Atlantiku dhe UÇK- së.
Mark Gjonaj me një fjalim nderoi në emër të komunitetit shqiptar Batalionin Atlantiku dhe familjen e tre vëllezërve të vrarë Agron, Mehmet dhe Ylli Bytyçi nga Hampton Bay i Nju Jorkut, trupat e të cilëve u gjetën në vitin 2001 në një varr masiv pranë një stacioni policie në Serbi. Autorët e krimit ende mbeten të lirë.
Në prani të njërit nga vëllezërit Ilir Bytyçi, i cili i mbante me zor emocionet, Mark Gjonaj – dha një respekt të veçant i cili u shoqërua me duartrokitje nga të gjithë të pranishmit e ngritur në këmbë, përfshirë , diplomat, klerik edhe anëtarët e këshillit bashkiak të New Yorkut.
“Qysh nga vrasja e tyre, familja Bytyçi ka luftuar që vrasësit të sillen përpara drejtësisë. Drejtësi, kjo është ajo për të cilën kanë nevojë dhe meritojnë të gjitha familjet e viktimave,në Kosovë”, tha Gjonaj
Ish zyrtari i lart shqiptar në asamblen e shtetit të NY, dhe ish këshilltari i bashkisë së NYC, për katër vjet zoti Mark Gjonaj- Kryetar i Këshillit Kombëtar të Diasporës (KKD), qëndron paskuintave si organizator dhe mikëpritës i këtij eventi, i cili shënojë 15 Vjetorin e Pavarsisë së shtetit të Kosovës.
“Në këtë 15-vjetor të Pavarësisë së Kosovës, isha i lumtur që u ktheva në Dhomat e Këshillit të NYC, për të festuar me komunitetin shqiptaro-amerikan. Nuk do ta harrojmë kurrë vuajtjen dhe sakrficën e shqiptarve të Kosovës, dhe me këtë rast të kujtojmë e nderojmë të gjithë ata që luftuan me shekuj dhe sakrifikuan jetën e tyre për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës,” tha Mark Gjonaj, i cili edhe e drejtojë këtë ceremoni solemn e mbajtur mbrëm në dhomën e këshillit të Bashkisë New York- City Hall.
“ Nuk kan qenë kot dhe të bekuara 78 ditë bombardime, kundra Serbisë, nuk shkojë “dëmë” gjaku dhe sakrifica sublime e atyre që dhanë jetën për çlirimin dhe lirinë e Kosovës tha Mark Gjonaj, duke uruar “Qoftë kjo drita udhëzuese dhe një forcë e fuqishme lëvizëse për ta çuar Kosovën dhe popullin e saj përpara”
Kjo ceremoni për shënimin e 15- vjetorit se Kosovës shtet, solli për pak orë në Bashkinë e Nju Jorkut forcën dhe dinjitetin e një diaspore të tërë që mban lidhje të forta me vendlindjen. Lidhje këto tashmë janë aq të forta saqë nuk mund të shuhen më.
Flamujt e Shqipërisë dhe Kosovës, këngët e vallet, veshjet folklorike, nga Ansambli Rugova, grupi i valleve Barbana dhe ai Rozafa, interpretimet e këngëtarve të komunitetit (Arbërie Hadërgjonaj) ushqimet dhe embëlsirat tradicionale shqiptare, ishin bukuria e kësaj feste në festimin e 15 vjetorit te Pavarësisë së Shtetit të Kosovës në qytetin e Nju Jorkut


































