Shtetasi Arben Elezi, 50 vjeç, banues në fshatin Larushk të Fushë-Krujës që përfshihet në qarkun e Durrësit, u ndalua nga policia në Shkafanë të Ishmit
Knid Ndrenika
Një 50-vjeçar u arrestua nga policia e Durrësit në operacionin e koduar “Furnitori”.
Policia tha se ky arrestim ishte goditje e një tjetër rasti të veprimtarisë kriminale të prodhimit dhe shitjes së minave me telekomandë.
Sipas policisë ky operacion i kryer nga shërbimet e Komisariatit të Durrësit, gjithashtu shërbeu për parandalimin e ngjarjeje të mundshme kriminale.
Të arrestuarit në flagrancë Arben Elezi iu sekuestruan 4 mina me telekomandë, të cilat do shiteshin kundrejt çmimit 10.000 euro, raportoi korrespondenti i RTK-së në Shqipëri, Knid Denion Ndrenika.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në koordinim me strukturat hetimore të DVP Durrës, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se një shtetas me tendencë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së minave me telekomandë po tentonte të shiste mina me telekomandë, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Furnitori”-njoftoi policia.
Shtetasi Arben Elezi, 50 vjeç, banues në fshatin Larushk të Fushë-Krujës që përfshihet në qarkun e Durrësit, u ndalua nga policia në Shkafanë të Ishmit.
“Gjatë kontrollit fizik i gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 mina me telekomandë të lidhura me aparat celular, të cilat ky shtetas do t’i shiste kundrejt shumës 10.000 euro”-thuhet në njoftim.
Ndërkaq, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.