Majami, 5 korrik 2021 – Në Florida ekspertët rrënuan pjesën e mbetur të ndërtesës së shembur në përpara mbërritjes së mundshme të stuhisë tropikale, Elsa.
U deshën disa sekonda që struktura e mbetur të binte pasi që shembja u bë rreth orës 22:30 sipas kohës lokale. Një re pluhuri dhe mbeturinash qëndroi në qiell për disa minuta më pas.
Kryetarja e bashkisë Miami-Dade, Daniella Levine Cava, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se shpërthimi shkoi saktësisht siç pritej dhe ekipet e kërkimit, që kishin pezulluar kërkimet të shtunën, mund të rifillojnë punën.
“Ndjehem i lehtësuar sepse godina ishte e paqëndrueshme dhe po pengonte përpjekjet tona të kërkimit”, tha ajo. “Ne ishim të mbërthyer meqë nuk mund të arrinim në një pjesë të caktuar të rrënojave. Unë i kam dëgjuar ekipet e kërkimit të thonë se ata mendojnë se ka zbrazëti në këtë zonë ku ata do të jenë në gjendje të vazhdojnë kërkimet”.
Zyrtarët lokalë kishin paralajmëruar njerëzit në zonën përreth ndërtesës të qëndronin brenda dhe të mbanin dritaret e mbyllura. Janë bërë përpjekje shtesë për të mbuluar vendin origjinal të shembjes për t’u siguruar që mbetjet e reja nuk bllokojnë përpjekjet e kërkim-shpëtimit.
Ndërtesa 12 katëshe në Surfside, Florida, në veri të Miamit, u shemb pjesërisht më 24 qershor dhe operacionet e kërkimit u pezulluan të shtunën përpara rrënimit.
Numri i të vdekurve ka arritur në 24, ndërsa 121 persona janë ende të pagjetur. Askush nuk është gjetur i gjallë që nga fillimi i kërkimeve.
Zyrtarët po ndjekin afrimin e stuhisë tropikale Elsa.
Meteorologët në Qendrën Kombëtare Amerikane të Uraganeve, thanë se presin që qendra e stuhisë të kalojë pranë ose mbi bregun perëndimor të Floridas të martën dhe të mërkurën. Kjo rrugë do të kursente zonën në Surfside nga një goditje e drejtpërdrejtë, por meteorologët ende presin që rajoni të përjetojë erëra të forta me shpejtësi deri në 65 kilometra në orë.
(Zëri i Amerikës)