U përkujtua një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së Luftës Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar, 79 – Vjetori i Konferencës së Pezës.
Në nder të të rënëve dhe të gjithë atyre që bënë të mundur bashkimin e shqiptarëve në luftën kundër pushtuesve, përfaqësues të qeverisë dhe pushtetit vendor të Tiranës vendosën kurora me lule në monumentin e ngritur në Pezë.
Në emër të Ministrisë së Mbrojtjes, një kurorë u vendos edhe nga zëvendësministrja e Mbrojtjes Dallëndyshe Bici dhe zëvendëskomandanti i Komandës Mbështetëse Përparim Gega, të cilët morën pjesë në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast. Të pranishmit bënë edhe homazhe në Varrezat e Dëshmorëve.
Konferenca e Pezës u mbajt më 16 shtator 1942. Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues të forcave antifashiste shqiptare me synim formimin e një fronti të përbashkët lufte kundër okupatorit, duke marrë edhe disa vendime të rëndësishme, një ndër të cilat ishte edhe krijimi i një Shqipëria të lirë, të pavarur e demokratike pas luftës.