Paris, 25 qershor 2021 – Gazeta autoritative franceze “Le Monde” ka publikuar një intevistë me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të realizuar gjatë vizitës së pare të tij në Francë.
Kurti ka thënë se mes tij dhe Presidentit të Serbisë, Aleksanda Vuçiq, ekzsiton vetëm një çështje që duhet të diskutohet – marrëdhëniet midis Kosovës e Serbisë. Ai ka theksuar se statusi i Kosovës dhe çështjet që lidhen me statusin janë çështje të mbyllura.
“Pavarësia e Kosovës është 13-vjeçare. Nuk mund të kemi diskutime siç kemi bërë para vitit 2008. Që nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë më 2010, i cili validoi faktin se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur ligjin ndërkombëtar, ky debat është mbyllur. Nuk do ta diskutoj statusin e Kosovës. Është çështje e zgjidhur. E vetmja çështje sot është marrëdhënia mes Kosovës dhe Serbisë. Vuçiqi duhet ta kuptojë këtë. Vuçiqi ende e konsideron Kosovën territor të cilin Serbia një ditë duhet ta rikthejë, pa marrë në konsideratë popullin dhe qytetarët e saj. Serbia duhet të përballet me të kaluarën dhe të bëhet më demokratike”, ka thënë ai.
Kurti e ka cilësuar “jo të lehtë, por konstruktiv” takimin e tij me Vuçiqin, në Paris.
“Ky është takimi i parë për një dialog në të ardhmen. Nuk ishte i lehtë, por konstruktiv. Kam insistuar që asgjë të mos fshihet nën rrogoz, pra që çështja e njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë të adresohet me sinqeritet. Të gjithëve na duhet kjo njohje reciproke. Z. Vuçiq u përgjigj duke thënë se kurrë nuk do ta njohë Kosovën. Mospranimi i realitetit, në njërën anë, apo e vërteta, në anën tjetër, vijnë nga e njëjta logjikë. Serbia duhet të distancohet nga koha e [Slobodan] Millosheviqit, i cili nisi me aparteidin dhe përfundoi me gjenocidin në Kosovë. Liderët e Serbisë duhet të ndahen nga trashëgimia e Millosheviqit”, ka thënë ai.
“Le Monde” e portretizon Kurtin si ish-aktivist të krahur politik të UÇK-së dhe si kundërshtar të ashpër të qeverive të Kosovës të udhëhequra nga ish-komandatët e UÇK-së.
“Kurti është ish-aktivist i krahut politik të guerilës kosovare, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UCK). U mbajt në Serbi dy vjet, në kohën e luftës në Kosovë. Ai më pas e krijoi lëvizjen Vetëvendosje, me një program revolucionar dhe u bë një kundërshtar i vendosur i qeverive të njëpasnjëshme të komandantëve të UÇK-së. Albin Kurti paraqitet sot si një socialdemokrat. Ai u zgjodh si kryeministër me programin për ta luftuar papunësinë, korrupsionin dhe krimin e organizuar”, shkruan “Le Monde”.
(r.m.)