Revista “National Interest” ka botuar në shkrim nga Akhilesh Pillalamarri kur përshkruhet beteja e Lëndinës së Dabikut, që çimentoi mbizotërimin otoman në botën myslimane.
Beteja zyrtarizoi statusin e sulltanëve si kalifë, nënshtrimin e botës arabe nën turqit dhe kthimin real të shtetit otoman në një perandori.
Kjo betejë e 500 viteve më parë vendosi përballë njëra-tjetrës ushtritë e Perandorisë Otomane dhe Sulltanatit Mamluk të Egjiptit, Arabisë së sotme, përfshi edhe trojet e bregut të mesdheut lindor.
Akhilesh Pillalamarri shkruan se beteja u bë diku në veriperëndim të Sirisë, aty ku Shteti Islamik beson se do të ndodhë Armagedoni, apo beteja e fundit të botës, sipas një interpretimi të një hadithi nga Profeti Muhamet.
Në fillim të shekullit të 16, pasi kishte nënshtruar shumicën e Ballkanit, përfshi edhe trojet shqiptare, Perandoria Otomane i ktheu sytë nga Lindja e Mesme. Arsyeja kryesore për këtë ishte fuqizimi i shpejtë i Perandorisë Perse të Safavidit. E krijuar në 1501, Azerbajxhanin e sotëm Lindor, në veri të Iranit, ajo u zgjerua me shpejtësi duke aneksuar shumicën e Persisë, Afganistanit dhe Irakut.
Shumë fise turke dhe kurde, në Turqinë lindore filluan të ndikohen gjithnjë e më shumë nga kjo perandori e re, sesa nga otomanët. Ndikimi më i madh u vu re në përhapjen e sektit Shia që propagandonin Safavidët.
Ky kërcënim nga lindja ishte papritur shumë më i madh se principatat e vogla ballkanike. Në 23 gusht 1514, ndodhi Beteja vendimtare e Çaldiranit, që përfundoi me fitoren otomane, në sajë të superioritetit të artilerisë.
Kjo fitore bëri që Safavidët të tërhiqeshin duke ia lënë Turqinë Lindore dhe Mesopotaminë Perandorisë Otomane.
Një ndikim shumë më i rëndësishëm dhe afatgjatë ndodhi planin fetar. Islami sunit u bë qysh atëhere mbizotërues mes otomanëve në përgjithësi dhe turqve në veçanti. Ndërsa, Safavidët duke humbur rastin për të rritur masivisht numrin e subjekteve të tyre të sektit sunit, vendosën themelet e identitetit shia për kombin Iranian.
Akhilesh Pillalamarri shkruan se Beteja e Çaldiranit hapi rrugën për betejën tjetër akoma më të rëndësishme. Pas fitores dhe sigurimit të krahut lindor të perandorisë, Sulltan Selimi vazhdoi marshimin drejt jugperëndimit ku mbizotëronte Sulltanati i Mamlukëve, fuqia e madhe arabe e tre shekujve të fundit.
Mamlukët ishin gardianë të Mekës, Medinës dhe Jeruzalemit, me një shtet të ngritur pas shkatërrimeve të mëdha yë vërshimeve mongole.
Mamlukët ndaluan marshimin mongol në Ain Xhalut në 1260, dy vjet pas shkatërrimit të Kalifatit Abasid, me qendër në Bagdad. Duke marrë në mbrojtje një trashëgimtar të familjes sunduese, mamlukët e vetëshpallën shtetin e tyre kalifat.
Otomanët nuk kishin frikë nga mamlukët, të cilët, në shekullin e 16, ishin në rënie të plotë dhe ishin dobësuar mjaft. Mirëpo, druheshin nga ndonjë aleancë mes safavidëve dhe mamlukëve që mund ta vinin perandorinë mes dy zjarreve. Kjo nuk ishte paranojë. Të dy shtetet kishin një pakt mbrojtës, në rast se otomanët do të sulmonin Persinë. Në fakt, mamlukët u munduan të luajnë me të dy krahët, duke u përpjekur të shisnin persët te otomanët dhe otomanët te persët.
Në 1516, plot 500 vjet, apo gjysëm-mijëvjeçari më parë, Selimi i Parë filloi pushtimin e Sirisë. Ushtria e mamlukëve duke injoruar popullsinë vendase shkatërroi qytetin e Alepos duke vjedhur e grabitur popullatën vendase, në pritje të ushtrisë otomane.
Kur të dy ushtritë u përplasën në Marxh Dabik, guvernatori i Alepos, Khair Beu, pati rastin të hakmerrej për qytetin e tij. Ai bëri thirrje që ushtarët e tij të braktisnin krahun e majtë të ushtrisë duke ia lehtësuar fitoren otomanëve. Ai u shpërblye më vonë me postin e guvernatorit të Egjiptit.
Megjithatë, fitoren e otomanëve e vulosën teknollogjitë dhe taktikat e reja ushtarake. Mamlukët ishin klorës të tmerrshëm e luftarakë, por armët e zjarrit dëshmuan superioritetin e tyre, artileritë që otomanët i vendosën në krahë, dhe pushkëtarët në qendër. Në fund, mes mijëra të vrarëve ishte edhe vetë sulltani i mamlukëve.
Pas kësaj Sulltanati Mamluk u rrëzua shpejt. Në 22 janar, 1517, otomanët fituan edhe një herë afër Kairos, duke e kthyer Egjiptin në një provincë të perandorisë.
Pas kësaj, Sharifi i Mekës njohu si sundimtar sulltanin otoman, duke njohur kalimin e qendrës së kalifatit në Stamboll. Ndonëse disa sundimtarë mughalë dhe “Kalifati i Sokotos”, në Afrikën Perëndimore refuzuan që të njihnin zyrtarisht Stambollin si kryeqytet të Kalifatit, shumica e botës arabe pranoi që për herë të parë një shtet joarab të njihej si koka e myslimanëve ë botë.
Për gati katër shekuj, otomanët do të sundonin arabët dhe shumicën e myslimanëve si politikisht ashtu edhe nga pikëpamja fetare.
Po fitorja erdhi me një lloj çmimi në kuadrin e identitetit fetar. Deri atëhere, otomanët kishin qenë më të hapur për punën e fesë. Përfshirja e hapësirave të gjera arabe solli përshtatjen e perandorisë ndaj një sunizmi më pak tolerant ndaj sekteve të tjera. Turqia e sotme kishte qenë vend pjellor rrymash sufiste, të cilat flluan dalëngadalë ta humbasin rëndësinë e tyre, deri në izolim e denoncim. Me fuqizimin e shteteve europiane, Islami u bë shumë i rëndësishëm për perandorinë për të mos lejuar ndikimin e fuqive të tjera dhe për të mbajtur popullatat besnike ndaj Stambollit.
Arabët njëkohësisht adhuronin fuqinë otomane për krijimin e një shteti të fortë mysliman, po aq sa e urrenin për shkak të rënies së rëndësisë politike dhe ekonomike të qendrave historike arabe, si Bagdadi në Irak apo Aleksandria në Egjipt, që përfunduan në qendra provinciale të dorës së dytë, në perandori.
Jo vetëm pesha politike dhe ekonomike e arabëve por edhe ajo kulturore e artistike shënoi një rënie drastike në këto shekuj. Shumica e studimeve dhe veprave të artit në periudhën otomane janë bërë në gjuhën perse e pastaj në atë turke. Madje edhe në Çagatai dhe Urdu.
Beteja e 500 viteve më parë në Marxh Dabik pati pasoja të jashtëzakonshme që ndihen edhe sot e kësaj dite, duke shënuar zyrtarisht rënien e fuqisë dhe institucioneve arabe. Sot, arabët vetëm mund të marrin me mend se çfarë do të kishte ndodhur nëse mamlukët do të kishin fituar e do të kishin siguruar një zhvillim paralel të botës arabe, në konkurrencë me botën otomane, e jo si pjesë e saj. (Përgatiti Ruben Avxhiu)