Nga Ruben Avxhiu
Me rastin e 50-vjetorit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, shqiptarët organizuan, në New York, një veprimtari në përkrahje të të burgosurve politikë shqiptarë në Kosovë e kudo në Ish-Jugosllavi
Në fotografinë kryesore dy nga tre organizatorët: Fadil Berisha dhe Lumi Hadri (i treti ishte Avni Mustafaj) dhe në mes aktorja e shquar Vanessa Redgrave që kishte folur shumë herë në mbështetje të Kosovës dhe kauzës së shqiptarëve në Ish-Jugosllavi. (Fotografia e faqes së gazetës e huazuar nga Lumi Hadri)
Me interes të madh u pritën fjalimet nga dy avokatë që kishin udhëtuar nga Kosova: Fazli Bala dhe Destan Rukiqi. I ftuari i tretë ishte Prof. Dr. Agim Vinca nga Universiteti i Prishtinës.
Shumë histori të asaj kohe janë harruar sot.
Të mbroje shqiptarët që regjimi i Millosheviqit i burgoste për arsye politike apo për të zbatuar diskriminimin e rreptë etnik, ishte të rrezikoje veten dhe familjen.
Si treguan edhe vetë atë ditë, ata e kishin njohur sistemin represiv në të dy anët e hekurave. Kishin qenë jo vetëm avokatë të veprimtarëve shqiptarë por edhe të njëri-tjetrit. Sipas ligjit në federatën jugosllave, të ndaluarin mund ta mbaje vetëm tre ditë pa akuzë dhe pa takuar avokatin e tij. Për shqiptarët as ky ligj nuk zbatohej.
Kështu avokati Destan Rukiqi kishte mbrojtur poetin, shkrimtarin dhe studjuesin Agim Vinca të cilin e kishin dënuar me 15 ditë burg (10 ditë prej tyre në qeli) vetëm pse kishte vizituar Shqipërinë. Pastaj ishte ndaluar dhe mbajtur në burg vetë avokati Rukiqi. Avokati Fejzi Balaj ishte bërë përfaqësues mbrojtës i kolegut të tij. Jo vetëm që nuk e kishin lënë ta takonte brenda 3 ditësh sipas ligjit, por i ishte dashur të priste 18 ditë për të takuar. Gjatë kësaj kohe e kishin torturuar aq sa pas daljes nga burgu është detyruar të qendronte për 20 ditë në dializë.
Mirëpo, këta avokatë jo vetëm u përballën rregullisht me regjimin fashist serb në sallat e gjyqit, jo vetëm që nuk u frikësuan dhe nuk u dorëzuan por 25 vjet më parë ishin hedhur në sulm duke denoncuar Sllobodan Millosheviqin në Gjykatën e Hagës.
Në maj të vitit 1998, këta dy avokatë në bashkëpunim me kolegun e tyre Bajram Kelmendi hartuan Kallzimin Penal të diktatorit serb dhe bashkëpunëtorëve të tij dhe e dorëzuan si dokument në Gjykatën e Hagës. Millosheviqi e përqeshi aktin e tyre, por pas vitesh përfundoi aty si i arrestuar dhe i paditur.
Avokati Kelmendi nuk jetoi që të shihte këtë kurorëzim të punës së tyre. Dy ditë pas fillimit të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në Kosovë, ai u pushkatua së bashku me dy djemtë e tij.
Dje ishte 75-vjetori i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Ato supozohen që të jenë universale, por realiteti dëshmon tjetër gjë. Këtej e andej kufirit të Kosovës me Serbinë, të drejtat që kërkohen për pakicat etnike ndryshojnë si nata me ditën. Pakica serbe në Kosovë ka të drejta maskimale, ajo shqiptare në Luginën e Preshevës po zbrazet nga dita në ditë.
25 vjet më parë, kur këta avokatë guximtarë torturoheshin në burgjet serbe, ministri i propagandës serbe, me emrin Aleksandër Vuçiq mbulonte persekutimin politik si një trillim të sajuar nga armiqtë e Serbisë. Sot, ai është president dhe pritet të rizgjidhet pa probleme në zgjedhjet e radhës në Serbi.
Ata që e harrojnë historinë, thotë një shprehje e rraskapitur nga përsëritjet, janë të detyruar që ta rijetojnë atë.
Le mos e harrojmë asnjëherë trimërinë dhe sakrificën e avokatëve shqiptarë të asj kohe, të atyre që organizuan qëndresën paqësore, të atyre që dhanë gjithshka në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e gjithë mbështetësve të tyre brenda dhe jashtë vendit.