Nga Afrim Krasniqi
Vlerësimi? Ngjarjet e korrikut 1990 patën impakt të rëndësishëm në ecurinë e zhvillimeve politike dhe shoqërore në Shqipëri. Periudha e sjelljes represive korrik-gusht 1990 i la vendin zhvillimeve të reja në shtator-nëntor, kulmi i të cilave ishte lëvizja studentore e dhjetorit. Shumica absolute e atyre që u larguan përmes ambasadave në korrik 1990 apo kaluan klonin kufitar gjatë atij viti nuk arritën në tri dekada të krijojnë zë publik dhe të bëhen faktorë referimi. Dëshmitë e tyre, kryesisht në raste përvjetorësh, në tërësi kufizohen në përjetime personale, në evokim të njohjeve e detajeve të kohës, të cilat kanë vlerë modeste dokumentare. Akti i tyre dhe sidomos impakti që ai pati në historinë e re të Shqipërisë është shumë më i madh sesa dëshmitë e rrëfyera. Eksodi i korrikut u pasua nga valë të reja eksodi në janar, mars e gusht 1991, në pranverën e vitit 1997 dhe në vitet pasuese. Asnjë prej tyre nuk ka tiparet, rëndësinë, natyrën dhe impaktin që pati korriku 1990. Ekdosi i korrikut nuk ishte ikje nga regjimi, por fillimi i fundit të ikjes së vetë regjimit. Kurba e tranzicionit tregon se dosja e ambasadave pati të njëjtin fat si të gjitha ngjarjet e tjera të mëdha në historinë tonë, – ata më të pushtetshmit imponuan trajtimin e tyre historik, herë me retushim faktesh e ngjarjesh, herë me injorim të disa prej të vërtetave, përfshirë edhe të protagonistëve realë shqiptarë e të huaj. Kjo monografi e publikuar pak muaj më parë tenton të plotësojë boshllëkun e krijuar dhe të hedhë sado pak dritë në dokumentacionin dhe të vërtetat e korrikut 1990, si pjesë e të vertetave mbi shtetin e shoqërinë shqiptare në një prej viteve më të rëndësishme të tyre gjatë shekullit të XX.