Nju Jork, 26 qershor 2021 – Prokurorët në Manhatan po shqyrtojnë mundësinë e ngritjes së akuzave penale ndaj organizatës së ish-Presidentit Trump, pas një hetimi të gjatë lidhur me transaksionet e tij të biznesit.
Gazeta New York Times, duke cituar burime me njohuri mbi këto zhvillime, shkruan se akuzat mund të ngrihen që në fillim të javës tjetër lidhur me përfitime që kompania u ofron drejtuesve të lartë, si apartamente, makina e pagesa për studimet universitare apo në shkolla private.
Avokati i organizatës Trump, Ron Fischetti tha se kishte zhvilluar një bisedë përmes lidhjes me kompjuter me zyrën e Prokurorit të Manhatanit, Cyrus Roberts Vance të enjten, në përpjekje për t’i bindur të mos ngrenë akuza penale ndaj kompanisë, por shtoi se akuzat janë të pritshme.
“Nëse ngrihen akuza të tilla, janë tërësisht absurde dhe të pashembullta. E gjithë kjo po bëhet vetëm për t’u hakmarrë ndaj Donald Trumpit,” tha ai të premten, për agjencinë e lajmeve Associated Press.
“Ne do të deklarojmë pafajësinë dhe do të paraqesim kërkesë që akuzat të mos merren parasysh për hapje procesi gjyqësor”.
Zyra e Prokurorit të Distriktit në Manhatan nuk pranoi të bënte komente.
Deri tani procesi i gjatë hetimor nuk ka rezultuar në akuza. Prokurorët kanë kohë që analizojnë dokumentacionin fiskal të ish-presidentit, kanë paraqitur urdhra gjykate për nxjerrjen e dokumenteve dhe kanë intervistuar dëshmitarë që kanë punuar nga afër me ish-presidentin si dhe drejtues të kompanisë.
Zyrtarë të rendit që janë në dieni të procesit thonë se hetimet kanë arritur një pikë kritike. Një juri e madhe u thirr kohët e fundit për të analizuar provat dhe Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James tha se do të emërojë dy juristë të punojnë me zotin Vance në këtë proces hetimor.
Procesi hetimor është përqëndruar pjesërisht tek shefi i financave të organizatës Trump, Allen Weisselberg.
73-vjeçari Weisselberg është në vëmendje pasi janë ngritur pikëpyetje për faktin se i biri ka përdorur një apartament në pronësi të kompanisë Trump me kosto të ulët ose falas, si dhe ka pikëpyetje për pagesat e shkollimit në institucione private për nipat e zotit Weisselberg.
Avokatja e zotit Weisselberg, Mary Mulligan, nuk iu përgjigj kërkesës për komente të premten.
Praktika e shpërblimit të punonjësve më të vlerësuar me dhurata të çmueshme nuk është e paligjshme, por në shumë raste këto dhurata taksohen si pjesë e të ardhurave të individit.
Zoti Fischetti tha se do të ishte keqinterpretim i ligjit nga prokurorët nëse ngrenë akuza lidhur me këto shpërblime e dhurata.
“Kemi analizuar raste në një periudhë 100 vjeçare dhe nuk kemi gjetur asnjë shembull kur një punonjës është shpallur nën akuza për marrje dhuratash,” tha ai. Ai shtoi se që një akt i tillë të ishte shkelje ligji, do të duhej të ishte bërë për interes të kompanisë dhe me dijeninë e kompanisë. Prokurorët nuk kanë prova të tilla”.
(Zëri i Amerikës)