Nga Julika Prifti
Në numrin e madh të botimeve madje edhe atyre akademike gjetja e librave që e vlejnë të lexohen mbetet fare e paktë. Kjo jo vetëm nga se përmbajtja e materiali brenda tyre nuk ia vlen humbjen e kohës së leximit, por edhe sepse kur në to mund të gjesh mendime e ide të vlefshme, shqipja e përdorur lë shumë vend për përmirësim. Autorët që kanë diçka të vlefshme për të thënë dhe dinë ta shprehin atë me anë të një gjuhe me leksik të pastër dhe sintaksën e shqipes, pa huazime stilistike nga gjuhë të tjera, janë tepër të paktë. Një prej tyre është Tomor Plagarica, ideator i themelimit të universitetit Aleksandër Xhuvani në Elbasan, pedagog dhe rektor i këtij universiteti, botues i shumë librave e artikujve. Prof. dr. Tomor Plangarica prej vitit 2003 është lektor pranë Institutit Kombëtar të Gjuhëve dhe Qytetërimeve të LIndjes (INALCO) në Paris e prej vitit 2017 punon në Departamentin e Leksikologjisë, Terminologjisë të Gjuhësisë së zbatuar në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë së Akademisë së Studimeve Albanologjike në Tiranë.
Libri i Prof. Dr. Tomor Plangaricës, Vlera te Rishfaqura ( Mjedisi Intelektual në Elbasan në gjysmën e parë të shekullit të XX) botim i Onufrit i vitit 2019 përmban 355 faqe.
Libri u botua me rastin e 110 vjetorit të shkollës Normale të Elbasanit dhe pjesa e parë përfshin studime për data të shënuara për zhvillimin e gjuhës shqipe e për Normalen e Elbasanit. Në pjesën e dytë gjenden studime të intelektualeve të qytetit të Elbasanit të cilët dhanë një kontribut të çmuar në publicistikë, gjuhësi e në edukimin e brezave të studentëve dhe pastaj arsimtarëve të gjuhës shqipe. Pjesa e tretë përfshin studime për figura të nderuara të qytetit të Elbasanit që kanë dhënë kontributin e tyre më të shumtë pas marrjes së fuqisë nga pushteti popullor. Ata të cilët kanë qenë të pranishëm në jetën akademike, në shtypin shqiptar qysh prej fëmijërisë sonë e me të cilët mosha jonë është njohur edhe personalisht ( Aleks Buda, Hysni Ceka, Shpetim Haxhihasani, Musa Vyshka, Bim Dakli). Ndarje e librit në tri pjesë lehtëson leximin, sepse mund të zgjedhësh shkrimin që të intereson për momentin ose për dëshirën për t’u thelluar në njohuritë e mëparshme, këtë herë përmes penës së Plangaricës.
Libri i Plangaricës ka studime të thelluara si nga vlera serioze shkencore ashtu edhe nga niveli i analizave hulumtuese për veprën e kontributin e figurave dhe ngjarjeve me rëndësi të historisë së Elbasanit. Në çdo shkrim del në pah kontributi i qytetarëve e i këtij qyteti të lashtë në rrugën e evolucionin e gjuhës shqipe, të kulturës shqiptare e të përgatitjes së brezave të rinj në një shkollë profesionale. Idea e qëndresa ndaj shkatërrimit të vlerave njerëzore për hir të “ndërtimit të njeriut të ri”, fenomen që u kultivua forcërisht pas marrjes së pushtetit nga komunistët e deri në rënies e sistemit në vitet 90, është lajtmotiv qendror. Autori citon thënien e Prof. Cipos i cili i këshillonte studentet liceistë për marrëdhëniet materializëm-idealizëm, gjatë orëve të filozofisë së gjuhës, për të përfytyruar gjuhëtarin dhe filozofin jo dogmatik, por objektiv. “Nëse do të interpretoni një dukuri, qoftë edhe në mënyrë materialiste, përfytyrojeni veten si në një udhëtim në shkretëtirë dhe megjithëse mund t’ju thonë se shumë pranë do të keni një oaz, ku do të pini ujë dhe freskoheni, sidoqoftë, mbajeni me vete një tarjaç, një pagure me ujë për çdo të papritur.”
Artikujt e studimet e përmbledhura në vëllimin Vlera të Rishfaqura janë shkruar për të përkujtuar përvjetore të ngjarjeve historike, kumtesa në koferenca, sesione shkencore apo si artikuj kritikë në shtypin e përditshëm, përgjatë rrjedhës së shumë viteve e më pas janë bashkuar në këtë libër si hallka të një gjerdani. Ato lidhen të gjitha bashkë e qëndrojnë mirë afër njëra tjetrës sepse synimi i autorit ka mbetur i njëjtë në vazhdën e viteve. Prof. Dr. Plangarica ka besuar qysh në fillim “në angazhimin intelektual e qytetar për t’i nxjerrë një pjesë të këtyre vlerave dhe personaliteteve nga humbëtira e harrimit dhe denigrimit të qëllimshëm” siç shprehet ai vetë. Ai ishte i vetëdijshëm për këtë qysh në botimet e para në vitet 90 dhe mbetet besnik në vizionin e tij iluminist vit pas viti. Botimi i parë nga Onufri, Univers i Vlerave të Munguara doli në vitin 1997. Botimi i dytë i Univers i Vlerave të Munguara, nga Sejko, më 2002 është plotësuar me artikuj të rinj, e përmban 193 faqe. Botimi i tretë ka dalë me titull të ri e me një përmbajtje gati të dyfishuar nga botimi i parë. Kjo rritje organike veçse ia rrit më shumë vlerat çdo botimi të mëpasshëm sepse e pasuron me studime të reja të rolit të qytetit të Elbasanit e të qytetarëve e dijetarëve të tij në fushën e gjuhësisë, historisë, sociologjisë, pedagogjisë, etj
Prof. Dr.Tomor Plangarica shkruan me gjuhë akademike, gjuhën e profesionit të tij si pedagog universiteti e si studiues i gjuhësisë dhe letersisë shqipe. Por gjuha e tij është e kuptueshme dhe e qartë edhe për një lexues të paspecializuar. Për këtë arsye libri u shërben mirë akadamikëve, studenteve të universitete në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni a Mal të Zi të interesuar në kulturën dhe historinë e gjuhës shqipe e të letërsisë së saj, si edhe çdo atdhetari që dëshiron të njohë vendin e tij dhe veçanërisht trashëgiminë edukative e kulturore të përftuar nga Elbasani. Në shkrimet e librit shpalosen njohuritë e Profesor Plangaricës si për filologjinë shqiptare ashtu edhe për atë botërore.
Aty pasqyrohet me dashuri, respekt, e admirim puna e madhe e realizuar ndër dekada nga figura të njohura e individë të pa publikuar, por të gjithë të rëndësishëm për kontributin e dhënë në ngritjen e mbajtjen e Normales së Elbasanit, dhe vlerësimin për dukuritë gjuhësore dhe të metodës së arsimimit të nxënësve të saj në gjuhën shqipe qysh në krijimin e saj në vitin 1909.
Për të na kujtuar se kontributi i çdo njërit prej tyre për përparimin e atdheut e të qytetarëve të tij është pasuria e vërtetë e Elbasanit që ka rrënjë të thella, ai citon antropologen britanike Durham. “Në Elbasan prekesh nga përpjekjet që bëhen për dije e kulturë. Gjen njerëz që pa kurrfarë ndihme japin e marrin me gramatikën frënge e madje, edhe gjermane. Ka një numër mjaft të madh njerëzish të shkolluar dhe të ditur. Në Elbasan s’ka vetëm fjalë. Elbasani ëndërron për një të ardhme të ndritur dhe vetë pozita e tij, në qendër të vendit, do të ishte ideale për kryeqytet…” Më pas “Patriotizmi në këtë krahinë është i zjarrtë dhe qëndron mbi të gjitha doktrinat fetare” shkruan në veprën e saj Brenga e Ballkanit Edith Durham.
Përshkrimi i saj sot më ngjan se fare mirë i përshtatet birit të denjë të qytetit të vet Tomor Plangaricës. Dashuria, respekti, vlerësimi për qytetarët elbasanas dhe traditave të qytetit shprehen me sinqeritet e adhurim të pastër nga ana e tij. Studimet e Plangaricës tregojne njohuritë e tij të konsoliduara në shumë fusha si: linguistikë, histori, pedagogji etj. Ashtu ato “plotësojnë” mozaikun e qytetit të tij të lindjes dhe në të njëjtën kohë të gjithë vendit. Plangarica e kupton mirë se historia e Shqipërisë nuk fillon e nuk mbaron nga Uni. Për mua ky është kontributi më i madh i shkrimeve ku zbulohet virtyti i atij që është i ndërgjegjshëm për veprën e paraardhësve.
Shkrimet e prof. dr. Plangaricës të ngjallin kuriozitet e dëshirën për tu njohur me qytetarët dhe elbasanllinjtë emrat e të cilëve i takon në faqet e librit Vlera të Rishfaqura dhe për të parë edhe një herë këtë qytet të lashtë për ta ndjerë veten qoftë edhe për një ditë elbasanlli. “Një atdhe përbëhet nga të vdekurit që e kanë themeluar dhe nga të gjallët që e vazhdojnë” ka shkruar Ernest Renon ( frazë e shtypur në faqet e para të librit) dhe autori i këtij libri e ndjen thellë këtë të vërtetë dhe e ka bëre moto të punës së tij.
Me veprën e tij prof.dr. Plangarica i bën xheloz të gjitha qytetet shqiptare që do të donin të kishin një njeri me diapazonin, përkushtimin, dashurinë e respektin e tij për vlerat e qytetit e kontributin e banorëve të tij në dhjetra vite.
Tomor Plangarica shkruan me të drejtë se “datat e shënuara në historinë e një kombi përfaqësojnë hapësira kohore shumë më të gjera se një ditë, një muaj, një vit. Ato shënojnë etapa të tëra, duke qenë, në të njëjtën kohë, pika kulmore në to. Nga ky pikëvështrim edhe 28 Nëntori, Dita e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, apo 25 Nëntori, Dita e Ngritjes së Flamurit në Elbasan, simbolizojnë një periudhë të tërë përpjekjesh për liri dhe përparim. Si të tilla ato mbeten jo vetëm dëshmi të shkëlqyera historike por, edhe akte hulumtimi dhe vlerësimi të vazhdueshëm, pasi edhe vlerësimi i historisë mundëson qartësimin e së ardhmes.”Me librin e tij Vlera te Rishfaqura prof. dr.Plangarica e ka skalitur gurin e tij në vlerësimin e historisë për qartësimin e së ardhmes. Jam e sigurt se ky libër do të pasojë një tjetër, ku ai do të na sjellë hulumtime të reja për Elbasanin e studiuesit elbasanas. sepse kurioziteti, dëshira hulumtuese, dashuria për shkencen, gjuhësi, letërsi, filozofi, histori, tek Plangarica janë të pashtershme e po aq të larta sa emri i malit me të cilin është “pagëzuar”.