Zbulohet pllaka përkujtimore për Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990

Prishtinë, 2 korrik 2021 – Në Kuvendin e Kosovës sot u zbulua pllaka përkujtimore kushtuar aktit të shpalljes së Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut të vitit 1990.

Kjo pllakë, e cila është vendosur në vendin ku ishte lexuar Deklarata, është shprehje e mirënjohjes për 119 delegatët e përbërjes së atëhershme të Kuvendit që e bënë legjitimimin juridic të vullnetit politik të popullit të Kosovës për pavarësi

Zbulimin e pllakës e bënë bashkërisht Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, dhe ish- deputeti i Kuvendit të Kosovës Muharrem Shabani, i cili e kishte lexuar deklaratëqn para deputetëve nënshkrues.

“Me këtë pllakë i nderojnë të gjithë ish-deputetët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, të cilët ishin nënshkrues të Deklaratës së 2 Korrikut”, tha kryeparlamentari Konjufca.

“Me deklaratën e 2 Korrikut të vitit 1990 ju e keni bërë Kosovën të barabartë me republikat tjera në atë kohë. Faktikisht ju e keni shpallë pavarësinë e këtij Kuvendi”, tha ai.

Ish-deputeti Muharrem Shabani, i cili e kishte lexuar Deklaratën Kushtetuese sot 31vjet, tha se Deklarata Kushtetuese ishte miratuar nën rrethim të fortë ushtarak e policor të Serbisë. Ai kujtoi se ndërtesa e Kuvendit ishte e rrethuar nga të gjitha anët nga ushtarë dhe policë dhe e vroijtuar nga snajperistët.

Shabani tha se pavarësisht kërcënimeve, delegatët e Kuvendit të Kosovës e sfiduan aparatin shtetëror të Serbisë dhe e miratuan Deklaratën Kushtetuese, me anë të së cilës e shpallën Kosovën Republikë.

(r.m.)