Uashington, 25 korrik 2022 – Një sondazh i ri arrin në përfundimin se rreth 2 në 3 amerikanë janë në favor të kufizimit të mandatit ose përcaktimit të kufijve të detyrueshëm për daljen në pension për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Po kështu sondazhi identifikon një rritje të fortë në përqindjen e amerikanëve që thonë se nuk kanë pothuajse fare besim tek gjykata.
Sondazhi është kryer nga Qendra e përbashkët e agjencisë së lajmeve ‘Associated Press’ dhe Qendrës Kërkimore mbi Çështje Publike ‘NORC’. Ai zbulon se 67% e amerikanëve, ose 82% demokratë dhe 57% republikanë, mbështesin propozimin për mandat të kufizuar për gjykatësit ndryshe nga mandati i përjetshëm që ata gëzojnë aktualisht. Pikëpamjet janë të ngjashme në raport edhe me daljen në pension të gjykatësve të lartë, gjë për të cilin amerikanët kërkojnë të vendoset një kufi moshe.
Sondazhi u krye vetëm disa javë pasi Gjykata e Lartë mori dy vendime të rëndësishme, që përfshinin zhveshjen nga mbrojtja kushtetuese të së drejtës që gratë gëzonin për abort si dhe zgjerimin e të drejtave të armëve. Sondazhi tregon gjithashtu se shumica e amerikanëve janë kundër vendimit të gjykatës mbi abortin dhe pak më shumë se gjysma e tyre shprehen të ‘zemëruar’ ose ‘të dëshpëruar” lidhur me të.
Me përfundimin e sezonit veror, Gjykata e Lartë pritet t’i rikthehet trajtimit të çështjeve në tetor me një rënie të besimit nga ana e publikut ndaj saj. Sipas sondazhit, 43% e amerikanëve thonë se nuk kanë aspak besim tek gjykata, nga 27% që llogaritej kjo shifër tre muaj më parë.
Kushtetuta parashikon mandat të përjetshëm për gjykatësit federalë, mes tyre anëtarët e Gjykatës së Lartë, por kohët e fundit ka pasur thirrje për ndryshime.
Një komision i ngarkuar nga Presidenti Joe Biden për të shqyrtuar ndryshime të mundshme në raport me Gjykatën e Lartë, trajtoi mes të tjerash edhe çështjen që lidhet me kufizimin e mandatit të gjykatësve. Komisioni përfundoi punë vitin e kaluar, por anëtarët e tij u ndanë në qëndrime lidhur me fuqinë që gëzon Kongresi për ta kufizuar mandatin e gjyqtarëve me një ligj të miratuar prej tij.
Një propozim tjetër që trajtua nga komisioni Biden ishte rritja e numrit të gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë dhe në këtë pikë sondazhi tregon një ndarje në mënyrë të barabartë të amerikanëve. Përgjithësisht, 34% shprehen pro këtij propozimi, 34% kundër dhe 32% thonë se nuk kanë asnjë mendim. Po sipas sondazhit, demokratët janë më shumë pro sesa kundër rritjes së numrit të anëtarëve të Gjykatës së lartë, ose 52% me 14%, ndërsa republikanët janë më shumë kundër, respektivisht 61% me 14%.
Sondazhi identifikon pakënaqësi të shtuar ndaj Gjykatës së Lartë krahasuar me tre muaj më parë, përpara se gjykata të anulonte një vendim të vitit 1973, të njohur si çështja ‘Roe kundër Wade’, që garantoi të drejtën për abort.
Në sondazhin e muajit prill, të kryer përpara se të zbulohej një opinion paraprak i gjykatës mbi vendimit, 18% e amerikanëve shpreheshin se kishin besim të madh tek gjykata, 54% thanë se kishin pjesërisht besim ndërsa 27%, pothuajse fare. Aktualisht 17% e amerikanëve thonë se kanë besim të madh tek gjykata, 39% pjesërisht dhe 43% pothuajse fare.
(Zëri i Amerikës)