20 VJEҪARJA SHKOLLA SHQIPE “GJUHA JONË” NË FILADELFIA

  Ky vit shkollor përkon me 20 vjetorin e hapjes së Shkollës Shqipe “Gjuha Jonë” në Filadelfia (Philadelphia). Është një datë e shënuar jo vetëm për shkollën, për Shoqatën Atdhetare-Kulturore “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia që e ngriti atë, por edhe për komunitetin shqiptar të këtij qyteti të madh të SHBA-s ku jeton një numër i konsiderueshëm bashkatdhetarësh. Dhe më gjërë.

 Nuk po zgjatemi shumë në këtë shkrim me historikun, rrugëtimin në 20 vite të kësaj shkolle, për të cilin është folur dhe shkruar më parë dhe që do të flitet përsëri në të ardhmen. Vëmëndjen do ta perqendrojmë tek puna e nisur muaj më parë për fillimin e mbarë të këtij viti jubilar për shkollën shqipe këtu në Filadelfia.  Shqetësimi , si edhe më parë, filloi që sapo mbaroi viti shkollor : Si të sigurojmë tekstet shkollore?  Dhe ato u siguruan, si cdo vit,nëpërmjet miqëve, bashkatdhetarë në Shqipëri, mësues dhe drejtues shkollash private, etj. Këtë vit ishin bashkëshortët Arian dhe Sanie Korini , mësues,  drejtues dhe pronarë të një shkolle në Tiranë,qe u treguan atdhetarë, bujar dhe të kujdesshëm për dërgimin e një pjesë të  teksteve shkollore një muaj përpara se të fillonte viti shkollor. Një tjetër mësuese dhe drejtuese e shkollës 9-Vjeçare 1 Maji, në Tiranë atdhetarja Entela Gjondedaj dërgoj një pjesë të librave gjithashtu. Shoqata Atdhetare Kulturore “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia, drejtuesit e saj, mesueset, prindërit dhe nxënësit u janë shumë mirënjohës këtyre bashkatdhetarëve të nderuar. 

   Sigurimi i teksteve shkollore ka qenë dhe është një problem i madh dhe i përvitshëm  për shkollën tonë. Nga Ministria e Arsimit në Tiranë nuk kemi patur asnjeherë mbështetjen e nevojshme për këtë problem. Sic duket mbështetja e shkollave shqipe në diaspore nuk figuron në plan- programet e kësaj ministrie dhe as të qeverisë shqiptare në Tiranë.

     Le të kthehemi në shkollën tonë. Për të filluar një vit të mbarë , nga kryesia e shoqatës dhe kryetari i saj, zoti Dritan Matraku, u organizua një fushatë propogandistike intensive, me shkrime të shkurtëra, njoftime të ndryshme të herëpashershme, për fillimin e mbarë të vitit shkollor. Sukseset e arritura deri tani ishin një mbështetje e fuqishme në realizimin e qëllimit për të tërhequr sa më shumë fëmijë, për të  sensibilizuar vet prindërit. Përvoja e fituar në këto 19 vite është një garanci me peshë. Puna serioze, profesionale dhe atdhetare e mësueseve të shkkollës tonë si Rajmonda Bardhi, Irini Zeneli që kanë më shumë vite pune në shërbim të kësaj shkolle, është për tu marrë shëmbull. Por nuk bien më poshtë edhe mësueset Rudina Bani, Mimoza Sotiri, Afërdita Muzhaqi.I falenderojmë këto zonja dhe mësuese të nderuara për sakrificën dhe përkushtimin profesional dhe atdhetarë për të përcuar tek fëmijët dashurinë për gjuhën shqipe.

 Ky shtab mësuesesh ka përballuar me sukses vitet e fundit edhe mësimin e gjuhës shqipe “on line”. Kjo kryesisht për fëmijët që jetojnë larg Filadelfias dhe në shtete të tjera të SHBA-s.

  Ato ishin ndër të parat që u paraqitën tek ndërtesa e re që ka blerë shoqata jonë,por që ende nuk është gati për mësimdhënie. Aty do të bëheshin regjistrimet për vitin e ri shkollor dhe do të shpërndaheshin librat për nxënësit e pesë klasave. Pastaj filluan të vijnë edhe nxënësit e parë të shoqëruar nga prindërit. Dhe t’i shikoje sa bukur ishin veshur! Gjithë ngjyra. Megjithëse ditë me shi, dukej sikur pranvera sapo kishte celur lulet. Beheshin regjistrimet, shpërndaheshin librat… dhe e papritura e bukur ishte një cantë shkolle dhe një kuti me mjetet shkollore që i duhen nxënësit, dhuratë e bashkatdhetarit tone zotit Eldion Pajollari, për cdo nxënës të shkollës shqipe.  E ku ka më bukur! Faleminderit Eldion Pajollari! 

Ndërsa Elda Janji, që ka të dy djemtë nxënës të shkollës shqipe, vjen duar plot me lule. Ishin për mësueset e shkollës të palodhurat dhe të nderuarat mësueset tona të mira. I meritojnë!

 Të faleminderit Elda! Të gjithë bashkë e bejmë më te bukur këtë ditë të parë të shkollës shqipe.

  Unë që e ndjek cdo të djelë mbarëvajtjen e mësimit në shkollë më dukej sikur takohesha me miq të vjetër, por pak më të rritur, më të bukur. Kishte edhe fëmijë dhe prindër që nuk i kisha parë më parë. Dhe këta ishin një gëzim i vecantë, Ishin nxënësit e ardhshëm të shkollës, nxënësit e klasës së parë.  E papritura e bukur ishte se në fund të regjistrimeve klasa e parë këtë vit do të ketë 23 nxënës, më shumë se cdo vit me parë gjatë 19 viteve të jetës së shkollës. Ndoshta do të vijnë edhe të tjerë fëmijë deri të djelën tjetër. Ky është një tregues pozitiv për ardhmërinë e shkollës tonë.  

 Në mes të lëvizjeve ne dukje të rrëmujshme të njërzvë që hynin e dilnin tek dera e madhe paraqitet nje zotni me një tepsi të madhe me sanduiçe. Ishte bashkatdhetari ynë i nderuar Afuz Tahiri që gjeti këtë mënyrë tradicionale për të gostitur nxënësit e shkollës shqipe dhe mësueset. E po nuk i thonë kot në shtëpinë e shqiptarit nuk mungon kurrë buka kripa dhe zemra.  Zoti Afuz regjistroi edhe dy fëmijët e tij në shkollën shqipe. Të paçim vëlla!

  Midis gëzimit, emocioneve të bukura që të japin shkolla dhe fëmijët, ashtu si papritur dëgjohet zëri i bukur i këngëtares tonë, nxënëses  Arita Rukiqi. Kishim nje verë të tërë pa e parë dhe dëgjuar bilbilin që këndon aq bukur shqip. Të duam shumë!

    U lodhëm por edhe u gëzuam shumë. Një vit të mbarë shkollor të dashur nxënës dhe mësuese !

   Është viti i 20 i jetës së Shkollës Shqipe “GJUHA JONË” në Filadelfia. Le ta bëjmë të paharruar, brez pas brezi , punën e shënjteruar, ruajtjen e gjuhës sonë të bukur shqipe edhe larg Atdheut!

 LLAZAR VERO

 10 Shtator 2023