Dendias: Legjitimiteti i njohjes eventuale të Kosovës buron nga GJND

Athinë, 5 korrik 2021 – Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, në një intervistë për gazetën “Realnews”, ka folur edhe për mundësinë e njohjes së Kosovës nga Greqia.

Dendias nuk ka thënë se Greqia do ta njohë Kosovën, por ka thënë se legjitimiteti i njohjes eventuale të pavarësisë së Kosovës buron nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila ka gjetur se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte bërë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

“Sa i përket legjitimitetit të njohjes së mundshme, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, më 2010, gjeti se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, pasi kjo nuk ishte produkt i përdorimit të paligjshëm të forcës të dënuar nga Këshilli i Sigurimit”, ka thënë  Dendias, transmeton Ministria e Punëve të Jashtme e Greqisë.

Shefi i diplomacies greke ka thënë gjithashtu se rasti i Kosovës është i pakrahasueshëm me rastin e Qipros.

Një muaj më parë, ministri i Jashtëm grek e ka vizituar Kosovën, ku është takuar me Presidenten Vjosa Osmani, me kryeministrin Albin Kurti dhe me homologen e tij, Donika Gërvalla.

Gjatë kësaj vizite, Dendias ka deklaruar se Greqia e mbështet dialogun Kosovë-Serbi dhe se do ta mbështesë Kosvën në rrugën e integrimit evropian.

Pjesa e intervistës me z. Dendias lidhur me Kosovën, publikuar në faqen e Ministrisë së Jashtme të Greqisë:

GAZETARI: Zyra e Interesave të Kosovës në Athinë u azhurnua kohët e fundit. Ju keni vizituar Prishtinën dy herë brenda disa muajve. A janë këto hapa drejt njohjes? A nuk janë ata kundër të Drejtës Ndërkombëtare?

N. DENDIAS: Integrimi i Ballkanit Perëndimor në familjen Evropiane është një përparësi kryesore, pasi stabiliteti i rajonit ka një ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë tonë. Ne nuk duam një “vrimë të zezë” në kufijtë tanë veriorë. Megjithëse pozicioni ynë mbi status quo-në e Kosovës nuk ka ndryshuar, ne mbajmë një qëndrim konstruktiv dhe mbështesim dialogun Beograd-Prishtinë. Sa i përket legjitimitetit të njohjes së mundshme, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë më 2010 vendosi që deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, pasi nuk ishte produkt i përdorimit të paligjshëm të forcës të dënuar nga Këshilli i Sigurimit. Ky nuk ishte rasti me shpalljen e pseudo-shtetit turk në Qipro, më 1983. Me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë, u krijuan disa shtete të reja. Sidoqoftë, asnjë nga këto nuk ishte rezultat i një pushtimi të huaj.

(r.m.)