Tiranë, 24 qershor 2021 – Në Tiranë, Akademia e Studimeve Politike publikoi sot Raportin e Monitorimit mbi administratën shtetërore dhe mbi shpenzimet e partive gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Në raportin e gjashtë të monitorimit mbi shpenzimet e partive dhe administratën gjatë fushatës zgjedhore të 25 prillit theksohet se ministrat dhe zyrtarët e lartë nuk bënë një ndarje të qartë midis postit zyrtar dhe kandidimit partiak, ndërsa punësimet e përkohshme ishin të shumta dhe shkelën kufizimet që u futën në Kodin Zgjedhor me Marrëveshjen shumëpartiake të 5 qershorit.
Drejtuesi i Akademisë së Studimeve Politike, Erjon Tase, tha që edhe pse ishte e ndaluar me Kod Zgjedhor, Partita Socialiste përdori mjediset e shkollave dhe institucione të tjera publike për të zhvilluar veprimtari fushate.
Pjesa më e vështirë dhe më shumë spekulative, sipas zotit Tase, është pjesëmarrja e zyrtarëve të lartë si kandidatë në fushatë, kur ata përdorën të gjithë burimet shtetërore për të zhvilluar veprimtari partiake.
Po ashtu, thuhet në raport, partia në pushtet shkeli edhe kufirin ligjor të dhuratave deri në 5 dollarë për qytetarët. Pati edhe shkelje që lidhen me koncertet dhe posterat fushateske në mjedise të ndaluara.
“Megjithatë kanë munguar ndëshkimet dhe një sistem i qartë rregullash për të ndëshkuar këto shkelje të ndalimeve, që parashikon Kodi Zgjedhor”, – thotë zoti Tase.
Ky është raporti i gjashtë, ndërësa në raportet e mëparshme Akademia e Studimeve Politike njoftoi një seri shkeljesh të Kodit Zgjedhor nga qeveria dhe parlamenti me të paktën 15 ligje, akte normative ligjore dhe vendime, urdhëra dhe udhëzime nga qeveria si dhe akte që nxjerr parlamenti.
Kodi Zgjedhor kërkon që 4 muaj para zgjedhjeve të kufizohen burimet dhe veprimtaritë publike të zyrtarëve të lartë qendrorë dhe vendorë, për të siguruar një barazi të tyre në garë me opozitën.
Vëzhguesit ato i vlerësojnë si shkelje të Kodit Zgjedhor, sepse ndikojnë qytetarët me falje detyrimesh, taksa, tatime, rritje rrogash e pensionesh, punësime të reja në administratë dhe sjellin favorizim elektoral të partisë politike në pushtet.
Marrëveshja e 5 qershorit dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor synuan krijimin e kushteve të barabarta për kandidatët. Kufizimet u përshëndetën nga opinioni shqiptar dhe ai ndërkombëtar, por raportimet dëshmojnë për mosplotësimin e një pjese të konsiderueshme të tyre.
Vëzhguesit vendas dhe të huaj konstatuan gjatë fushatës dhe gjatë ditës së zgjedhjeve përdorimin e burimeve shtetërore nga kandidatët socialist.
Ata rekomandojnë një kontroll më të fortë nga institucione të pavarura si KLSH se si përdoren dhe si justifikohen zyrtarët gjatë përdorimit të mjeteve shtetërore gjatë veprimtarisë elektorale patiake.
Socialistët dhe demokratët japin vlerësime të ndryshme për zgjedhjet e 25 prillit: ajo që për opozitën është një masakër zgjedhore, ku u vodëhn mijëra vota dhe u tjetërsua vendimi i votuesve, për socialistët është fitorja në një garë të drejtë e një mandati të tretë pas mirëqeverisjes gjatë tërmetit dhe pandemisë.
(Zëri i Amerikës)