Prishtinë /Tiranë, 8 prill 2022 – Mbi 50 zyrtarë policorë, të cilët punonin në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, në Morinë, u arrestuan të premten në një operacion të përbashkët ndërmjet organeve të rendit nga të dyja shtetet.
Në një njoftim të Inspektoratit Policor të Kosovës, thuhet se janë arrestuar 26 zyrtarë policorë, të dyshuar për veprat penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “marrje e ryshfetit”.
“Inspektorati Policor i Kosovës me urdhër të Prokurorisë Speciale është duke realizuar sot operacionin e koduar me emrin ‘Pika 2’ që ka filluar qysh në orët e hershme të mëngjesit në Prizren respektivisht në pikë kalimin kufitar në Vërmicë.
Operacionit të sotshëm i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale ‘marrje e ryshfetit’ dhe ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’”, tuhet në njoftim.
Operacionit të sotëm i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar, thuhet në njoftim, gjatë të cilit hetuesit thuhet se kanë përdorur edhe masat e fshehta të vëzhgimit dhe hetimit.
Ndërkohë në njoftimin nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri, thuhet se janë arrestuar 31 zyrtarë, të cilët “në vijimësi detyronin shtetas shqiptarë dhe të huaj që të paguanin shuma të ndryshme parash për kalimin nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas”.
Aty thuhet se nga hetimi janë dokumentuar 312 raste të veprimeve korruptive të punonjësve të policisë, të cilët “favorizonin persona të ndryshëm për futjen e mallrave kontrabandë; persona që trafikonin automjete, sende të tjera të kundërligjshme; ndihmonin për të kaluar kufirin persona të ndryshëm të cilët kishin problem me ligjin dhe të tjera”.
Operacioni i sotëm me emrin e koduar “Pika 2”, është vazhdimësi e operacionit “Pika 1” i cili u zhvillua në mes të muajit të kaluar nga organet e rendit në Kosovë, gjatë të cilit u arrestuan 48 policë dhe 2 doganierë që punonin në vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës e Shqipërisë në Gjakovë e Prizren, nën dyshimet për veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
(Zëri i Amerikës)