Katër qytete kryesore australiane kanë vendosur bllokime për shkak të infeksioneve në rritje me variantin shumë ngjitës të koronavirusit, atij “Delta”. Bllokimet variojnë nga disa ditë, në afate më të gjata.
Të paktën 150 raste të koronavirusit të konfirmuara rishtazi në të gjithë Australinë, janë të lidhura me ekuipazhe ajrore ndërkombëtare.
Australia ka qenë kryesisht e suksesshme në kontrollin e përhapjes së koronavirusit për shkak të bllokimeve agresive. Sipas universitetit “Johns Hopkins” prej fillimit të pandemisë vendi ka regjistruar vetëm 30,560 raste infeksionesh me COVID dhe 910 vdekje.
Por Australia ka qenë më e ndjeshme ndaj shpërthimeve të reja, për shkak të një fushate të ngadaltë vaksinimi dhe kërkesave çorientuese lidhur me vaksinën AstraZeneca, e cila dominon rezervat e vendit në vaksina.
Zyrtarët e shëndetësisë po e ofrojnë atë tashmë për të gjithë të rriturit nën 60 vjeç, duke hequr një kufizim të vendosur për shkak të shqetësimeve lidhur me një efekt të rrallë anësor, atë të mpiksjes së gjakut, përgjegjës për të paktën një rast vdekjeje në mesin e personave të vaksinuar me AstraZeneca.
Deri më tani të rriturit nën moshën 60 vjeç kishin mundur të merrnin vetëm vaksinën e Pfizer-it, por vendi disponon më pak doza të kësaj të fundit krahasuar me AstraZeneca-n.
Varianti “Delta” i COVID-19-s, i cili u zbulua për herë të parë në Indi, tashmë është identifikuar në më shumë se 80 vende të botës dhe vazhdon të përhapet me shpejtësi në të gjithë globin.
Portugalia, Spanja dhe Hong Kongu kanë njoftuar kufizime të reja për udhëtarët nga Britania, ku varianti “Delta” përbën rreth 95% e rasteve me COVID-19.
Të hënën Shtetet e Bashkuara ngritën në nivelin më të lartë të rrezikut (niveli 4) për udhëtimet drej Liberisë, Ugandës, Mozambikut, Zambias dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Autoritetet këshillojnë shtetasit amerikanë të “mos udhëtojnë” drejt këtyre vendeve për shkak të rritjes së niveleve të infeksioneve me COVID-19. (VOA)