Kurti e uron Krasniqin, i ofron bashkëpunim për “temat me interes nacional”

Prishtinë, 3 korrik 2021 – Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka uruar Memli Krasniqin për zgjedhjen në postin e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës.

Në urimin e përcjellë përmes rrjetit social “Facebook”, Kurti i ka ofruar Krasniqit bashkëpunim për temat “me interes nacional dhe ballafaqim të ideve e qëndrimeve për të mirën e përbashkët të shtetit dhe qytetarëve”.

Bie në sy se Kurti e ka uruar Krasniqin në mënyrë të tërthortë, jo në vetën e dytë, siç është praktikë, por në vetën e tretë

”I uroj punë të mbarë kryetarit të ri të PDK-së, z. Memli Krasniqi.

Mbështetjen që e mori sot nga strukturat e subjektit të tij i garantojnë një udhëheqje stabile për t’i zhvilluar reformat që mendon se janë të nevojshme për PDK-në.

Si kryeministër i Kosovës dhe kryetar i Lëvizjes i ofroj bashkëpunim në temat me interes nacional dhe ballafaqim të ideve e qëndrimeve për të mirën e përbashkët të shtetit dhe qytetarëve.

Të punosh për Kosovën e kombin tonë nuk është kurrë mjaftueshëm dhe e kemi obligim secili”, thuhet në urimin e Kurtit.

Memli Krasniqi u zgjodh kryetar i PDK-së në Konventën e sotme të partisë. Ai ishte kandidati i vetëm për kryetar.

Në fjalimin e tij në konventë, ai tha se synon ta rikthejë partinë në udhëheqjen e vendit.

“Gjatë rrugës për rikthimin e PDK-së aty ku e ka vendin, në udhëheqjen e shtetit, pa dyshim se do të kemi shumë sfida, pa dyshim se do të kemi shumë pengesa dhe jam absolutisht i sigurt se nuk do të jetë fare e lehtë, por unë e njoh shpirtin e partisë sonë të përbashkët”, deklaroi Krasniqi.

Partia Demokratike e Kosovës mbajti konventë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë, në vend të Kadri Veselit, i cili gjendet në paraburgim në Gjykatën Speciale me seli në Hagë, ku do të gjykohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Prej muajit nëntor, kur Veseli dha dorëheqje nga pozita e kryetarit, PDK-në e udhëhoqi Enver Hoxhaj, si ushtrues i detyrës së kryetarit.

Hoxhaj nuk paraqiti kandidaturë për kryetar të partisë.

(r.m.)