Pas një mirëpritje të ngrohtë në Francë dhe Gjermani, Sekretari i Shtetit Antony Blinken shkoi të dielën në Romë për takime me udhëheqësit e lartë italianë dhe Papën. Kryediplomati amerikan gjithashtu merr pjesë në një takim të nivelit ministror ku do të diskutohet mbi Sirinë dhe mposhtjen e luftëtarëve të Shtetit Islamik, si dhe në një takim të vendeve të G-20ës. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine sjell më shumë hollësi.
Udhëheqësit francezë e pritën me krahë të hapur Sekretarin e Shtetit Antony Blinken. Kryediplomati kaloi një pjesë të madhe të rinisë në Paris dhe e flet rrjedhshëm frëngjishten.
Ministri i Jashtëm Le Drian tha se të gjithë janë të kënaqur që “Amerika është kthyer”. Pavarësisht pritjeve festive në Paris dhe Berlin, zoti Blinken u përball me probleme serioze botërore, përfshirë një vlerësim të zbulimit amerikan që del me konkluzionin se qeveria afgane mund të bjerë brenda gjashtë muajsh pas largimit të forcave amerikane dhe të NATO-s më 11 shtator.
“Po shqyrtojmë me shumë kujdes situatën në terren në Afganistan. Gjithashtu po shqyrtojmë në brendësi nëse talibanët e kanë seriozisht kur flitet për një zgjidhje paqësore të konfliktit. Do të vazhdojmë të jemi të angazhuar në diplomaci. Por veprimet për marrjen e drejtimit të vendit me forcë janë tërësisht në kundërshtim me gjetjen e një zgjidhjeje paqësore”, tha kryediplomati Blinken.
Zoti Blinken u takua me Presidentin Emmanuel Macron para nisjes për në Romë të dielën. Ai dhe Ministri i Jashtëm italian Luigi di Maio do të bashkë-kryesojnë një takim të Koalicionit Global për të Mposhtur ISIS.
Ekspertët thonë se kërcënimi nga Shtetit Islamik në Afganistan dhe pjesë të Afrikës vazhdon të jetë i madh. Brian Katulis i Qendrës për Përparim Amerikan foli me Zërin e Amerikës përmes rrjetit Skype.
“Kërcënimi është tjetërsuar dhe trasnferuar në vende të reja, si Afrika. Kjo do të jetë në krye të axhendës së bisedimeve. Qasja nuk është thjeshtë vetëm ushtarake, por çfarë mund të bëhet në një sërë sferash, përfshirë ndihmën për njerëzit që u zhvendosën nga konfliktet në Afrikë si dhe aspekti ideologjik i përpjekjeve për të mposhtur Shtetin Islamik.”
Departamenti i Shtetit thotë se Siria mbetet një shqetësim shumë i madh, me dhjetëra mijëra gra dhe fëmijë në kampe humanitare, gjë që përbën kërcënim të mundshëm sigurie, pasi ISIS-i përpiqet për të shfrytëzuar kampet për të rekrutuar gjeneratën e ardhshme të luftëtarëve.
Të hënën dhe të martën, zotin Blinken e pret Ati i Shenjtë në Vatikan. Më pas ai do të vizitojë Barin dhe Materën për një takim të ministrave të jashtëm të G-20. (Cindy Saine/VOA)