Nga Arben Llalla
Greqia feston çdo 25 mars, si dita e fillimit të Revolucionit të 1821 për çlirimin e saj nga osmanët. Por 25 marsi lidhet edhe me një ditë të turpshme për Greqinë dhe grekët të cilët bëjnë sikur e kanë harruar.
Ishte mëngjesi i 25 marsit 1944, trupat gjermane me ndihmën edhe të trupave të xhandarmërisë greke, Batalioneve të Sigurimit grek të komanduar direkt nga kryeministri kuisling, Joani Ralli hipën nëpër kamionë rreth 1.725 burra, gra, pleq e fëmijë të komunitetit hebrenj të cilët ishin grumbulluar nga i gjithë Epiri në dy qendra. Ishin hebrenjtë të cilët prej disa shekujsh jetonin në Epiri dhe një ditë grekët në bashkëpunim me gjermanët i nisën për në kampet e shfarosjes. Sipas dëshmitarëve dhe dokumenteve të kohës nuk pati asnjë reagim nga qeveria vendore, nga popullata ortodokse greke. I gjithë operacioni shoqërohej atë ditë nga policia greke dhe ushtria gjermane. Vetëm 3 orë në dispozicion u lanë hebrenjve atë ditë për tu bërë gati, për braktisjen me dhunë të pronës së tyre.
Për lexuesit po sjellim fotot e asaj dite të zezë për bashkësinë hebrenjtë , të 25 marsit 1944, ditës së turpit për Greqinë të cilët bëjnë sikur e harrojnë, por ata e dinë fare mirë se çfarë mëkati kanë bërë në bashkëpunim me gjermanët nazistë. Besoj se nuk ka vend për fjalë, ku qartë vërehet dëshpërimi, lotët tek hebrenjtë e Epirit të cilët me një valixhe në dorë u nisën drejt vdekjes për të mos u rikthyer kurrë më në shtëpitë e tyre.
Ky është njëri nga faktet e shumta të bashkëpunimit të grekëve me gjermanët nazistë për pastrimin e Greqisë nga minoritetet shqiptare dhe hebrenjtë. E pra, nëse do kishte një bashkëpunim të shqiptarëve të Çamërisë me gjermanët nazistë denoncimi i parë do të bëhej nga bashkësia hebreje e Epirit. Ja edhe një fakt tronditës për historinë e Greqisë e cila gjithnjë ka shtrembëruar të vërtetën.