30 ditë paraburgim dy shtetasve zviceranë që e bënë shqiponjën dykrenare në Beograd

Beograd, 4 nëntor 2024 – Gjykata e Lartë në Beograd ua ka caktuar masën e sigurisë 30 ditë paraburgim dy shtetasve zviceranë që e kanë bërë me pëllëmbë shqiponjën dykrenare, simbolin kombëtar të shqiptarëve, para ndërtesës së Kuvendit të Serbisë në Beograd.

Bernard C., dhe Ganfranc V., akuzohen nga Prokuroria e Lartë Publike në Beograd për veprën penale “nxitje e urrejtjes, racore dhe fetare” para Kuvendit të Serbisë.

Sipas kallëzimit penal, më 2 nëntor, para ndërtesës s՞ Kuvendit të Serbisë, në Beograd, Bernard C. e ka fotografuar me celularin e tij Gianfranco V., që po e bënte me pëlëmbë shqiponjën dykrenare, të cilën Prokuroria e Lartë Publike në Beograd e ka cilësuar si “simbol të Shqipërisë së madhe”.

“Pasi i pa policët, Gianfranco është larguar nga vendi i ngjarjes, por është arrestuar në qendër të Beogradit po atë mbrëmje”, thuhet në kallëzimin e prokurorisë.

Sipas njoftimit, Bernard C, i cili është shtetas i Zvicrës dhe i Kroacisë, gjatë seancës, i ka pranuar pjesërisht pretendimet e kallëzimit penal, ndërsa Gianfranco V, shtetas i Zvicrës, është mbrojtur në heshtje.

Zëdhënësja e gjykatës, Milica Veliçkoviq, ka thënë se dy të dyshuarve u është caktuar masa e paraburgimit për shkak të rrezikut të arratisjes.

(r.m.)