Prishtinë, 26 dhjetor 2024 – Gjykata Themelore në Prishtinë të enjten ka dënuar me 39 vjet burgim e 300 mijë euro gjobë të akuzuarit në rastin “Toka”. Ndërsa të akuzuarin kryesor, Azem Syla, e ka liruar nga akuzat, raporton KOHA.
Rasti “Toka” kishte nisur në vitin 2016 dhe mori epilog tek tash në vitin 2024.
Gjykata dënoi me shtatë vjet burgim e 50 mijë euro gjobë Shaban Sylën. Dënim të njëjtë i shqiptoi edhe Shpresim Ukës.
Ramadan Uka dhe Arton Villa u dënuan me nga pesë vjet burgim e 40 mijë euro gjobë secili.
Abdurrahman Brajshori u dënua me tri vjet burgim dhe 30 mijë euro gjobë.
Lubisha Vujoviq u dënua me katër vjet burgim dhe 20 mijë euro gjobë.
Vidosav Novakoviq u dënua me katër vjet burgim dhe 20 mijë euro gjobë.
Ilaz Syla u dënua me tri vjet burgim dhe 30 mijë euro gjobë.
Sabedin Haxhiu u dënua me një vit burg.
Përveç Azem Sylës, nga akuzat u liruan edhe Gazmend Gashi, Avni Maxhuni, Elheme Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi dhe Ramadan Mavraj.
Prokuroria Speciale pati akuzuar të pandehurit se kanë falsifikuar vendime gjyqësore dhe dokumente të tjera të pronave shoqërore dhe të serbëve për t’i marrë nën pronësi. Sipas aktakuzës, në periudhën midis viteve 2006-2016, të pandehurit kanë korruptuar zyrtarë të Gjykatës Komunale në Prishtinë, si dhe zyrtarë komunalë të Kadastrës, duke i siguruar fillimisht dokumentet origjinale nga Serbia e më pas duke i falsifikuar ato.
Është prej rasteve të rralla ku ka pasur bashkëpunim mes institucioneve të Kosovës dhe atyre të Serbisë.