Prishtinë, 2 korrik 2022 – Sot në Kosovë u kujtua 32 vjetori i njërës nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së jetësimit të vullnetit të popullit për pavarësi – miratimi i Deklaratës Kushtetuese nga Kuvendi i Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një mesazh me rastin e këtij përvjetori, e vlerësoi Deklaratën Kushtetuese si gurë themeli për projektin historik për krijimin e shtetit të Kosovës
“Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut të vitit 1990 shënon hapin vendimtar për realizimin e ëndrrës shekullore për shtetin e Kosovës.
114 delegatë të Kuvendit të Kosovës, atëkohë morën guximin që në rrethana dhe kushte të jashtëzakonshme nëpërmjet këtij akti heroik e juridik ta artikulojnë vullnetin e popullit të Kosovës për trajtim të barabartë.
Më tepër se tri dekada më parë, gra e burra patën guximin që Kosovës t`ia japin drejtimin e duhur, ta krijojnë bazën për subjektivitet të shtetit në ardhje, ndaj në këtë përvjetor falënderoj secilin që vuri një gur në projektin tonë historik për shtet.
Themelet e shtetit janë ngritur mbi vendimin e delegatëve të 2 Korrikut, ndaj sot Kosova është shtet i pavarur, i lirë dhe sovran!
Urime 2 Korriku!
Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe popullin e saj!”, thuhet në mesazhin e Presidentjes Osmani.
Edhe Kryeministri Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në Facebook, shprehu mirënjohje të thellë dhe përulësi për 114 delegatët e Kuvendit të Kosovës që në kushte të represionit të egër serb shprehën vullnetin e popullit të Kosovës për pavarësi.
“Në ditën e sotme, më 2 korrik të vitit 1990, përmes Deklaratës Kushtetuese u shpall Republika e Parë e Kosovës. (Parulla kryesore në demonstratat e studentëve dhe punëtorëve në mars e prill 1981, pat qenë: Kosova Republikë!)
Në kushtet e represionit të pushtetit të Serbisë, delegatët u mblodhën jashtë dyerve të Kuvendit, meqë nuk lejoheshin të hynin brenda.
32 vite më parë triumfoi legjitimiteti popullor i vullnetit qytetar mbi legalitetin shtypës të Serbisë.
Deklarata Kushtetuese u nënshkrua prej 114 delegatëve nga shumica shqiptare e pakicat boshnjake e turke. Kjo deklaratë ishte akt i vetëvendosjes politike dhe artikulim i qartë i vizionit e vullnetit politik të qytetarëve dhe të institucioneve të Kosovës për liri, demokraci dhe pavarësi. Që ky vullnet të bëhet realitet u bënë shumë sakrifica e flijime, shumë punë e angazhim.
Me krenari e respekt kujtojmë delegatët nënshkrues, ata që janë mes nesh dhe ata në përjetësi. I paharrueshëm është kujtimi për ta dhe veprën e tyre”, ka shkruar Kurti.
(r.m.)