Prishtinë, 24 qershor 2021 – Wolfgang Petritsch, ish-përfaqësues i Bashkimit Europian për Kosovën, ka thënë se nuk beson se Kosova dhe Serbia mund të arrijnë marrëveshje gjatë këtij viti.
Petritsch ka thënë gjithashtu se përmbajtja e marrëveshjes është më e rëndësishme se sa koha e arritjes së saj. Megjithatë, ai ka rekomanduar të shfrytëzohet momentumi i përshtatshëm, pasi Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, është mbështetës i dialogut.
“Tani, sigurisht, me Lajçakun dhe me mbështetjen e plotë të administratës Biden, e cila nuk ishte e tillë një vit më parë, unë besoj dhe jam optimist. Por, nuk do të thosha që dialogu do të sjellë rezultate këtë vit. Kjo do të thotë që nuk duhet të fokusohemi shumë në kohë, por më shumë të fokusohemi në përmbajtjen dhe në cilësinë e marrëveshjes”, ka thënë Petritsch, për televizionin Klan Kosova.
Ai ka thënë se është me rëndësi për procesin e dialogut që Kosova tani e ka një qeveri që e ka shumicën në parlament, gjë që do të thotë se pala negociuese është më e fuqishme kur e ka mbështetjen e qytetarëve.
Diplomati austriak ka thënë se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe në Kosovë duhet të jetë në kuadër të kornizave të shtetit të Kosovës.
“Rëndësia e një shteti, cilësia e demokracisë në atë shtet, është e shprehur kur pakicat, etnitë e ndryshme mund të punojnë / veprojnë sipas dëshirave të tyre. Mendoj se kjo është me rëndësi. Por, gjithçka duhet të jetë në bazë të kornizës së shtetit të Kosovës”, ka thënë Petrisch për Televizionin Klan Kosova.
Petritsch ka thënë se para se të arrihet te marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë duhet të ndërmerren hapa për lehtësimin e jetës së qytetarëve në rajon, si lëvizja e lirë e ekonomia, ndërsa Bashkimi Evropian duhet t’i liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës.
(r.m.)