Çaste shprese e ankthi – një përjetim personal
Nga dr. Sadik Elshani
Më 24 mars të vitit 1999 forcat e NATO-s filluan bombardimet kundër ushtrisë serbe në Kosovë dhe pikave e objekteve strategjike ushtarake në Serbi. Serbia e kishte mbushur kupën duke kryer krimet më të tmerrshme që nga Lufta e Dytë Botërore në shumicën e teritorit të ish-Jugosllavisë e që kulmuan me krime makabre e pastrim etnik ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë. Është shkruar mjaft për këto ngjarje gjatë kësaj periudhe vuajtjesh e sakrificash mbinjerëzore, prandaj, nuk ka nevojë që të përsëriten në këtë shkrim të shkurtër. Por, po sjell ca përjetime personale, edhe pse isha me mijëra kilometra larg vendit të ngjarjes ku po kryheshin krime të tmerrshme, po ndodhnin masakra, tragjedi, drama njerëzore midis jetës e vdekjes.
Si të gjithë shqiptarët anembanë botës, edhe une i prita këto bombardime me shumë entuziazëm dhe me besimin se NATO do ta kryente punën deri në fund, deri në mundjen e Serbisë dhe çlirimin e Kosovës. Kthim prapa më nuk kishte dhe as tërheqje të NATO-s pa e përfunduar misionin që më në fund e kishin ndërmarrë. Natën vonë shkova në shtrat pasi i kisha përcjellur në TV aksionet e para të bombardimeve të NATOS-s.
Aty kah ora 5 e mëngjesit telefoni cingëroi, u zgjova menjëherë. Ishte vëllau im, Shaipi, nga Zvicra. Fjalët e mia të para ishin se kishin filluar bombardimet e NATO-s mbi forcat serbe, por ai menjëherë ma ktheu se gjendja në Suharekë/Therandë ishte kaotike, forcat paramilitare serbe i kishin filluar represaljet ndaj popullsisë së pafajshme e të pambrojtur shqiptare. Më tregoi se vëllezërit Haliti e Sedati i kishin telefonuar se rreziku po u kanosej edhe atyre dhe ndoshta ajo ishte edhe biseda e fundit në mes tyre. U ndjeva shumë i pafuqishëm e i trishtuar nga ato fjalë. Biseduam edhe pak dhe shprehëm mendimin, dyshimin nëse udhëheqja e NATO-s dhe shteteve përendimore e dinin se çka po ndodhte me popullsinë civile në ato çaste.
Isha me mijëra kilometra larg e i pafuqishëm, pa kurrëfarë mundësie për të bërë diçka konkrete për të ndihmuar, për ta ndryshuar gjendjen. Megjithatë, u mundova që të bëja diçka në mënyrë të tërthortë: mora telefonin dhe u mundova që të kontaktoja me Shtëpinë e Bardhë për t’i njoftuar se çka po ndodhte në Kosovë, me idenë që ata ta kontaktonin Millosheviqin dhe t’i kërkonin që t’i ndalnin krimet ndaj popullsisë shqiptare. Përndryshe, atë do ta mbanin përgjegjës dhe një ditë do të përgjigjet për ato krime. Telefoni cingërontë, por askush nuk lajmërohej. Pastaj u mundova ta kontaktoja rrjetin televiziv, CNN. Telefoni cingëronte, por edhe aty askush nuk lajmërohej. Këto përpjekje i vazhdova për një kohë të gjatë, por pa sukses.
Aty diku rreth orës 9 të mëngjesit e kontaktova zyrën e Senatorit Arlen Spekter (1930 – 2012), atëherë senator i rëndësishëm nga shteti i Pennsylvanias. Zonjës që e mori telefonin i tregova se përse po e thërrisja, me pak fjalë ia përshkrova gjendjen që më kishte treguar vëllai dhe i kërkova që Senatori ta kontaktonte Shtëpinë e Bardhë, për të bërë diçka për të ndaluar masakrat që po ndodhnin dhe që do të ndodhnin në ditët në vijim. Tani nuk e di nëse senatori e kishte kontaktuar Shtëpinë e Bardhë apo jo, por në ato çaste mua vendi – vend nuk më zihej, edhe nga larg mundohesha të bëja diçka, ndoshta të pamundur, por që duhej provuar.
Si në gjithë Kosovën edhe në Suharekë/Therandë kanë ndodhur, tragjedi, masakra, krime të tmerrshme. Më 26 mars janë vrarë 21 anëtarë të pafajshëm të familjes së ngushtë Berisha dhe mbi 25 fqinj të tyre: gra, burra, adoleshentë e fëmijë të mitur. Për këtë ngjarje kanë shkruar shumë gazeta shqiptare e botërore, janë bërë dokumentarë të shumtë. Një artikull i gjatë është botuar në qershor të vitit 1999 në revistën javore prestigjioze amerikane, Newsweek. Aty në mënyrë të detajuar është përshkruar sesi ka ndodhur kjo masakër dhe kush e ka kryer atë.
Në lagjen tonë në Suharekë/Therandë që ndodhet rrëzë malit në periferi të qytetit, ishin tubuar edhe shumë familje të tjera, të cilat së bashku me familjen tonë më vonë ishin larguar nga aty, fillimisht duke bredhur nëpër fshatrat përreth nën plumbat e armikut. Vëllau ynë i vogël, Sedati, një ekspert i shkëlqyer i elektronikës, kishte arritur që ta merrte me vete telefonin dhe lidhjen telefonike. Ai telefon ishte lidhja e vetme me botën e jashtme për ata qindra bashkëqytetarë që i kishin braktisur me dhunë shtëpitë e tyre.
Më vonë familjarët kishin arritur, me njëqind mundime, që të kalonin në Shqipëri, Por, dy vëllezërit, Haliti e Sedati, me disa nipër e të tjerë kurrësesi nuk kishin pranuar që ta lëshonin vendin. Edhe ata kishin bredhur nëpër bjeshkë e disa fshatra përreth, pa ushqime, pa siguri. Por, kur gjendja ishte qetësuar pak ata ishin kthyer në shtëpi, me kokë në torbë, siç thotë një fjalë e jona. Pasi kishin përjetuar shumë çaste ankthi e pasigurie, edhe ata më vonë e kishin shfrytëzuar rastin për t’u larguar [ër në Shqipëri, ku ishin bashkuar me anëtarët e tjerë të familjes. Secili njeri, secila familje që i ka përjetuar ato ditë të vështira ka për të treguar drama familjare, ngjarje të tmerrshme, tragjedi.
Në atë kohë unë ndodhesha në Lubbock të Texasit ku punoja si postdoktorant në Texas Tech University, por atë ditë që filluan bombardimet e NATO-s ndodhesha në Philadelphia për ta vizituar familjen. Ne kishim vendosur që nga Texasi të zhvendoseshim në Philadelphia. Për shkak të shkollës së fëmijve, bashkëshortja dhe fëmijët kishin ardhur më herët, ndërsa unë pak më vonë, sepse isha në përfundimin e sipër të disa projekteve shkencore. Me t’u kthyer në Lubbock i dhashë një intervistë kanalit televiziv, 6abc, ku i njoftova për ato që po ndodhnin në Kosovë. Po ashtu, i dhashë një intervistë edhe gazetës universitare, “The University Daily”. Gazetari-student i kishte dhënë një titulli të qëlluar artikullit: “Close to home” (“Afër shtëpisë”). Pra, edhe mijëra kilometrave larg këtyre ngjarjeve të tmerrshme, në mesin e tyre ishte dikush që kishte familje atje, që po i perjetonte ato ngjarje me shumë ankth e pasiguri – ngjarje që kishin ndikim në gjendjen e tij shpirtërore. Ishin këto intervista edhe për ta bërë më të ndjeshme, më të afërt çështjen e Kosovës, për të siguruar përkrahjen e gjërë të popullit dhe zyrtarëve amerikanë: Administratës e Kongresit.
24 Marsi i vitit 1999 ishte dita qe shënoi fillimin e mbarimit të terrorit shekullor serb në Kosovë, ishte dita e ringjalljes së shpresës për liri. Le të jetë kjo një ditë falenderimi, mirënjohjeje e reflktimi – të mos i zhgënjejmë miqtë tanë, të mos e zhgënjejmë popullin tonë. Populli ynë mjaft ka vuajtur ndër shekuj, të dimë si ta gëzojmë lirinë tonë e të bëjmë përpjkje të vazhdueshmë që Kosova të bëhet një vend i lulëzuar e demokratik. Pavarësia e Kosovës është fryt i përpjekjeve mbinjerëzore, luftërave të pandërprera të brezave të tërë të shqiptarëve dhe ndihmës vendimtare të aleatëve tanë përendimorë.
Philadelphia, më 24 mars 2024