Prishtinë, 4 korrik 2021 – Liderët politikë në Kosovë kanë uruar Shtetet e Bashkuara për Ditën e Pavarësisë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në urimin e saj ka thënë se Dita e Pavarësisë së SHBA-së kujton rolin e këtij shteti për jetësimin e synimit të Kosovës për pavarësi.
“Historia ka dëshmuar se në momentet më të vështira për kombin tonë, Amerika zgjodhi të ishte mbrojtësja dhe promovuesja më e madhe e së drejtës sonë, duke u rreshtuar përkrah nesh në përpjekjet tona për liri”, ka thënë Presidentja Osmani.
“Prandaj, ne shqiptarët, populli mik i kombit amerikan, sot ndihemi të bekuar me miqësinë me të. Kjo miqësi mbështetet sa në përkushtimin tonë ndaj lirisë, po aq edhe në vlerat e përbashkëta të cilat ne i ndajmë me kombin amerikan”, ka shtuar ajo.
“Qytetarët e Kosovës sot e përjetojnë festën e pavarësisë së SHBA-ve si festë të tyre. Ata luten për mirëqenien e popullit amerikan dhe urojnë njëri-tjetrin për miqësinë me të, e cila, sikur thoshte presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, ‘është e përhershme’”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Deklarata e Pavarësisë së SHBA-së vazhdojnë të frymëzojnë popuj dhe individë anembanë botës.
“Idetë dhe idealet më fisnike, besimi në liri, barazi dhe të drejta individuale, përfshirë të drejtën e çdo personi për të kërkuar lumturinë – që burojnë nga Deklarata e pavarësisë së ShBA-së, vazhdojnë të frymëzojnë popuj e individë anembanë botës”, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në Facebook.
Kurti i ka quajtur popullin dhe institucionet amerikane si “partnerë dhe aleatë të pazëvendësueshëm” në arritjet e Kosovës.
“Në këtë ditë të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shteti i Kosovës i bashkohet festës së popullit dhe institucioneve të ShBA-ve, partnerë dhe aleatë të pazëvendësueshëm në arritjet tona”, ka shkruar Kurti.
Amerikës ia ka uruar Ditën e Pavarësisë edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
(r.m.)