Prishtinë, 12 korrik 2021 – Të paktën 428 pacientë kanë kërkuar ndihmë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan me simptoma të helmimit. Dyshimet zyrtare për shkakun e helmimit janë te një degë e furnizimit të ujësjellësit “Hidrodrini”.
Marramendje e të vjella i kapluan edhe gjashtë anëtarë të familjes Lushaj nga fshati Shaptej në Deçan të dielën, më 11 korrik.
Shkumbin Lushaj thotë se uji në rubinetin e shtëpisë, që furnizohet nga ujësjellësi, nuk është i pastër tash e një javë, ndërsa që nga dita e shtunë, kanë vërejtur simptoma të lehta të helmimit.
“Kemi që disa ditë që uji nuk po vije normalisht i pastër, por është i turbulluar. Të shtunën në mbrëmje filluan disa prej simptomave, por nuk i mora si serioze. Ndërsa të dielën filloi marramendja, vjellja, diarreja… të cilat përveç meje i prekën edhe të gjithë anëtarët e familjes time”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.
Lushaj është njëri ndër qindra banorë të disa fshatrave në Deçan, që përjetuan simptoma të ngjashme, duke ngritur alarmin te stafi mjekësor në QKMF.
Sipas të dhënave zyrtare, shqetësime u shfaqën nga banorët e fshatrave Prejlep, Rastavicë, Irzniq, Gllogjan, Shaptej, Gramaqel, Baballoq, Ratishë dhe Jasiq i ri.
Edhe Zenel Kadrijaj nga fshati Rastavicë, tregoi për Radion Evropa e Lirë se ditëve të fundit, kishin vërejtur ndryshime në dukjen e ujit të pijes.
“Tek uji e kemi vërejtur që e ka pasur ngjyrën më të mbyllur dhe një natë më pas ka pasur sasi të madhe të klorit”, tha ai.
Kadrijaj tha se bashkëshortja dhe vajza e tij përjetuan simptoma më të rënda nga helmimi.
Ujësjellësi ndërpreu ujin deri në publikimin e rezultateve të testimit
Qendra e Mjekësisë Familjare në Deçan që nga dita e shtunë, ngrehu alarmin për numër të pazakontë të pacientëve, me simptoma të ngjashme.
Drejtori i kësaj qendre, Selmon Berisha tha për Radion Evropa e Lirë se pasi e kishin lajmëruar Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, ata erdhën dhe morën mostrat e ujit për të bërë analizën kimike dhe biologjike.
“Analizat kimike ka rezultuar në rregull ndërsa analizat biologjike janë në përpunim e sipër. Po ashtu, gjatë gjithë kohës e kemi angazhuar laboratorin tonë dhe analizat e pacientëve rezultojnë që janë helmime bakteriologjike”, tha ai.
Deri sa rezultatet e analizave të fundit të këtij uji nuk kanë dalë ende, që nga e diela në mbrëmje, ujësjellësi rajonal “Hidrodrini” ka bërë ndërprerjen e furnizimit me ujë në zonat e dyshuara për helmim masiv.
Ndërkaq, drejtori Berisha tha se në koordinim edhe me organet e komunës, janë duke shqyrtuar të bëjnë apel që në të gjithë Deçanin të mos pihet uji deri sa të kuptohet nëse uji është shkaktar i helmimit.
Ujësjellësi “Hidrodrini” ka bërë apel për kujdes, por duke thënë se “deri në arritjen e rezultateve, nuk mund të konstatohet asgjë në zbardhjen e dyshimeve për ujë të helmuar ose jo”.
Zyrtarë të Komunës së Deçanit nuk i janë përgjigjur thirrjeve të deritanishme për koment lidhur me këtë çështje.
(Doruntina Baliu, REL)