Kurti: Mund të ketë studime, por Liqeni i Ujmanit është i Kosovës

Prishtinë, 30 qershor 2021 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Liqenin e Ujmanit është liqen I Kosovës.

“Qëndrimet tona në lidhje me Ujmanin janë të njëjta. Mund të prodhohen analiza e studime, por është detyrë e jona që ta konsiderojmë Liqenin e Ujmanit ashtu siç është, liqen artificial të Kosovës”, ka thënë Kurti në një konferencë për media, të mërkurën.

“Atë (Liqenin) e kemi paguar edhe kryer shumë dekada më parë”, ka theksuar Kurti.

Javën e kaluar Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë iu dorëzua studimi i fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit, të kryer nga Departamenti për Energji i Shteteve të Bashkuara. Aty propozohet formimi i një komisioni apo komiteti për lumin Ibër, i cili do të ndihmonte diskutimin midis palëve për mundësitë e menaxhimit të burimeve ujore. Liqeni i Ujmanit është një liqen artificial, i ndërtuar në shtratin e lumit Ibër, në veri të Kosovës.

Studimi i Depratamentit për Energjinë të Shteteve të Bashkuara është kryer në bazë të njërës prej pikave të Marrëveshjes për normalizimin ekonomik midis Kosovës e Serbisë, të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, në Uashington, më 4 shtator 2020, në praninë e ish-Presidentit Donald Trump.

Kryeministri Kurti i ka minimizuar pikat e Marrëveshjes së Uashingtonit, përveç pikës së fundit, asaj për njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Izraelit.

“Pika më e rëndësishme e saj është ajo e fundit, e cila tashmë është realizuar”, është shprehur Kurti.

Liqeni u ndërtua në vitin 1972, me një kredi prej 45 milionë dollarësh amerikanë që ishte marrë nga Banka Botërore. Marrëveshja për kredi ishte ratifikuar nga Kuvendi i atëhershëm i Kosovës dhe nga Kuvendi Federativ i Jugosllavisë.

Serbia thotë se ka trashëguar borxhin e ish Jugosllavisë, prandaj pretendon se ka të drejtë pronësie  në Liqenin e Ujmanit.

(r.m.)