Berlin, 5 korrik 2021 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka adresuar kritika të ashpra ndaj vendeve që e pengojnë procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Ai ka thënë se procesi i integrimit, i cili shihej si mënyrë për frenimin e nacionalizmave ballkanikë, po shtypet nga nacionalizmat brenda Bashkimit Evropian.
“Është e trishtë dhe të gjithë e dinë që ndërkohë procesi i integrimit të gjithë rajonit në BE, që dikur shihej dhe tregohej si rruga e duhur për të nënshtruar nacionalizmat ballkanikë, është shndërruar tanimë në një proces që shtypet nga nacionalizmat e BE-së”, ka thënë Rama në Samitin e Berlinit, të udhëhequr nga Kancelarja gjermane Angela Merkel.
“Nacionalizmat në Bashkimin Evropian po e ndërlikojnë shumë rrugëtimin tonë europian dhe po luajnë shumë rolin e kundërt”, ka theksuar Rama.
Kryeministri i Shqipërisë u ka bërë thirrje të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që të mos pengojnë çeljen e negociatave për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
“… është absolutisht shumë e rëndësishme që të ecim më shpejt e ndërkohë që ecim më shpejt, duhet të shmangim kurthin që të shndërrohemi në një karikaturë të Bashkimit Europian, që të bëhemi viktima të vetove të ndërsjella apo të nevojës për consensus”, është shprehur Rama.
Fjala e plotë e Ramës në Samitin e Berlinit:
Faleminderit shumë Angela!
Pikësëpari do të doja të të falenderoja shumë sinqerisht për nisjen dhe mbështetjen gjatë tërë kësaj kohe të këtij procesi, e për angazhimin tuaj të fortë e të palëkundur për rajonin tonë.
E di që nuk të pëlqejnë lëvdatat, por faktikisht mendoj që procesi që nisët ka qenë vërtetë shumë i rëndësishëm për të mbajtur gjallë atë që, me që ra fjala, BE-ja po e shuan, flakën e shpresës tek e ardhmja.
Thënë këto, mendoj se është shumë e rëndësishme që ne të kemi më shumë autorësi në proces, aq sa është e rëndësishme po kështu që procesi të kombinohet me përpjekjet e shtuara të Komisionit, mbështetur në planin e ri ekonomik dhe të investimeve.
Është e trishtë dhe të gjithë e dinë që ndërkohë procesi i integrimit europian të gjithë rajonit në BE, që dikur shihej dhe tregohej si rruga e duhur për të nënshtruar nacionalizmat ballkanikë, është shndërruar tanimë në një proces që shtypet nga nacionalizmat e BE-së.
Ja që, herë aty e herë këtu, nacionalizmat në BE po e ndërlikojnë shumë rrugëtimin tonë europian e po luajnë shumë rolin e kundërt me të. Megjithatë, siç thoshte edhe legjendari Donald Trump, “Është kjo që është”, kësisoj na duhet të ecim përpara me atë çka kemi. E me këtë çka kemi, mendojmë vërtetë se Procesi i Berlinit dhe ajo çka është shpërfaqur prej tij, është shtylla më e fortë e shpresës për të ardhmen.
Dua të theksoj këtu atë çka pata shansin të ndaja drejtpërdrejtë me Kancelaren, se është absolutisht shumë e rëndësishme që të ecim më shpejt e ndërkohë që ecim më shpejt, duhet të shmangim kurthin që të shndërrohemi në një karikaturë të Bashkimit Europian, që të bëhemi viktima të vetove të ndërsjella apo të nevojës për konsensus! Kjo nënkupton se tashmë, objektivat i kemi shumë të qarta.
Ajo çfarë Ursula tha tani është një panoramë mjaft e qartë e asaj çka duhet të bëjmë: Veprim për tregun e përbashkët rajonal, planin ekonomik dhe të investimeve, e, po kështu, zbatim sa më të plotë të mundshëm të katër lirive të Europës.
Ne nuk kemi iluzionin se të gjitha këto do të na shpëtojnë nga hendeku shumë, shumë i madh, midis nesh dhe Bashkimit Europian, pasi, sa për t’ju dhënë vetëm një shifër, në Planin e Bashkimit Europian 2021-2027, Ballkani Perëndimor do të marrë 507 euro për frymë. Pa bërë krahasime me të tjerët, por vetëm duke u krahasuar me Kroacinë, ajo do të marrë 5195 euro, natyrisht të mirëmerituara, për frymë; por ja që është kështu si është.
Në fund dua thjesht ta përmbyll duke thënë se Shqipëria është tejet e bindur e do të inkurajojë sa më shumë të jetë e mundur përshpejtimin. Siç e thashë, nuk do të shohim të kemi konsensus me çdo kusht për çdo gjë. Do të kërkojmë gjithëpërfshirje të plotë në proces të gjithsekujt që kërkon ta përshpejtojë këtë proces. Me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, dua ata bëj shumë të qartë, nuk kemi vendosur të ndajmë gjësend, nuk kemi vendosur të ndajmë askënd, thjesht kemi vendosur të ecim sa më shumë që të jetë e mundur, duke përsëritur që të gjithë janë të mirëseardhur, por duke deklaruar përherë që nuk do të presim asnjërin.
Objektivat janë të qarta, synimet janë të qarta, rruga është e qartë. Na takon ne që të ecim përpara sa më shumë të jetë e mundur, natyrisht duke shpresuar që nga ana e Bashkimit Europian, edhe ata do të shtyjnë përpara sa më shumë të jetë e mundur, e këtu më duhet të them që Komisioni, Presidentja e Komisionit dhe sidomos Komisioneri Varheyli, po i shpëtojnë fytyrën Bashkimit Europian në Ballkan. Faleminderit shumë!
(r.m.)