162 orë pas tërmetit, FSK i shpëton edhe dy persona nga rrënojat e një ndërtese

Prishtinë, 13 shkurt 2023 – Ekipet e kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë arritur t’i nxjerrin të gjallë edhe dy persona të bllokuar në gërmadhat e një ndërtese të shembur nga tërmeti, në qytetin Hatay të Turqisë.

FSK, përmes një postimi në Facebook, njoftroi se një 50-vjeçar është nxjerrë 160 orë pas tërmetit, kurse një vajzë 13-vjeçare është nxjerrë 162 orë pas tërmetit.

“Pas një pune të palodhshme dhe shumë sfiduese me rrezikshmëri të lartë e me angazhim maksimal, të pathyeshëm dhe të pandalshëm, djemtë e vajzat e ushtrisë së Kosovës, së bashku me ekipet e ushtrisë turke, sot, pas 160 orëve nga tërmeti, kanë arritur të nxjerrin të gjallë një qytetar të gjinisë mashkullore,  të moshës rreth 45 vjeçare, dhe pas 162 orëve është nxjerrë edhe një vajzë 13 vjeçare, nën rrënojat e një objekti të shkatërruar”, thuhet në njoftim.

FSK bën tëditur se ekipet e saj do të vazhdojnë edhe më tutje përpjekjet për të shpëtuar jetë njerëzish nga rrënojat e ndërtesave tëshembura.

“Edhe pse kanë kaluar shumë orë kërkimi, ekipet e kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë të motivuara dhe po japin gjithë energjinë e tyre për të shpëtuar jetët e njerëzve që janë nën rrënojat e shkaktuara nga tërmeti”, thuhet në njoftim.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, e cilësoi si lajm të mrekullueshëm shpëtimin e dy personave nga pjesëtarët e FSK-së në Hatay.

“Shpresojmë se orëve në vijim pjesëtarët tanë të FSK-së të gjejnë edhe të tjerë të mbijetuar nën rrënojat e krijuara pas këtij tërmeti të tmerrshëm”, shkroi Mehaj në Facebook.

Ekipet e kërkim-shpëtimit nga Turqia  dhe nga shumë vende të botës kanë vazhduar të nxjerrin të mbijetuar nga rrënojat e ndërtesave të shembura nga tërmeti. Gjashtë ditë pas tërmetit janë shpëtuar edhe një grua shtatzënë dhe dy fëmijë të vegjël.

Sipas informacioneve më të fundit, mbi 33 mijë persona kanë vdekur nga tërmetet në Turqi dhe në Siri.

(r.m.)