Në total janë 607 qytetarë afganë të ardhur në Shqipëri 4 ditët e fundit
Knid Ndrenika
Në Shqipëri mbërritën 150 shtetas të Afganistanit që u evakuuan nga ushtria amerikane prej Kabulit.
Avioni i ardhur nga Abu Dabi i Emiratave të Bashkuara Arabe është ulur në pistën e aeroportit të Rinasit rreth orës 5 të mëngjesit.
103 persona u strehuan në Qytetin “Studenti” në Tiranë dhe 47 të tjerë në rrjetin e hotelerisë në Durrës
Gjithsej në Shqipëri kanë arrdhur 607 shtetas afganë në 4 ditët e fundit dhe të gjithë janë strehuar në Tiranë dhe në Durrës.
Shqipëria ka premtuar të strehojë 4 mijë afganë që kërcënohen me jetë nga talebanët e rikthyer në pushtet për herë të parë që nga viti 2001.
Ata kanë qenë bashkëpunëtorë ose familjarë të tyre të angazhuar me organizatat amerikane dhe perëndimore gjatë qëndrimit të aleatëve kundër terrorizmit në Afganistan.
Më herët ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka thënë se afganëve u janë plotësuar të gjitha kushtet.
“Këta aleatë të mos i braktisnim në mëshirën e talebanëve. Çdo burrë, çdo grua, çdo fëmijë është një jetë e shpëtuar nga tmerri i luftës. Kemi bërë gjithçka, t’u ofrojmë kushte sa më të mira e sa më dinjitoze”-ka thënë ministrja Xhaçka.
Qeveria në Tiranë ka miratuar një vendim që lejon strehimin për 1 vit të afganëve.
Vendimi thotë se dhënia e mbrojtjes së përkohshme shtetasve afganë dhe personave pa shtetësi me vendqëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Afganistanit bëhet për arsye të luftës, situatës së ngjashme, dhunës së përgjithshme dhe konfliktit të brendshëm, të karakterizuara nga shkelje të të drejtave të njeriut dhe që kërkojnë mbrojtje nga Shqipëria.