Në Kosovë, arrestohen 21 të dyshuar për shpërdorim detyre dhe ryshfet

Prishtinë, 30 qershor 2021 – Policia e Kosovës ka vënë në pranga 21 zyrtarë të mërkurën (30 qershor) në vazhdimin e aksionit që ka të bëjë me subvencionet në fushën e bujqësisë.

Aksioni që nisi në orët e hershme të mëngjesit përfundoi me arrestimin e 14 zyrtarëve të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë dhe 7 zyrtarëve në disa komuna të Kosovës.

Në një konferencë për media, prokurori i rastit, Rafet Halimi, tha se aksioni është zhvilluar në 5 komuna të Kosovës, përkatësisht në Prishtinë, Podujevë, Pejë, Gjilan dhe Istog.

Sipas prokurorit, të arrestuarit dyshohen për disa vepra penale dhe shumica prej tyre janë inspektorë.

“Janë arrestuar 21 të pandehur për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale: marrje ryshfet, dhënie ryshfeti, ushtrim ndikimi, keqpërdorim të detyrës zyrtare, legalizim i përmbajtjes së rremë dhe mashtrim me subvencione”, tha ai.

Sipas Prokurorisë, operacioni i sotëm është vazhdim i aksionit të datës 24 shkurt dhe 25 shkurt gjatë së cilit ishin arrestuar 12 të pandehur.

Prokurori Halimi nuk është përgjigjur në pyetjen se kur priten të ngrihen aktakuzat ndaj të pandehurve të arrestuar në aksionin e parë duke thënë se aksioni do të vazhdojë akoma.

Megjithëse ka thënë se pritet ekspertizë financiare, sipas prokurorit dëmi material në këtë çështje mund të llogaritet mbi 1 milion euro.

Përfaqësuesi i Policisë së Kosovës në konferencë për media i ka falenderuar qytetarët për informacionet e ofruara që i kanë ndihmuar zhvillimit të aksionit dhe u kanë bërë thirrje personave të prekur nga skema e dyshuar e mashtrimeve që të raportojnë rastet në Polici.

Arrestimet e datës 24 dhe 25 shkurt ishin bërë po ashtu nën dyshimet për keqpërdorim të subvencioneve, marrjes së ryshfetit dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Gjatë bastisjes në shtëpitë e personave të arrestuar ishin sekuestruar rreth 400 mijë euro.

(REL)